Kuvendi i Shqipërisë përfshiu emrin e ish-diktatorit Enver Hoxha në një dokument informativ që rendiste figura historike të lindura ose të vdekura në muajin tetor, duke e vendosur atë krahas personaliteteve të njohura si Sulejman Delvina, At Gjergj Fishta, Abdyl dhe Naim Frashëri, Mbretin Zog I dhe shkrimtarin Dritëro Agolli. Dokumenti përshkruante Hoxhën me tituj të dhënë nga regjimi komunist, të cilët u hoqën pas vitit 1990, pa përmendur vendimet e Kuvendit për dënimin e regjimit (Rezolutat e 2006 dhe 2016). Veprimi shkaktoi reagime të ashpra nga deputetë, historianë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët e konsideruan dokumentin si një përpjekje për glorifikimin e Hoxhës dhe fyerje ndaj viktimave të komunizmit.
Pavarësisht kritikave, Kuvendi nuk tërhoqi dokumentin, ndërsa zyra e shtypit e justifikoi atë si praktikë rutinë bibliografike, bazuar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Analistët dhe sociologët nënvizojnë se glorifikimi i Hoxhës është i papranueshëm dhe pasqyron mungesë ndarjeje morale me të kaluarën, duke rrezikuar kujtesën historike dhe ndërgjegjen kombëtare. Ata theksojnë se veprime të tilla, që injorojnë vendimet për dënimin e regjimit dhe krimet e tij, e bëjnë të domosdoshme një reflektim më të thellë mbi pasojat e diktaturës dhe viktimat e saj.
Shërbimi “informativ”
Një dokument i quajtur “informativ” i dërguar më 3 tetor nga Zyra e Institutit Parlamentar në emailin e 140 deputetëve të Kuvendit përmendte Hoxhën mes figurave historike të lindura ose të vdekura në muajin tetor, duke e vendosur atë në radhë me personalitete të njohura dhe të respektuara në histori.
Sipas dokumentit, Hoxha përshkruhet me tituj që dikur i janë dhënë nga vetë regjimi, të cilët janë hequr pas vitit 1990 dhe sipas Rezolutës nr. 11 të Kuvendit (30 tetor 2006) dhe vendimeve të vitit 2016 për dënimin e regjimit komunist (Rezoluta e Kuvendit, 2016).
Emri i Hoxhës u vendos në të njëjtën listë me personalitete të tjerë historikë, si kryeministri Sulejman Delvina, priftërinjtë françeskanë me kontribute në letërsi dhe etnologji, At Shtjefën Gjeçovi, At Gjergj Fishta, rilindasit Abdyl dhe Naim Frashëri, Mbretin Zog I, dhe shkrimtarin Dritëro Agolli.
Deputetët e opozitës, historianë dhe organizata të shoqërisë civile, e cilësuan “dokumentin” si një veprim të paprecedent që fyente viktimat e komunizmit dhe krijonte përçarje.
Deputeti Erald Kapri nga Partia Mundësia e quajti aktin “skandaloz” dhe i kërkoi Kuvendit të tërhiqte dokumentin dhe të kërkonte falje, duke pyetur:
“Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar?” – shkruan Kapri.
Belind Këlliçi nga Partia Demokratike e përshkroi dokumentin si përpjekje për të “ringjallur diktatorin”, duke theksuar:
“Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm.”
Pavarësisht reagimeve të shumta, Kuvendi nuk u tërhoq nga dokumenti dhe nuk kërkoi falje.
Zyra e shtypit e cilësoi rastin si “praktikë rutinë” të bibliotekës së Kuvendit, e bazuar në informacione historike dhe arkivore me karakter periodik. Sipas zyrës, materiali ishte bazuar tërësisht në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (botim i Akademisë së Shkencave, 2008).
Niko Peleshi, kryetari i Kuvendit, nuk iu përgjigj pyetjeve të mediave lidhur me përshkrimin glorifikues të Hoxhës, edhe pse Kuvendi e ka dënuar më parë diktatorin dhe regjimin e tij me dy rezoluta, e para e miratuar në vitin 2006 dhe e dyta në vitin 2016.
Kabineti i Peleshit justifikoi veprimin si një “gafë të specialistit” duke siguruar disa faqe nga enciklopedia, ku përshkrimi i Hoxhës përmend titujt e heroit, por nuk referohet heqjes së tyre pas vitit 1990 dhe as vendimeve të parlamentit që dënuan krimet e regjimit.
Figura e Hoxhës ka qenë objekt polemikash të njëpasnjëshme. Në vitin 2016, Kuvendi i Shqipërisë dënoi Hoxhën dhe regjimin komunist për krimet e kryera.
“Dënon fuqimisht diktatorin Enver Hoxha dhe regjimin totalitar komunist të instaluar prej tij së bashku me bashkëpunëtorët e vet, si dhe krimet e kryera prej tyre ndaj klerikëve shqiptarë” – thuhet në rezolutë.
Megjithatë, përkundër këtyre vendimeve, figura e Hoxhës vazhdon të glorifikohet sot e kësaj dite.
Më 7 maj 2025, Akademia e Shkencave zhvilloi aktivitetin “Shqiptarët në koalicionin antifashist të Luftës së Dytë Botërore”, ku ish-partizani Naxhi Zhupa e lavdëroi Hoxhën si “burrë shteti” që çliroi vendin.
“Shqipëria do të bahet mend si vendi i parë që krijoi çetën e I partizane, çeta e Pezës, që shërbeu gjithashtu si model për çetat partizane. Në saj të këtij modeli në Shqipëri u krijua një ushtri që me në krye Enver Hoxhën dhe Spiro Mojsiun çliruan vendin. Lufta Nacional-Çlirimtare mbaroi më 29 nëntor të 1944, 161 ditë para mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.” – u shpreh ish-partizani Zhupa.
Sociologu Ergys Mërtiri thekson se glorifikimi i Hoxhës është i papranueshëm.
“Enver Hoxha ka vetëm një vend në memorien e kombit, atë të turpit dhe dënimit moral, si njeriu që vrau e persekutoi mijëra njerëz, si njeriu që i mori popullit të tij lirinë, si dhe si njeriu që shkatërroi ekonominë, kulturën, zhvillimin e vendit. Nëse ka njerëz që sot krenohen me të, kjo tregon gjendjen e tyre morale, shoqërore e mendore. Pasojat e së cilës po i vuajmë ende dhe do ti vuajmë edhe për kohë më pas”- tha Mërtiri.
Për Mërtirin papërgjegjshmëria për lartësimin e figurës së diktatorit Hoxha vjen si pasojë e mosdënimit të krimeve, moshapjes së dosjeve, moszbardhjes së të vërtetave të tmerrshme të atij regjimi dhe mungesës së thellë të punës për sensibilizimin e shoqërisë për shkatërrimet e përjetuara asokohe.
Deputetja demokrate Ina Zhupa deklaron se shteti dhe shoqëria shqiptare nuk kanë bërë ende një ndarje morale dhe të drejtë me të kaluarën, veçanërisht me viktimat politike:
“Shteti e shoqëria nuk kanë arritur ende të krijojnë ndarje morale dhe të drejtë me të kaluarën, sidomos me viktimat me motive politike. Vrasjet në kufi, vrasjet politike brenda vendit, si dhe lista e gjatë e personave pa varr mbetën trashëgimi negative”.
Sociologu Mërtiri dhe analistë të tjerë nënvizojnë se një veprim i ngjashëm nuk do të kishte kaluar pa pasoja të mëdha në vendet e tjera të Evropës.
“Nëse e njëjta gjë do të kishte ndodhur në Gjermani apo Itali me figurën e Hitlerit apo Musolinit, do të ishte shkaktuar një tërmet politik i fortë” – përfundoi sociologu Ergys Mërtiri.
Enver Hoxha drejtoi Partinë Komuniste të Shqipërisë dhe më pas Partinë e Punës për rreth 41 vjet, duke vendosur një regjim totalitar që shkatërroi sistemin pluralist, izoloi Shqipërinë nga bota dhe shtypi çdo formë të opozitës politike, fetare dhe intelektuale.
Regjimi i tij karakterizohej nga kontrolle ekstreme mbi jetën e përditshme të qytetarëve, përndjekje sistematike, internime dhe vrasje të mijëra njerëzve.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.




















