Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të mërkurën, 11 shkurt 2026, vendimin për dënimin e Astrit Avdylit, i njohur edhe si Astrit Balliu dhe Sulejmani. Ai u deklarua fajtor për tre vepra penale: trafikimi i narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municionit.
Në bashkim të dënimeve, Avdyli do të vuajë 12 vjet burgim në një burg të sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e arrestimit të tij.
Dosjet hetimore e identifikojnë Astrit Avdylin si kreu i një grupi kriminal që vepron në zonën e Shijakut dhe se prokurorët dyshojnë se Avdyli ndihmoi ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, për të planifikuar dhe provuar vrasjen e Durim Bamit, i dyshuar si kreu i grupit kriminal të Niklës në Fushë-Krujë. Mbi këto dyshime të prokurorëve ai u shpall në kërkim dhe ishte një ndër 50 personat për të cilët GjKKO vendosi më 15 maj 2024 masën e sigurisë “arrest në burg” pas zbardhjes dhe verifikimit të përgjimeve të ardhura nga platforma Sky ECC mes 7 grupeve kriminale gjatë viteve 2019-2021.
Në operacionin “Revanshi” të 17 majit 2024 autoritetet mundën të arrestojnë 20 nga të listuarit, 14 prej të cilëve u kapën në Shqipëri, 6 të tjerë në Itali, Belgjikë, Gjermani dhe Spanjë. Avdyli ishte një nga ata që i shpëtuan policisë. Gjatë aksionit policia sekuestroi armë, sende, prona dhe para në vlerën e rreth 4.5 milionë eurove. Policia nuk mundi të arrestonte Astrit Avdylin pas 6 javësh.
Hetimet ndaj këtij grupi kriminal nisën në vitin 2016 për trafik droge, por përgjimet zbuluan edhe përfshirjen e anëtarëve të tij në mbështetje të zyrtarëve socialistë gjatë fushatave zgjedhore, përfshirë zgjedhjet e parakohshme në Dibër në shtator 2016 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Çështja u segmentua më pas në dhjetëra procedime të tjera për episode të ndryshme kriminale.
Në regjistrat e forcave ligjzbatuese shqiptare, emri i Astrit Avdylit u regjistrua për herë të parë në vitin 2003. Ai u arrestua me akuzën e vrasjes, por pas dënimit me 16 vjet përfitoi ulje dënimi, pasi siguroi një raport mjekësor që e diagnostikonte me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Me vendim të Gjykatës së Lartë Avdyli fitoi lirinë më 2 mars 2016. Togat e zeza urdhëruan lirimin e tij të menjëhershme me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.
Por vetëm pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u rivendos nën hetim me akuzën e përfshirjes në trafikun e drogave të forta. Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh derisa në tetor 2018 ngriti akuzat për “trafik ndërkombëtar droge”, “korrupsion”, “ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat”. Hetimet e viteve 2016- 2018 evidentuan pesë grupe kriminale, të cilët ndërvepronin me njëri-tjetrin në kryerjen e veprave penale të ndryshme në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe kishin shtrirje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Dosja e etiketuar “339” ende ka dritëhijet e saj, por përgjimet e publikuara në vitin 2019 nga gazeta gjermane “BILD”, nxorën në pah pushtetin e Avdylajve në zonën e Shijakut dhe të Durrësit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























