Arrestohet 58-vjeçari i armatosur në tentativën e grabitjes së një banke në Tiranë

Bardhyl Fusha hyri në filialin e FiBank në zonën e ish-parkut të autobusëve me një kallashnikov, mori 20 milionë lekë, por u kap nga policia para se të largohej. Ngjarja rikthen fokusin te siguria në institucionet financiare.

570
Bardhyl Fusha, autori i grabitjes së bankës
Credits: shteg.org - Bardhyl Fusha, autori i grabitjes së bankës

Një grabitje e armatosur u raportua paraditen e së enjtes, më 12 shkurt, në një degë të bankës në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë. Autori, Bardhyl Fusha, 58 vjeç, hyri në ambientet e bankës me një çantë sportive, brenda së cilës kishte fshehur një armë kallashnikov dhe plumba.

Sapo hyri, ai qëlloi një herë në tokë dhe iu drejtua arkës, ku mori një shumë prej 20 milionë lekësh të vjetra dhe ka tentuar të largohet.

Një qytetare e cila ndodhej në ambientet e brendshme të bankës, mësohet se ka lajmëruar policinë. Një patrullë me efektivë ka qenë shumë pranë vendit të ngjarjes dhe arriti ta kapë autorin në momentin kur po tentonte të largohej nga banka.

Policia njoftoi se në vendngjarje u sekuestruan arma dhe gëzhoja, ndërsa forca të shumta policore mbërritën për të siguruar zonën dhe për të hetuar ngjarjen.

“Isha ndërtues, por tani jam zhytur në borxhe financiare, ndaj u detyrova të bëj një veprim të tillë…” – ka deklaruar në ambientet e policisë së Tiranës, Bardhyl Fusha.”

Dëshmitarët raportuan se ngjarja zgjati vetëm disa minuta dhe se punonjësit e bankës ishin të traumatizuar nga përvoja e kërcënimit nën armë.

Ngjarja riktheu në fokus nevojën për masa të rrepta sigurie në institucionet financiare. Banka e Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar ka miratuar rregulloren për “Kërkesat minimale të sigurisë në ambientet ku kryhen veprimtaritë bankare dhe financiare dhe për transportin e vlerave monetare”, e cila përcakton standarde për mbrojtjen e hapësirave, për sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve, si dhe për integritetin e sistemeve elektronike.

Sipas rregullores, çdo bankë duhet të sigurojë që hapësirat për klientët, arkëtarët dhe ruajtjen e vlerave monetare të jenë qartësisht të ndara dhe të pajisura me masa kundër zjarrit, të miratuara nga shërbimet zjarrfikëse.

Sipas rregullores bankat duhet të kenë telekamerat që mbulojnë çdo pjesë të brendshme dhe të jashtme të bankës, sensorët e lëvizjes dhe tymit që aktivizojnë alarmin në rast rreziku, dhe regjistrimet që ruhen për të paktën një muaj.

Banka duhet gjithashtu të ketë lidhur kontrata me shoqëri sigurimi dhe shoqëri private të sigurisë fizike, të cilat mbikëqyrin transportin e vlerave, rimbushjen e ATM-ve dhe sigurimin e brendshëm të ambienteve gjatë dhe pas orarit të punës.

Përveç kësaj, bankat mund të vendosin masa shtesë sigurie të jashtme, në varësi të nivelit të rrezikut dhe karakteristikave të degës.

Rregullorja përcakton gjithashtu detyrat e njësive të sigurisë brenda bankave dhe mënyrën e komunikimit me strukturat përkatëse të Policisë dhe Bankës së Shqipërisë, duke synuar parandalimin e rreziqeve operative dhe humbjeve financiare.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.