Gjykata konfirmon mungesën e provave për pasurinë milionëshe të ish-gjyqtarit Selimi

Apeli i GJKKO-së rrëzon akuzat e SPAK për fshehje pasurie, duke pranuar se nuk u provua lidhja e pasurive të dyshuara me burime të paligjshme.

348
Ish gjyqtari Shkelzen Selimi
Credits: shteg.org - Ish gjyqtari Shkelzen Selimi

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke shpallur të pafajshëm ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili ishte përballur me akuza të rënda për fshehje të pasurisë.

Vendimi u shpall këtë të martë, më 28 prill 2026, dhe rrëzoi ankimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Me këtë vendim, gjykata konfirmoi përfundimisht se nuk u provua ekzistenca e veprës penale, duke mbyllur procesin gjyqësor në favor të pafajësisë së tij në të dy shkallët e gjykimit.

Çështja ndaj Selimit ishte dërguar për gjykim nga SPAK në tetor të vitit 2022, nën akuzën për “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë”.

Hetimet e prokurorisë kishin ngritur dyshime për pasuri të paluajtshme që sipas saj nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.

Një ndër pasuritë e vëna nën sekuestro është një karburant në Lungomare, Vlorë, me vlerë 250 mijë euro, të cilin Selimi pretendon ta ketë blerë me të ardhura nga një kredi bankare, shitja e një apartamenti dhe kursime personale. SPAK, duke zbatuar ligjin anti-mafia, e ka vendosur këtë pasuri nën hetim, duke ngritur dyshime për burimin e fondeve.

Megjithatë, gjatë procesit gjyqësor, që zgjati rreth dy vite e gjysmë, u paraqitën ekspertiza financiare me përfundime të ndryshme, duke krijuar debat mbi interpretimin e të dhënave. Në fund, gjykata e shkallës së parë arriti në përfundimin se provat nuk mbështesnin akuzën, vendim që tashmë u konfirmua edhe nga Apeli.

Pavarësisht akuzave serioze dhe hetimeve të gjata, gjykata theksoi se nuk u arrit të provohej përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Selimi kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Shkëlzen Selimi ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për më shumë se 15 vite. Ai u shkarkua nga detyra në vitin 2018 në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar (vetingut), për shkak të mosdeklarimit të kontakteve me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

 Ish-gjyqtari e ankimoi vendimin, por u shkarkuar nga Kolegji i Apelimit me vendim të formës së prerë në shkurt të 2019.

Edhe bashkëshortja e tij, ish gjyqtarja Rilinda Selimi, u shkarkua për kontakte të papërshtatshme, ndonëse pa problematika të konstatuara për pasurinë.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.