Kërkesat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u bënë sërish pjesë e debatit në seancën e gjashtë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila u zhvillua në mungesë të tij.
Veliaj ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në seanca nëse i duhet të qëndrojë në të ashtuquajturin “kafaz xhami”.
Mbrojtja e tij kërkoi që i pandehuri të jetë i pranishëm fizikisht në sallë pa masa sigurie që e kufizojnë, duke argumentuar se kjo masë është e panevojshme dhe cenon të drejtat procedurale. Avokati Plarent Ndreca theksoi gjithashtu se çështja ka interes të lartë publik, pasi përfshin një të zgjedhur nga rreth 160 mijë qytetarë të Tiranës, dhe se publiku duhet të ketë mundësi të ndjekë procesin.
“Është e drejtë e të gjithëve për të dëgjuar se çfarë ndodh në këtë proces gjyqësor,” u shpreh mbrojtja e Veliajt.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokuroria, ku prokurori Altin Dumani theksoi se, ndonëse ligji garanton që seancat gjyqësore të jenë publike, kjo nuk përfshin transmetimin live të tyre.
Dumani argumentoi se një praktikë e tillë nuk zbatohet në çështje penale me dëshmitarë, pasi mund të krijojë rrezik për ndikim mbi dëshmitarët dhe të cenojë integritetin e procesit gjyqësor, duke shtuar se kjo është një praktikë e papranueshme në shumë vende evropiane.
“…është një çështje penale ku përfshihen dëshmitarë dhe një praktikë e tillë nuk lejohet, për shkak të rrezikut për ndikim mbi dëshmitarët dhe integritetin e procesit,” u shpreh Dumani.
Gjykata, e kryesuar nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, rrëzoi kërkesën për transmetim live të hetimit gjyqësor ndaj Veliajt, duke theksuar se dy prej të pandehurve nuk e kishin pranuar këtë mënyrë zhvillimi të seancës, ndërsa prania e mediave në sallë mbetet e garantuar.
Në këtë kontekst, u kujtua edhe fakti se kërkesa të ngjashme për transmetim live janë bërë më herët edhe nga figura të tjera publike, përfshirë ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.
Përveç kërkesave për transmetim live të seancave dhe kundërshtimit të qëndrimit të të pandehurve në të ashtuquajturin “kafaz xhami”, mbrojtja e Erion Veliaj ka ngritur edhe një tjetër pretendim lidhur me administrimin e provave në proces.
Avokati Plarent Ndreca kërkoi që mbi 160 fashikuj provash të depozitohen fizikisht në sallën e gjyqit, duke argumentuar se materialet në formë digjitale mund të jenë të cenueshme ndaj manipulimit dhe nuk janë vënë në dispozicion në mënyrë plotësisht transparente për mbrojtjen. Sipas tij, ekziston rrezik real që përmbajtja e këtyre provave të jetë cenuar, çka sipas mbrojtjes vë në dyshim integritetin e tyre procedural.
Nga ana tjetër, prokuroria e cilësoi këtë kërkesë si të pabazë dhe si përpjekje për zvarritje të procesit. Dumani theksoi se të gjitha provat janë dorëzuar në kohë dhe në përputhje me ligjin, madje edhe në formatin e kërkuar nga mbrojtja.
“Kemi që nga data 9 shkurt për dërgimin e çështjes në gjyq dhe jemi në fund të prillit, më shumë se 2 muaj, dhe do duhet thënë që pothuajse të gjithë avokatët e tjerë kanë qenë korrekt dhe jemi në një situatë të njëjtë. Avokatët e Veliaj në mënyrë të përsëritur, në mënyrë artificiale në mendimin tonë, bëjnë kërkesë në funksion të zgjatjes të shqyrtimin të çështjes.” – u shpreh prokurori i çështjes, Altin Dumani.
Po gjatë seancës, gjykata vendosi ndarjen e hetimit gjyqësor për një grup prej 11 të pandehurish dhe subjektesh juridike që kishin paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar.
Mes tyre përfshihen Elman Abule, “Rametal” shpk, Fatmir Bektashi, Kontakt shpk, Mirton Lika, Lani shpk, Frosina Bollo, OJF “Frobolous”, Adela Kondakçiu, Fatjon Baci, Klotilda Bushka.
Vendimi u mor pasi trupi gjykues vlerësoi se ekzistojnë kushtet ligjore për një trajtim të veçantë të kësaj pjese të çështjes, duke mundësuar që procedura ndaj tyre të ndiqet më shpejt dhe me një ritëm të ndryshëm nga pjesa tjetër e procesit.
Çështja në ngarkim të Erion Velias, bashkëshortes së tij dhe një grupi biznesmenësh është dërguar për gjykim në themel në shkurt 2026 dhe që prej asaj kohe janë zhvilluar gjashtë seanca, të shoqëruara me kërkesa për ndarje, përjashtim kompetence, si dhe për kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes.
SPAK ka ngritur katër akuza të rënda ndaj kryebashkiakut, si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të paligjshme në burg.
Sipas hetimeve, Veliaj dhe bashkëshortja e tij janë përfshirë në një mekanizëm të komplikuar, ku fonde publike nga Bashkia e Tiranës janë alokuar në mënyrë të dyshuar drejt bizneseve dhe organizatave që kanë lidhje me familjen e tyre, prej të cilave dyshohet se familja Veliaj-Xoxa ka përfituar mbi 1.1 milionë euro.
Prokuroria thotë se Veliaj, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë, ka nënshkruar aktet që shpërndanin fondet publike, të cilat përfundonin më pas tek OJF të lidhura me Ajola Xoxën, shoqëri tregtare dhe individë të afërt me çiftin. Përveç shumave në para, dy të pandehurit kanë përfituar edhe pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.
























