Gjyqi ndaj Emiljano Shullazit, Lulzim Berishës dhe të pandehurve të tjerë vijon të zvarritet në Gjykatën e Posaçme, në një proces ku ata akuzohen për përfshirje në vrasje të bujshme të vitit 2005, të kryera sipas hetimeve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, të pandehurit akuzohen për “vrasje me paramendim në bashkëpunim”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, në lidhje me atentatet e ndodhura në Durrës dhe Tiranë, ku humbën jetën disa persona.
Pavarësisht rëndësisë së çështjes, seanca e radhës u shty sërish edhe këtë të hënë, më 27 Prill 2026, për shak të mungesës së avokatëve dhe përplasjeve procedurale mes palëve.
Shtyrja e radhës erdhi edhe për shkak të mungesës për arsye shëndetësore të avokatit të të pandehurit Indrit Rusi. Në këto kushte, gjykata caktoi një mbrojtës kryesisht dhe, me kërkesë edhe të prokurorisë, vendosi shtyrjen e seancës.
Që në nisje të seancës, mbrojtja e Berishës kërkoi ndarjen e çështjes për klientin e saj, duke argumentuar se procesi po zvarritet padrejtësisht ndërkohë që ai ndodhet në burg. Sipas avokatit Ilia Ilia, hetimi për Berishën është i përfunduar dhe vonesat lidhen me problematika të pjesës tjetër të dosjes.
“Për klientin tim hetimi është i plotë ndërkohë që ky gjykim paraqet mungesa për të tjerët. Për shkak të zvarritjes së procesit që po zgjatet dhe klienti po qëndron në burg padrejtësisht.” – u shpreh gjatë seancës mbrojtja e Berishës.
Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori Alfred Shehu, i cili theksoi se ndarja e çështjes në këtë fazë nuk është e përshtatshme, duke argumentuar se shtyrjet lidhen me mungesa të justifikuara.
“Në këtë fazë të gjykimit nuk jemi dakord… shtyrja po bëhet për arsye shëndetësore,” deklaroi prokurori.
Gjykata e rrëzoi kërkesën për ndarje të çështjes, duke e cilësuar të pabazuar në kushtet aktuale të procesit.
Në sallë ishte i pranishëm Shullazi, por mungonte avokati i tij, Edvis Gorishti, i cili kërkoi shtyrje për t’u njohur me procesverbalet e seancave ku nuk kishte qenë i pranishëm.
Ndërkohë, munguan edhe disa nga të pandehurit e tjerë dhe mbrojtësit e tyre, përfshirë Viktor Ymeraj dhe Plarent Dervishaj. Edhe Berisha nuk ishte prezent, por u përfaqësua nga avokatët.
Hetimet e SPAK flasin për atentatet e ndodhura më 26 dhe 27 shkurt 2005 në Durrës dhe Tiranë, ku humbën jetën Klodian Saliu, Vajdin Lamaj, Osman Truma dhe Artan Arsi.
Sipas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Reçi, ekzekutimi i Klodian Saliut u organizua nga Lulzim Berisha, ndërsa ai i Lamajt u planifikua nga Emiljano Shullazi me përdorimin e tritolit C4. Ngjarja e parë ndodhi në aksin Durrës-Maminas, ku Saliu u qëllua për vdekje, ndërsa një ditë më pas një shpërthim me lëndë plasëse në banesën e Vajdin Lamajt i mori jetën këtij të fundit dhe shoferit të tij, Artan Arsi.
Për këto akuza, që përfshijnë “vrasje me paramendim” në bashkëpunim, “grup të strukturuar kriminal” dhe “mbajtje pa leje të armëve”, të pandehurit rrezikojnë dënime deri në burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi ndodhet në burg që prej vitit 2016 për një tjetër çështje, ku u dënua me 14 vite burg për gjobëvënie ndaj biznesmenëve, ndërsa SPAK ka hapur edhe dosje të tjera ndaj tij, përfshirë akuzat për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Artan Arsit, si dhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e Durim Bamit, ku sipas hetimeve komunikimet janë kryer përmes aplikacionit të koduar “SkyEcc”.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























