“Arrest shtëpie” për avokatin e akuzuar për korrupsion

SPAK akuzon avokatin për marrje të parave me qëllim ndikimin tek gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa Logu mohon çdo përfshirje në korrupsion.

1066
Avokati Besar Logu
Credits: shteg.org - Avokati Besar Logu

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të nisura pas kallëzimit të shtetasit italian Salvatore Castorina, kanë çuar në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për avokatin Besar Logu.

Avokati dyshohet se më 13 dhjetor 2024 ka marrë 8 mijë euro nga klienti i tij dhe SPAK pretendon se shuma nuk lidhej me pagesa për shërbime ligjore, por ishte dhënë për të ndikuar tek zyrtarët e sistemit të drejtësisë.

“I hetuari ka marrë shumën prej 8.000 (tetë mijë) euro, (fakt i dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit). Kjo shumë është marrë me qëllim për të ndikuar te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që kishin në ngarkim çështjen penale në ngarkim të tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë” – thuhet në njoftimin e prokurorisë sipas të cilit avokati akuzohet për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.

Pas ekzekutimit të masës, Logu reagoi në rrjetet sociale duke mohuar çdo përfshirje në korrupsion.

“Nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Jam i gatshëm të përballem me akuzat dhe të provoj çdo akt timin,” deklaroi ai, duke theksuar se kontrolli i banesës dhe zyrës së tij nuk ka prodhuar prova të paligjshme.

Avokati i cilësoi akuzat si një tentativë për të kriminalizuar profesionin e tij.

“Nga ana ime nuk është kryer asnjë veprim që të ngrejë dyshime për ndonjë vepër penale. Kam shërbyer me devotshmëri dhe përgjegjësi, duke pasur prioritet vetëm interesin e klientit brenda kornizës ligjore,” deklaroi Logu.

Sipas hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Policisë së Shtetit, më 13 dhjetor 2024 avokati ka marrë 8 mijë euro, një fakt i dokumentuar sipas tyre me metoda speciale të hetimit.

Prokuroria thotë se shuma ishte marrë për të ndikuar tek prokurori, gjyqtari dhe ekspertët e përfshirë në çështjen penale të klientit të tij, Castorina, për të siguruar lirimin e tij nga burgu.

Çështja penale në fjalë lidhet me akuzat për “Krijim skemash mashtruese lidhur me TVSH-në”, “Fshehje të ardhurash” dhe “Falsifikim vulash, stampash ose formularësh”, të kryera në bashkëpunim.

Klienti italian i Logut, u arrestua në mars 2024 si pjesë e një grupi me shqiptarë dhe italianë të cilët bashkëpunonin në Gjirokastër dhe regjistronin subjekte e lëshonin TVSH fiktive për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 3 llogari bankare me vlerë 1.3 milionë euro dhe 13 milionë lekë.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.