Pse konflikti për Aeroportin e Vlorës s’ka të bëjë me Rusinë, por me pazaret e brendshme

1660
Aeroporti Vlorës
Credits: OCCRP

Përse konflikti për Koncesionin e Aeroportit të Vlorës ka më shumë gjasa të jetë “prishje pazaresh” se sa frikë për financim rus (siç pretendon njëra palë), apo mbrojtje e të drejtave të investitorit (që është pretendimi i palës tjetër)?!

1. Kontrata koncesionare nuk lejon ndryshim të aksionerëve pa u marrë miratimi i Autoritetit Konktraktor dhe në këtë rast marrëveshja e shitjes së kuotave mes dy palëve (2A Group dhe Mabco Construction) nuk ka asnjë vlerë ligjore. Nëse 2A Group ka investuar 22.8 milion euro siç pretendon dhe i takojnë 49% e aksioneve në këtë kontratë, duhet të ketë patur siguri nga autoritetet për marrjen e miratimit sepse nuk ka përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të aeroporteve. (https://arbk.rks-gov.net/TableDetails të dhënat sipas ekstraktit të ARBK)

2. Edhe miratimi për shitjen e aksioneve nga turqit e YDA te kompania Mabco Construction është bërë në shkelje. Kjo duket qartë që te vendimi për miratimin e shitjes që ka bërë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në paragrafin e fundit të shkresës thuhet se “koncesionari duhet të vazhdojë të garantojë aftësinë financiare, teknike dhe të operimit”. Pra, miratimi është bërë pa u garantuar vazhdimi i aftësisë teknike dhe financiare!

3. Marrëveshja e huasë mes Mabco Construction dhe Delphos Securities SARL ku lejohet aksesi në llogaritë e të ardhurave të shoqërisë koncesionare pa marrë miratimin e Autoritetit Konktraktor, është shkak që Autoriteti Kontraktor ta konsiderojë shkelje të kontratës. Marrja dijeni për këtë veprim duhet të vinte në lëvizje autoritetet e inteligjencës financiare në vend dhe jo të përfundonte në një luftë mediatike!

Dhe ajo që është më e rëndësishme:

4. Nëse paratë e dhëna hua janë ruse nuk e di askush. Delphos Securities rezulton e regjistruar në juridiksion offshore dhe pronarët e vërtetë nuk njihen. Por po supozojmë se këto janë para ruse. Pyetja kryesore që shtrohet është: a zhduket ky rrezik kontrolli që pretendohet në koncesionin e aeroportit nëse 2A Group merr 47% plus 2% (që i ka aktualisht) të aksioneve? Sërish kontrollin me 51% e ka Mabco Construction! Rreziku i financimit rus vazhdon…

Çfarë duhet të ndodhte në një situatë normale ku shteti zbaton rregullat dhe ligjet? Që në momentin që ndryshon pronësia dhe nga koncesioni del kompania kryesore që përmbushte kriteret teknike, institucionet duhet të kërkonin zëvendësimin e saj me një firmë të ngjashme që plotësonte të njëjtat kushte. Nëse kjo nuk ndodhte, prishej kontrata dhe duhej që gara të hapej nga e para!

Por siç pranon dhe vetë kompania 2A Group në akt-padinë e dorëzuar pranë autoriteteve të drejtësisë, fitimet e kontratës koncesionare janë të mëdha: 734 milion euro për 35 vjet, ose 21 milion euro në vit! Ndaj dhe lufta për disa aksione më shumë është e fortë.

Ola Xama, Gazetare
Gazetare |  + posts

Ola Xama është gazetare në fushën e ekonomisë prej 15 vitesh, e fokusuar së fundi në zhanrin e analizave dhe investigimeve. Është autore e emisionit investigativ ‘Kronos’ në MCN Tv, dhe më parë ka punuar si gazetare në fushën e ekonomisë në televizionet Euronews Albania, Klan Tv dhe Vizion Plus. Është autore e dhjetra investigimeve që lidhen me financat, pastrimin e parave dhe abuzimet e autoriteve publike me qytetarët. Është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës në degën Gazetari dhe ka përfunduar studimet master në të njëjtën degë.