Operacioni “URA”, 6 të arrestuar shkojnë për gjykim për korrupsion dhe drogë

Hetimet e SPAK dhe Antimafias italiane zbulojnë rrjet ndërkombëtar kriminal, trafikun e drogës dhe pastrim parash me miliona euro.

1062
Arrestimi i grupit që mbolli kanabis në Shkodër
Credits: shteg.org – Arrestimi i grupeve kriminale

6 të arrestuarit në kuadër të operacionit “URA” përballen me akuzat e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të paligjshëm, ndërsa hetimet zbulojnë trafikun e drogës dhe pastrimin e miliona eurove mes Shqipërisë dhe Italisë.

Çështja ndaj gjashtë personave të arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “URA” është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, pas hetimeve të zgjeruara të SPAK në bashkëpunim me Antimafian italiane. Të arrestuarit dyshohen për një sërë veprash penale, duke përfshirë “ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, “korrupsion aktiv” dhe “shpërdorim detyre”.

Hetimet tregojnë se personat e akuzuar kanë pasur rol aktiv në rrjetin kriminal të zbuluar gjatë operacionit “URA”, duke ndërhyrë në sistemin e drejtësisë dhe në strukturat e kontrollit kufitar.

Sipas hetimeve të SPAK, në listën e të akuzuarve janë Edison Cukaj (i njohur edhe si Gjoka), Serxhio Shkodra, Ervis Deti dhe Bexhed Mema, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar për të ushtruar ndikim ndaj punonjësit të policisë kufitare Naim Behluli, me qëllim kalimin e paligjshëm të personave përmes Portit të Durrësit.

Behluli, me funksion të rëndësishëm në këtë pikë kufitare, akuzohet për “shpërdorim detyre”, pasi sipas hetimeve ai ka lejuar shmangien e kontrolleve dhe kalimin e paligjshëm në këmbim të pagesave.

Sipas dosjes hetimore, Edison Cukaj, i cili u ekstradua nga Italia më 10 gusht 2025, dyshohet se ka paguar 3 mijë euro bashkëpunëtorëve të tij Ervis Deti, Serxhio Shkodra dhe Bexhed Mema, për të ndikuar te Naim Behluli, me qëllim kalimin e tij të sigurt drejt Italisë pa u ndalur në kontrolle kufitare.

Si pjesë e grupit është edhe avokati Armand Tragaj, i cili sipas SPAK ka ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë dhe policisë bazuar në komunikime të koduara në platformën SkyECC, tashmë të zbërthyer nga hetuesit.

Tragaj akuzohet për katër episode korrupsioni aktiv, që lidhen me tentativa për të ndikuar në vendimmarrjet gjyqësore dhe hetimore në favor të klientëve të tij. Përveç kësaj, ndaj tij rëndon edhe akuza për “korrupsion aktiv të dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit”, çka e bën një nga figurat kryesore në këtë fazë të re të hetimit.

Arrestimet dhe akuzat janë pjesë e fazës së dytë të operacionit “URA”, zhvilluar më 20 maj 2025, që çoi në shkatërrimin e një rrjeti kriminal me bazë në Durrës dhe degë në Itali, Gjermani dhe Holandë, me lidhje të drejtpërdrejta me kartelet e Amerikës Latine.

Rrjeti kishte një strukturë hierarkike, me trafikantë, shpërndarës, zyrtarë publikë dhe profesionistë të drejtësisë. Në krye qëndronin Xhevdet Troplini, Elvis Doçi “Visi i Pojës” dhe Adi Çoba “Bisha”, të cilët organizuan trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe korruptimin e zyrtarëve. 

Hetimet zbuluan rrugët e trafikut të kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine dhe Turqia drejt portove italiane të Barit dhe Ankonës, duke dokumentuar mbi 250 kilogramë drogë dhe transferta parash mbi 5 milionë euro.

Si pjesë e operacionit, janë vendosur nën sekuestro kompani ndërtimi, agjenci imobiliare, restorante, një rrjet televiziv në Vlorë dhe disa llogari bankare në Shqipëri dhe Itali, me vlerë që arrin në disa milionë euro.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.