Altin Dumani dorëzon drejtimin e SPAK, Klodian Braho nis mandatin

Pas tre vitesh në krye të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Dumani falënderon bashkëpunëtorët dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa Braho premton forcimin e funksionimit të brendshëm dhe pavarësinë e prokurorëve.

792
Ish drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe Klodian Braho, drejtuesi i ri i SPAK
Credits: LSA - Ish drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe Klodian Braho, drejtuesi i ri i SPAK

Altin Dumani mbylli këtë të hënë kapitullin e tij si drejtues i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nëpërmjet një ceremonie të shkurtër në ambientet e prokurorisë. Pas tre vitesh në krye të SPAK, ai i dorëzoi stafetën prokurorit Klodian Braho, i zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 11 Dhjetor 2025 me 7 vota.

Gjatë fjalës së tij, Dumani e cilësoi drejtimin e SPAK si një privilegj dhe përgjegjësi të madhe, duke e përshkruar këtë periudhë si një nga kapitujt më sfidues të karrierës së tij 26-vjeçare. Ai u ndal tek sfidat, presionet dhe vendimet e vështira të marra, duke theksuar se SPAK është sot më i besueshëm dhe më i konsoliduar se kurrë më parë.

“Sot mbyllet një kapitull që ka qënë ndër më sfiduesit e karrierës time. Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot mund të them me bindje se SPAK është më i fortë dhe më i besueshëm se më parë,” u shpreh Dumani.

Ai falënderoi bashkëpunëtorët për punën e palodhur dhe partnerët ndërkombëtarë për kontributin e tyre në forcimin e kapaciteteve institucionale të SPAK. Në fund të fjalës, Dumani i uroi sukses pasardhësit të tij, Klodian Brahos, duke shprehur besimin se ai do të vijojë misionin e SPAK me integritet dhe vendosmëri.

Altin Dumani kishte marrë drejtimin e SPAK më 19 Dhjetor 2022, pas një karriere 20-vjeçare si prokuror dhe pasardhës i kreut të parë të SPAK, Arben Kraja. Tani, ai do të vazhdojë të shërbejë si prokuror në SPAK deri në vitin 2028.

Klodian Braho, i njohur për hetimet e tij ndaj “Jakëve të Bardha”, dosjes së inceneratorëve dhe hetimeve ndaj ish-zyrtarëve të lartë, filloi sot zyrtarisht detyrën si kreu i ri i SPAK. Në fjalën e tij, ai vlerësoi punën e parardhësve dhe falënderoi Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Braho deklaroi se fokusi i tij do të jetë forcimi i funksionimit të brendshëm, respektimi i standardeve ligjore dhe garantimi i pavarësisë së prokurorëve të posaçëm. Ai theksoi rëndësinë e BKH-së dhe sektorit të hetimit financiar si shtylla të rëndësishme të SPAK, duke siguruar se institucioni do të vazhdojë të komunikojë me publikun brenda kornizës ligjore.

Klodian Braho nisi karrierën si prokuror në Berat në vitin 2007, më pas shërbeu në Vlorë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku spikati për hetimin ndaj ish-prokurorit Adriatik Llalla. Që nga themelimi i SPAK në vitin 2019, ai ka drejtuar seksionin kundër korrupsionit, duke u pozicionuar si një nga figurat kryesore të drejtësisë kundër korrupsionit në vend.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.