Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim Eno Agasin, i akuzuar për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, kontrabandë e mallrave që paguajnë akcizë dhe magazinim të mallrave që paguajnë akcizë.
Eno Agasi është kushëriri i Ergys Agasit, i cili po ashtu ndodhet në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për AKSHI-n. Sipas hetimeve, kur grupi i BKH vizitoi banesën e Agasit, u zbulua një kantinë verërash, ndër të cilat edhe shishe të rralla që datojnë që nga viti 1922. Për shkak të procedurës ligjore, ngjarja u njoftua në Drejtorinë e Doganave, pasi vera konsiderohej kontrabandë.
Doganat kryen inventarin e kantinës gjatë disa orëve dhe përllogaritën një dëm prej 400 milionë lekësh të shkaktuar buxhetit të shtetit nga mospagimi i akcizës. Për shkak se ishte natë dhe transporti i verës nuk mund të bëhej menjëherë, mallrat u lanë në ruajtje në vilë. Sipas hetimeve, gjatë natës, Eno Agasi ka hequr verën dhe serverin e kamerave të sigurisë, duke bërë që kur furgonat e Doganës shkuan për të marrë mallin, produktet të mos gjendeshin më në kantinë.
Organi i akuzës dyshon gjithashtu se kantina e verërave mund të ketë lidhje me veprime të mundshme për pastrim parash. Vlera e verës së larguar nga kantina është disa milionë euro.
Ndërkohë, Ergys Agasi, biznesmeni dhe kushëriri i Eno Agasit, është shpallur gjithashtu në kërkim nga SPAK. Ai akuzohet se ka krijuar së bashku me Ermal Beqirajn një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të AKSHI-t, duke përdorur dhunë dhe pengmarrje.
Dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, akuzohen nga SPAK për gjashtë vepra penale, përfshirë pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera, heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme me dhunë, dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Në arrest shtëpie është dërguar Mirlinda Karçanaj drejtoreshë e AKSHI-t dhe nëndrejtoresha Hava Delibashi. 4 persona të tjerë janë nën masa më të lehta sigurie.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























