Kripto dhe beton, skema e re e pastrimit të parave

Kreu i SPAK, Altin Dumani, raportoi se në 2024 janë realizuar sekuestrime prej 65 milionë eurosh të cilat sipas tij janë investuar në turizëm, duke u kthyer në mjet për pastrim parash.

934
Altin Dumani, ndërtimet pa leje
Credits: shteg.org - Altin Dumani, ndërtimet pa leje

Dyshimet për ndërtimet që shërbejnë për pastrimin e parave të krimit të organizuar janë në qendër të hetimeve të SPAK. Sektorët e ndërtimit, turizmit dhe hotelerisë po konsiderohen si kanali kryesor ku injektohen fondet e paligjshme, çka është konfirmuar nga Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

Gjatë raportimit në seancën plenare të 27 tetorit, Dumani deklaroi se vetëm gjatë vitit 2024 janë sekuestruar rreth 65 milionë euro pasuri të dyshuara si të përfituara nga aktivitetet kriminale. Sipas tij, krahasuar me vitin 2023 ka një rritje prej 34% të procedimeve për pastrim të produkteve të veprës penale, çka tregon për një intensifikim të hetimeve në këtë fushë.

“Numri i procedimeve penale për pastrim të produkteve të veprës penale. Krahasuar me vitin 2023, kjo rritje është me 34%. Vlera e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara është 65.5 milionë euro,” tha Dumani.

Kreu i SPAK nënvizoi se është rritur ndjeshëm numri i hetimeve në sektorët e ndërtimit, turizmit dhe hotelerisë, ku dyshohet se po kanalizohen fondet e siguruara nga krimi i organizuar. Një nga sfidat kryesore për hetuesit mbetet gjurmimi i transaksioneve me kriptomonedha, të cilat po përdoren për të fshehur origjinën e paligjshme të të ardhurave.

“Janë sekuestruar 4 hotele dhe pasuri të tjera me vlerë rreth 11 milionë euro të lidhura me kriptomonedhat. Një pjesë tjetër është ende në proces sekuestrimi. Hetimi i këtyre rasteve është i vështirë për shkak të mënyrës si funksionojnë kriptovalutat, prandaj kemi kërkuar hetues të specializuar për këtë fushë,” deklaroi Dumani.

Shqetësimin për ndërtimet pa leje të cilat kanë një lidhje të ngushtë me përdorimin e parave të pista, e ngriti dhe deputetja Jorida Tabaku e cila në seancën e djeshme plenare deklaroi se në kryeqytet po jepen leje për ndërtime gjigante që arrijnë vlera deri në 200 milionë euro, ndërkohë që kompanitë përfituese kanë bilanca minimale.

“Ka kompani që marrin leje për kulla me vlera marramendëse dhe nuk kanë as kapital, as eksperiencë, as burime financiare të verifikueshme” tha Tabaku në seancën e djeshme parlamentare.

Të dhënat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se në pesëvjeçarin e fundit janë dhënë rreth 250 leje ndërtimi për hotele dhe resorte në të gjithë vendin.

Ndërkohë, një pjesë e këtyre objekteve, sipasi investigimeve të “shteg.org”, janë ngritur përmes lejeve të dyshimta ndërtimi dhe fondeve të siguruara nga aktivitete kriminale.

Ndërtimet pa leje të rregullta kanë zbuluar një skemë të gjerë abuzimesh dhe korrupsioni, ku rezulton përfshirja e funksionarëve publikë në nivele të larta korrupsioni. Këto projekte jo vetëm që cënojnë pronat e qytetarëve, por siç e theksoi dhe Dumani në fjalën e tij, shërbejnë edhe si mekanizma për pastrimin e të ardhurave të paligjshme, nën mbrojtjen e lidhjeve me struktura të krimit të organizuar.

Sipas censusit të 2023 rezultojnë mbi 170 mijë ambiente të pabanuara në pallatet e ndërtuara, kjo shifër ndiqet nga banesat individuale me 148 mijë dhe 37 mijë shtëpi të veçuara.

Sipas të dhënave të siguruara nga “shteg.org” volumi i ndërtimit gjatë 12 viteve të fundit në bazë të lejeve të dhëna arrin në 12.3 milionë metra katrorë, nga ku 9.2 milionë ose 75% e tyre janë përfituar vetëm nga qarku i Tiranës.

Eriselda Mikeli
+ posts

Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.