Mungesa e prokurorëve vë në krizë drejtësinë

Prokurori i Përgjithshëm kundër ashpërsimit të Kodit Penal: “Burgu nuk është zgjidhje për çdo problem të shoqërisë".

907
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela
Credits: LSA - Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela

Sistemi i drejtësisë po përballet me sfida serioze si pasojë e mungesës së prokurorëve dhe volumit të lartë të çështjeve për shqyrtim. Nga foltorja e Kuvendit, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, raportoi për ecurinë e punës përgjatë vitit 2024, duke theksuar se situata është bërë gjithnjë e më e vështirë dhe rrezikon të bëhet e papërballueshme.

Sipas Çelës, numri i prokurorëve të rinj është rritur vitet e fundit, por mungesa e eksperiencës së tyre po sjell zvarritje dhe cilësi të ulët të hetimeve. Ai paralajmëroi se shumë çështje rrezikojnë pezullim për shkak të paaftësisë për t’i përfunduar brenda afateve.

Në 2024 prurjet e magjistratëve të rinj kanë qenë të shumta, kapin shifrën 40-60 por mungesa e eksperiencës ndikon shumë në formimin profesional të tyre, çka ua vështirëson punën këtyre të rinjve por dhe ndikon në cilësinë e hetimeve. Janë shumë çështje të zvarritura për të cilat hetimi është i pamunduru shpreh Prokurori i Përgjithshëm.

Mungesën e eksperiencës profesionale, Çela e lidhi ngushtësisht dhe me arrestimin e avokatit Ulian Barjami, pas incidentit në sallën e gjyqit me prokurorin Gjergji Ceka, i cili pretendoi se ishte kërcënuar pasi Barjami i kishte thënë “do të merrem personalisht me ty”.

Ai e quajti masën “ekstreme dhe të pajustifikueshme”, duke shtuar se ngjarja nuk duhet të kishte ndodhur.

“Nuk di të ketë pasur ndonjë rast të ngjashëm më parë. Sipas informacionit që kam, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë po kryen verifikimet dhe do të përcaktojë elementët e përgjegjësisë të prokurorëve të përfshirë,” shtoi prokurori.

Prokurori i Përgjithshëm, ka kundërshtuar draftin për Kodin e Ri Penal, si dhe është shprehur kundër ndryshime në deklaratat e mëparshme të bëra publikisht, por edhe gjatë raportit vjetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Sipas kryeprokurorit, është e nevojshme një shkëputje nga një konceptim autoritar i kodit të vjetër penal drejt një kodi të përshkruar nga një frymë demokratike liberale.

Ai argumentoi se deri më sot nuk është bërë një analizë e thellë e problemeve të Kodit aktual dhe se faktet që Kodi është i vjetër nga 1995 dhe kërkesat e integrimit evropian nuk mund të përdoren si justifikim për ndryshime radikale.

Sipas tij, nuk është i nevojshëm ashpërsimi i dënimeve pasi, siç shtoi ai, burgu nuk mund të jetë zgjidhja për çdo problem të shoqërisë.

“Kur shkojmë te zgjidhja e ashpërsimit të dënimit, domethënë se jemi duke hequr në drejtim të kundërt me humanizmin. BE është në radhë të parë që bart këto vlera dhe ne duhet të shkojmë drejt kësaj. Fakti që shtojmë dhe ndëshkojmë më shumë dhe masat administrative i bëjmë krime, nuk është qasja e duhur.”, shtoi ai.

Në 29 Korrik, Olsian Çela reagoi kundra draftit të Kodit të Ri Penal, pasi sipas tij dënimet e caktuara referuar këtij kodi rrit potencialin e kriminalizimit në vend.

“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale, e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive, që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve” u shpreh Çela para 3 muajsh.

Duke i qëndruar besnik të njëjtit mendim, Çela nga foltorja e Kuvendit theksoi ashpërsimin e Kodit Penal që bie ndesh me parimet e humanizmit.

Diskutimet për ndryshimet në Kodin Penal kanë nisur që në vitin 2023, kur një grup pune i ngritur nga Ministria e Drejtësisë hartoi një draft fillestar dhe thirri institucionet për të dhënë mendimet e tyre. Prokuroria e Përgjithshme ka marrë pjesë në mbledhje për shqyrtimin e këtij drafti, përmes përfaqësuesit të saj, duke paraqitur edhe qëndrimet institucionale mbi çështjet e propozuara.

Sipas kryeprokurorit, procesi nuk ka ndjekur një metodologji të qartë dhe nuk është mbështetur në një analizë të nevojave të shoqërisë.

Sipas, Çelës në maj të vitit 2025, Prokurorisë i është kërkuar të jepte zyrtarisht opinion për draftin, por kjo nuk është pranuar, pasi dokumenti i paraqitur nuk i përgjigjej kërkesave për një rishikim të mirëfilltë të Kodit Penal.

Kryeprokurori ngre pikëpyetje mbi arsyetimin e ndryshimeve, duke theksuar se të vetmet argumente të dhëna deri tani janë fakti që Kodi aktual është i vitit 1995, si edhe procesi i integrimit europian. Sipas tij, ekzistojnë shumë shtete me kode penale edhe më të vjetra që funksionojnë mirë, ndaj rishikimi i legjislacionit duhet të mbështetet në probleme konkrete dhe pritshmëritë e shoqërisë, jo vetëm në justifikime formale.

Eriselda Mikeli
+ posts

Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.