Ish-shefi i komisariatit shkon në gjyq për shpërdorim detyre

Ish-shefi i Komisariatit 3, Erjon Dani, dhe të tjerët dyshohet se shpërndanë të dhëna të TIMS dhe përfituan shuma monetare për të favorizuar vendime gjyqësore.

1129
Ish-shefi i Komisariatit 3, Erjon Dani
Credits: shteg.org - Ish-shefi i Komisariatit 3, Erjon Dani

SPAK ka përfunduar hetimet ndaj gjashtë të pandehurve të akuzuar për ndikim të paligjshëm në sistemin e drejtësisë dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të marra nga sistemi TIMS.

Në gjykatë është dërguar çështja ndaj ish-shefit të krimeve në Komisariatin Nr. 3 të Tiranës, Erjon Dani, si dhe ndaj Musa Gjikolës, Klodjan Muçës, Sokol Mashës, Emiljano (alias Millan) Roçit dhe Vilson Roçit.

Sipas SPAK, provat janë siguruar gjatë një hetimi tjetër për trafik droge dhe trafikim të qenieve njerëzore.

Nga hetimet ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të ndryshme, duke kërkuar dhe përfituar shuma nga 4 mijë deri në 7 mijë e 500 euro.

Në njoftim bëhet me dije se nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë. Ky qëllim ishte ndikimi në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënien e dënimit për disa të arrestuar.

Ata pretendonin se kishin aftësi për të ndikuar në masat e sigurisë personale dhe për të favorizuar të arrestuar të ndryshëm në vendimmarrjen e gjykatave.

Hetimi ka provuar se i pandehuri Erjon Dani, në atë periudhë zëvendësshef komisariati dhe shef krimesh në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë të dhëna të sistemit TIMS tek persona të paligjshëm.

Hetimet tregojnë se të pandehurit kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”.

Hetimi ndaj gjashtë të pandehurve është ndarë nga një procedim penal i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.

Erjon Dani dhe gjashtë persona të tjerë u arrestuan në korrik të këtij viti, gjatë një operacioni të shtrirë në qarqet Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.