Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-punonjës të Policisë së Shtetit, të akuzuar për lidhje me grupe të strukturuara kriminale të përfshira në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Ish-funksionarët e Policis së Shtetit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinanaj, akuzohet për veprat penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Sipas hetimeve, procedimi penal është ndarë nga çështja kryesore nr. 169 e vitit 2022, ndërsa provat e administruara kanë dokumentuar veprimtarinë e disa grupeve kriminale që operonin në jug të vendit dhe që kishin krijuar lidhje të drejtpërdrejta me punonjës të Policisë së Shtetit.
Një nga episodet kryesore të hetimit lidhet me trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike drejt Greqisë në mars të vitit 2020.
SPAK thotë se hetimet kanë dokumentuar rastin e datës 7 mars 2020, kur përmes Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë u trafikuan drejt territorit grek 1.144.9 kilogramë cannabis sativa e papërpunuar, 4.068 kilogramë cannabis i përpunuar në formë çokollate dhe 0.916 kilogramë cannabis në formë vaji.
Ngarkesa, me një vlerë të përllogaritur rreth 1.7 milion euro, u sekuestrua nga autoritetet greke në Athinë, ndërsa në pranga përfunduan dy shtetas italianë që transportonin drogën.
Fillimisht, dy italianët e arrestuar nuk pranuan të identifikonin organizatorët e ngarkesës, duke pretenduar se droga i përkiste një shtetasi boshnjak që rezultoi inekzistent. Ata deklaruan se kishin pranuar transportin për shkak të borxheve që kishin në Itali.
Megjithatë, sipas SPAK, komunikimet e siguruara më vonë nga platforma e enkriptuar Sky ECC zbuluan se porositësit e vërtetë të ngarkesës ishin shtetasit Kristo Qirici dhe Eldjon Alushaj.
Në këto komunikime, anëtarët e grupit kriminal diskutonin për arrestimin e dy italianëve, sekuestrimin e drogës në Greqi, si dhe për personat që i ndihmonin në Shqipëri për zhvillimin e aktivitetit kriminal.
Roli i ish-efektivit Erdit Hazizaj
Sipas hetimeve, Erdit Hazizaj, i cili gjatë periudhës 2017-2021 ushtronte detyrën e oficerit të policisë pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, kishte krijuar marrëdhënie të afërta me drejtuesit e grupit kriminal.
Prokuroria pretendon se ai u siguronte drejtuesve të grupit informacione dhe këshilla që ndihmonin në shmangien e kontrolleve policore dhe vazhdimësinë e aktivitetit të kundërligjshëm.
Në një prej bisedave të administruara si provë, Hazizaj interesohet për lëvizjet e policisë në zonën e Gjirokastrës dhe Muzinës, një aks i dyshuar si rrugë transporti për lëndën narkotike.
Sipas dosjes hetimore, në një komunikim me Kristo Qiricin ai shprehet: “Po doli një rrugë marrim një 40 mijëshe. Gjynah ta lësh.”
Hetuesit dyshojnë se komunikime të tilla lidhen me përpjekjet për të garantuar kalimin e sigurt të ngarkesave të drogës dhe shmangien e kontrolleve nga strukturat ligjzbatuese.
Po ashtu, nga bisedat e Sky ECC rezulton se Hazizaj kishte kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e grupit kriminal edhe për çështje të tjera, duke demonstruar afërsi dhe komunikim të rregullt me ta.
Një ton kanabis drejt Greqisë
Sipas SPAK, gjatë viteve 2019-2021 në zonën e Sarandës ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Prokuroria identifikon si drejtues dhe organizatorë të dyshuar të grupit shtetasit K.Q., i njohur edhe me disa identitete të tjera. Anëtarët e grupit kishin role të përcaktuara në sigurimin, transportimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.
Sipas SPAK, grupi jo vetëm organizonte aktivitetin kriminal, por kujdesej edhe për mbështetjen ekonomike dhe juridike të anëtarëve të arrestuar.
“Kur anëtarë të grupit arrestoheshin nga agjencitë e zbatimit të ligjit, anëtarët e tjerë interesoheshin për ndihmën ekonomike të personave të arrestuar dhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore”, thuhet në dosjen hetimore.
Një tjetër linjë hetimore lidhet me një grup kriminal që operonte në zonën Tepelenë-Gjirokastër dhe që sipas SPAK drejtohej nga shtetasi L.B.
Ky grup dyshohet se merrej me kultivimin e bimëve narkotike në disa zona të jugut të vendit.
Hetimet kanë dokumentuar episodin e datës 1 tetor 2020, kur policia zbuloi dhe sekuestroi 1.360 bimë narkotike cannabis sativa në rrugën mes fshatrave Dukaj dhe Salari në Tepelenë.
Bimët, me gjatësi nga 30 deri në 120 centimetra dhe peshë totale rreth 1.280 kilogramë, dyshohet se ishin kultivuar nga ky grup kriminal.
Sipas SPAK, drejtuesi i grupit kishte krijuar lidhje me ish-efektivin Shkëlzen Ruska, i cili në atë kohë shërbente në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër.
Prokuroria pretendon se Ruska u siguronte drejtuesve të grupit informacione dhe garanci që lidhen me aktivitetin e tyre kriminal.
“Ai dyshohet se ka ndihmuar drejtuesin e grupit të strukturuar kriminal duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e kundërligjshëm”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Përtej lidhjeve të dyshuara me grupet kriminale, hetimet kanë evidentuar edhe shkelje të rënda të detyrës nga tre ish-efektivët.
Sipas SPAK, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinanaj, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e strukturave policore.
Prokuroria vlerëson se ata nuk kanë marrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale që lidhen me kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve, duke favorizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë grupet kriminale.
“Këto veprime kanë sjellë pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit, kanë cenuar besueshmërinë e Policisë së Shtetit përpara publikut dhe kanë dëmtuar ushtrimin e misionit të saj në garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, thekson SPAK.
Me dorëzimin e dosjes në Gjykatën e Posaçme, pritet që në seancat paraprake të vendoset kalimi i çështjes në gjykim, ku do të shqyrtohen provat e mbledhura nga Prokuroria e Posaçme dhe pretendimet e palëve në proces.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.



























