Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë diskutimeve në Kuvend ngriti shqetësimin e thelluar për mënyrën si po zhvillohet ndërtimi në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Ajo paralajmëroi se sektorit të ndërtimit po i mungon transparenca dhe po shndërrohet në një kanal kryesor për pastrimin e parave dhe fuqizimin e krimit të organizuar.
Tabaku deklaroi se në kryeqytet po jepen leje për ndërtime gjigante, që arrijnë vlera deri në 200 milionë euro, ndërkohë që kompanitë përfituese kanë bilance minimale ose fare. Sipas saj, ky është tregues i qartë i përfshirjes së parave të pista në ekonomi.
“Ka kompani që marrin leje për kulla me vlera marramendëse dhe nuk kanë as kapital, as eksperiencë, as burime financiare të verifikueshme. Si mund të pranohet që kompani me zero bilanc të ndërtojnë projekte që kapin qindra milionë euro” tha Tabaku duke kërkuar që Kuvendi dhe institucionet të mos qëndrojnë duarkryq.
Deputetja u shpreh se rritja e pazakontë e volumit të ndërtimeve nuk përputhet me kapacitetet reale të tregut. Ajo solli në vëmendje shifrat zyrtare që tregojnë se vetëm në Tiranë janë miratuar leje ndërtimi për 1.9 milionë metra katrorë, një shifër që ajo e konsideron të papranueshme për një ekonomi si ajo shqiptare.
“Sistemi bankar nuk mban dot një fluks të tillë. Nuk ka mekanizëm financiar të shëndoshë që ta përballojë. Kjo do të thotë se paraja që po hyn në ndërtim nuk ka burim të pastër” nënvizoi ajo.
Tabaku kujtoi se pastrimi i parave dhe korrupsioni kanë krijuar një cikël të mbyllur që po e destabilizon ekonominë. Sipas saj, dobësimi i euros me rreth 30% është një sinjal i qartë se fluksi i parave të pista ka arritur pikë kritike dhe po dëmton rëndë konkurrencën, bizneset e ndershme dhe të ardhmen ekonomike të vendit.
“Kjo nuk është vetëm çështje korrupsioni. Është çështje sigurie kombëtare dhe ekonomike. Kemi të bëjmë me një model zhvillimi që ushqen krimin dhe varfëron Shqipërinë” u shpreh deputetja.
Tabaku kërkoi ndërhyrje urgjente nga ligjvënësit, duke vënë theksin te masa që sipas saj mund të frenojnë hovin e parave të dyshimta në ndërtim. Deputetja propozoi vendosjen e kritereve të forta financiare për çdo kompani që aplikon për leje ndërtimi, në mënyrë që projektet marramendëse të mos mbështeten mbi bilance fiktive.
Deputetja kërkoi transparencë totale mbi burimin e kapitalit, duke i lënë më pak hapësirë parave të pista të maskohen pas kulleve shumëkatëshe. Tabaku nënvizoi edhe nevojën për hetime të thelluara mbi projektet me risk të lartë, si dhe kufizimin e lejeve për kompanitë që nuk kanë eksperiencë reale në këtë sektor, me synimin për të ndalur fenomenin e ndërtimeve pa bazë financiare e profesionale.
“Duhet të ngremë barriera ligjore për të ndaluar krimin e organizuar të ndërtojë Shqipërinë sipas interesave të veta. Nuk mjafton të themi se është e vështirë apo e pamundur. Ne duhet të reagojmë” përfundoi Tabaku, duke theksuar se institucionet kanë detyrimin të mbrojnë ekonominë dhe qytetarët nga pasojat e një tregu të deformuar nga paratë e pista.
Eriselda është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH). Ajo ka përfunduar studimet universitare në nivel bachelor në Fushën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.
Me përkushtim ndaj gazetarisë hulumtuese, Eriselda fokusohet kryesisht tek çështjet që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe transparencën institucionale.

























