Pas ekstradimit nga Zvicra, Jozi Kraja, 37 vjeç nga Shkodra, u përball sërish me drejtësinë shqiptare. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi të enjten të vijojë masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, duke e lënë të qartë se dyshimet e prokurorisë janë të rënda dhe të qëndrueshme.
Kraja është i akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet se ka planifikuar vrasjen e dy vëllezërve Durim dhe Valter Bami. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se për rreth katër vjet, Kraja ka luajtur një rol kyç në mbledhjen e informacioneve dhe sigurimin e mjeteve materiale që do të përdoren për ekzekutimin e tyre.
Ekstradimi i tij nga Zvicra, më 27 janar, u realizua pas koordinimit të Drejtorisë së Interpol Tiranës me Interpol Bern, duke i hapur rrugë hetimeve të mëtejshme në vend.
Gjykata, në vendimin e saj, theksoi rrezikshmërinë e lartë shoqërore të veprave të dyshuara dhe rolin kyç të tij brenda grupit të strukturuar kriminal.
“Jozi Kraja, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve D.B dhe V.B, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal” – thuhet në vendimin e gjykatës.
Dosja hetimore, e mbështetur në përgjime dhe prova të grumbulluara nga Prokuroria e Posaçme, zbardh një skemë të ndërlikuar kriminale dhe rolin e Krajës në ekzekutimin e dy vëllezërve Bami.
Sipas hetimeve, në planifikimin e vrasjes për dy vëllezërit Valter dhe Durim Bami, të porositur nga ish-deputeti i PS-së, si shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij Aleksandër Ndoka më 09 dhjetor 2017, u përfshinë edhe 14 persona të tjerë, mes tyre Ervis Martinaj, Emiljano Shullazi dhe djali i viktimës, Samuel Ndoka.
Brenda këtij plani ishin të përfshirë rreth 15 persona, secili me role të qarta: nga financuesit dhe organizatorët, te ekzekutorët dhe vëzhguesit. Kraja, sipas hetimeve, kishte rolin e vëzhguesit dhe lokalizuesit.
Por pavarësisht mobilizimit të disa prej emrave më të njohur të botës së krimit, plani për vrasjen e dy vëllezërve ka dështuar. Por për gjykatën, fakti që Kraja ka qenë pjesë e këtij plani kriminal e bën atë një rrezik të lartë për shoqërinë dhe për vijimin e hetimeve.
Materialet procedurale vazhdojnë të shqyrtohen nga autoritetet shqiptare, grupi kriminal ku bënte pjesë Jozi Kraja u zbulua përmes hetimeve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të mbështetura në përgjime të platformës SkyECC dhe koordinim ndërkombëtar mes Interpol Tiranës dhe Interpol Bern.
Hetimet zbardhën strukturën e grupit, rolet e secilit anëtar dhe skemën e përpjekjeve për vrasjen e dy vëllezërve, duke përfshirë financuesit, organizatorët, ekzekutorët dhe vëzhguesit, ndër të cilët Kraja identifikohej si lokalizues dhe bashkëpunëtor logjistik.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.
























