Gjykata e Posaçme ka vendosur dërgimin për gjykim të ish-kryetarit të Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, dhe zv/kryetarit Abedin Kërrnaja, të akuzuar për shpërdorim detyre. Sipas SPAK, të dy dyshohen se kanë bashkëpunuar për hapjen e dy rrugëve të reja duke rrafshuar sipërfaqe pyjore, pa ndjekur procedurat ligjore, duke shkaktuar një dëm ekonomik për shtetin prej rreth 2.7 milionë euro.
“Gjykata e Posaçme, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, vendosi dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 1, viti 2024, në ngarkim të të pandehurve Rexhë Byberi dhe Abedin Kërrnaja, të akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.” – thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Byberi dyshohet se në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime dhe mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
Sipas akuzës, gjithçka ka nisur nga një “projekt-ide” e hartuar nga titullarët e Bashkisë Tropojë, e cila nuk është konsultuar me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për hartimin e raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, as me ministrinë përgjegjëse për vlerësimin e impaktit dhe pasojave që ndërtimi i rrugëve të reja mund të sillte.
Pikërisht kjo mungesë konsultimi dhe shmangie e procedurave ligjore ka çuar, sipas SPAK, në konsumimin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.
Hetimet tregojnë se kjo projekt-ide u materializua pa u zhvilluar procedura konkurruese e tenderimit, pa një plan teknik të miratuar dhe pa u identifikuar pronarët e tokave nëpër të cilat do të kalonin gjurmët e rrugëve. Këto mangësi përbëjnë shkelje të legjislacionit në fuqi për ndërtimet dhe investimet publike.
Prokuroria e Posaçme thekson se, sipas rregullave ligjore, çdo subjekt i interesuar për hapjen e një rruge të re duhet të aplikojë në sistemin elektronik e-leje pranë bashkisë përkatëse. Më pas, Bashkia Tropojë do të duhej të shqyrtonte dhe miratonte kërkesën vetëm pas verifikimit të plotë të dokumentacionit tekniko-ligjor, procedurë që në këtë rast nuk është ndjekur.
Prokuroria e Posaçme paralajmëroi se hetimet mund të zgjerohen edhe për të gjitha investimet infrastrukturore të Bashkisë Tropojë gjatë mandateve të Byberit, vlera e të cilave sipas Open Data Albania arrin mbi 733 milionë lekë.
Rexhë Byberi u zgjodh kryetar i Bashkisë Tropojë fillimisht në zgjedhjet pa garë të vitit 2019. Më parë ai kishte qenë për 15 vjet kryetar i Komunës Margegaj për llogari të Partisë Demokratike, por si kryetar i Bashkisë Tropojë është zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi mbrëmjen e të hënës më 9 shtator 2025 caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” ndaj kryetarit dhe nënkryetarit të Bashkisë së Tropojës, të akuzuar për “shpërdorim detyre”, pasi kanë kryer veprime e mosveprime që konsiderohen si mospërmbushje e rregullt e detyrës, në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.






















