Diplomacia, mes rolit ndërkombëtar dhe imazhit personal

Debati mbi ftesën për Bordin e Paqes nxjerr në pah kufinjtë e rolit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe dilemat mes simbolikës diplomatike, legjitimimit politik dhe interesit shtetëror.

978
Bordi i Paqes
Credits: Facebook i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Në arenën ndërkombëtare, një vend i madh e i fuqishëm, e mat peshën e tij me ekonomi dhe fuqi ushtarake, ndërsa vendet e vogla, për të kompensuar mungesën e dy të parave, përpiqen të bëjnë diplomacinë mjetin kryesor. Edhe Shqipëria, nuk bën përjashtim.

Të qenurit larg kapaciteteve për të marrë pjesë në lojën e “realpolitik”, marrëdhëniet me partnerët e mëdhenj dhe ekspozimi ndërkombëtar janë kthyer në elementë kyç të diskursit, duke ndikuar dhe sjellë debate në mediumet politike e jo vetëm.

Rasti më i freskët, ende kryefjalë e medias është një ftesë e adhur nga Washington-i.

Kryeministri Edi Rama bëri publike ftesën e ardhur nga presidenti i SHBA-së Donal Trump, nëpërmjet së cilës ftohej Shqipëria për të marrë pjesë në “Bordin e Paqes”. Një nismë amerikane e ndërmarrë nga presidenti Trump e cila sipas informacionit zyrtar, po krijohet nga presidenti për të udhëhequr vendosjen e paqes dhe adresimin e konflikteve të mëdha ndërkombëtare, me fokus fillestar konfliktin në Rripin e Gazës dhe më pas zgjerimin e rolit në kriza të tjera globale.

Por, në Shqipëri debati kanalizohet larg konfliktit të Gazës dhe kapacitetit tonë për të ndihmuar në zgjidhjen e tij.

Kjo ftesë, ashtu siç u shpreh dhe Kryeministri Rama “tolloviti Shqipërinë”, duke nxitur debat mbi peshën reale që ajo mbart për vendin tonë dhe nëse bëhet fjalë për një rol substancial në politikën ndërkombëtare, apo për një akt me vlerë kryesisht simbolike, që po përdoret nga kryeministri Rama për avantazh politik.

Personalizimi i diplomacisë dhe roli i liderit

Ratifikimi i marrëveshjes nga Parlamenti për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes
Credits: Parlamenti i Shqipërisë – Ratifikimi i marrëveshjes nga Parlamenti për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes

E ardhur në një moment kur vendi ende po përtypte deklaratën e Departamentit Amerikan të shtetit i cili deklaroi se do të ndalonte procesimin e vizave të emigracionit për 75 vende, përfshirë dhe Shqipërinë, Kryeministri Rama e quajti ftesën e Trump si ftesë nderi, e cila shkonte përtej protokolleve zyrtare dhe mbarte një domethënie politike e historike për rolin e Shqipërisë. 

“Kjo javë nisi me një ftesë, që tolloviti Shqipërinë, përtej protokolleve zyrtare dhe me një domethënie shumë të fortë politike por dhe historike sipas meje për Shqipërinë.” – u shpreh kryeministri në podcastin e drejtuar prej tij.

Por, a është një tregues i vërtetë për peshën e vendit tonë ftesa e dërguar nga Trump, dhe çfarë rëndësie ka ajo për qytetarët shqiptarë?

Profesori i Shkencave Politike, Klejd Këlliçi tha për “shteg.org” se ftesa nuk është tregues për rolin e Shqipërisë. Sipas tij, duke mos përmbushur asnjë kriter nga trinomi përcaktues i rolit që të takon në arenën ndërkombëtare: popullsi-territor-peshë ekonomike, roli i Shqipërisë mbetet i zvetënuar.

“Nuk besoj që ftesa e Trump, është një tregues për rolin e Shqipërisë. Vendet nuk maten për nga madhësia se sa nga çfarë rrezatojnë: fuqi ushtarake, ekonomike apo konjukturale. Vendi ynë nuk posedon asnjë nga këto veti, e për pasojë ka një peshë të kufizuar në këtë lëvizje”.

Për eksperten e Gjeopolitikës, Klodiana Beshku, rëndësia nuk qëndron tek ftesa, por tek vëndet që pranuan të jenë pjesë.

“Pranimi i menjëhershëm i kësaj ftese prej Shqipërisë e konfirmon aleancën e pathyeshme me SHBA-në. Presidenti Trump i ka dërguar ftesë rreth gjashtëdhjetë shteteve, ndaj nuk bëjnë lajm shtetet që janë ftuar, por ato shtete të cilat i janë përgjigjur menjëherë dhe me vendosmëri kësaj ftese, mes të cilave Shqipëria.” – tha për “shteg.org” pedagogia Beshku.

Të qenurit një vend i vogël, ku pranimi apo refuzimi i ftesave të “më të mëdhenjve” janë të parashikueshme, bëri që debati të merrte një prizëm tjetër, lidhur me mënyrën se si kjo ftesë u prezantua në publik nga Kryeministri Rama.

Ekspertë të Shkencave Politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare ngritën shqetësime se ftesa, në fakt po instrumentalizohej nga Kryeministri për të rritur popullaritetin e tij.

Kjo është një qasje e njohur në arenën politike, ku kryesisht drejtuesit e vendeve të vogla përdorin marrëdhëniet me liderët ndërkombëtarë për të forcuar pozitën dhe legjitimitetin e brendshëm të tij, duke glorifikuar “prestigj” në opinionin e qytetarëve që ata udhëheqin.

Profesori Klejd Këlliçi i qëndroi stoik këtij mendimi kur tha për “shteg.org” se Rama po e personalizon ftesën duke e përdorur si formë legjitimimi ndërkombëtar.

“Për pasojë Bordi i Paqes është përdorur, siç ndodh rëndom në Shqipëri, si formë legjitimimi ndërkombëtar. Në sytë e publikut shqiptar, një kabinet qeveritar, dhe një kryeministër, ruan një pozitë kombëtare, me legjitimimin ndërkombëtar. Nuk mjafton pra vetëm legjitimimi i brendshëm. Rama kështu e përdor ftesën si formë legjitimimi i cili perceptohet si forcë në sytë e publikut”.

Shqipëria mes SHBA-së dhe Bashkimit Europian

Kryeministri Edi Rama në Parlament, ditën e ratifikimit të marrëveshjes së Bordit të Paqes
Credits: Kuvendi i Shqipërisë – Kryeministri Edi Rama në Parlament, ditën e ratifikimit të marrëveshjes së Bordit të Paqes

Ftesa e Trump nuk u prit njësoj në të gjitha vendet. Disa shtete kanë zgjedhur të mos e komentojnë, ndërsa disa të tjera, kryesisht vende të Bashkimit Europian, e kanë refuzuar. Shqipëria, si rrallë herë ndoqi një busull tjetër nga vendet e Bashkimit Europian.

Profesori Klejd Këlliçi e lexon këtë zhvillim si tregues të rolit real të Shqipërisë në iniciativën e Bordit të Paqes: nëse pjesëmarrësit e tjerë nuk do të refuzonin apo injoronin ftesën, prania e Shqipërisë do të ishte praktikisht e papërfillshme.

Sipas tij, përgjigjja ndaj iniciativës së Trump ka qenë kryesisht nga vende të vogla ose të mesme, të cilat synojnë të shfrytëzojnë raportet me presidentin amerikan për të përmirësuar pozicionin e tyre politik dhe të shteteve që përfaqësojnë, ndërsa disa nga aktorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë kanë zgjedhur të mos marrin pjesë.

“Iniciativës së Trump, i janë përgjigjur vende të vogla ose të mesme, të cilat mendojnë ta shfrytëzojnë raportin që krijohet me Trump, në dobi të vendeve/regjimeve përkatëse. – i tha “shteg.org” Klejd Këlliçi.

Për politologen Beshku, diskutimet e hapura ishin larg rëndësisë që kjo ftesë duhet të ndizte. Ajo tha se thelbi i diskutimit duhet të lidhej me qëndrimin që Shqipëria mbajti në raport me Bordin e Paqes, kjo edhe nga fakti se pjesa më e madhe e vendeve të BE-së, ku vendi ynë aspiron të aderojë, ka refuzuar ftesën. Por, kjo qasje qëndroi larg parlamentit e medias, duke i dhënë më shumë rëndësi fasadës.

“Të gjitha palët i dhanë më tepër rëndësi seç duhej fasadës, duke e zbrazur diskutimin prej thelbit i cili duhej të ishte: A duhej Shqipëria të aderonte në një organizatë ku pjesa më e madhe e shteteve të BE-së i ishin shmangur ftesës? Si do të veprojë Shqipëria nëse Bordi i Paqes do të marrë vendime që bien ndesh me BE-në apo me NATO-n? – tha ekspertja e gjeopolitikës Klodiana Beshku.

Ndërsa pritet që Trump të vendosë datën e mbajtjes së mbledhjes së parë në Bordin e Paqes, Kryeministri nuk e la këtë rast të ikte, pa e përdorur si favor kundrejt kundërshtarëve politikë.

Në fjalën e tij në Parlament, ai iu drejtua deputetëve të opozitës duke iu thënë se ndryshe nga pritshmëritë e tyre, ai do të shkonte në SHBA i shoqëruar me eskortë, si anëtar i Bordit të Paqes.

“Ju sot do votoni të vërtetën të madhe, se do dorëzohem vetë, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane, që do të më marrin me eskortë, për t’u ulur si anëtar të Bordit të Paqes.” – ishte fjala e tij në Parlament.

Marrëdhënia e kryeministrit Edi Rama me liderët botërorë, ka mbushur jo pak herë gazetat. Fotot e shpërndara, përqafimet e përzemërta, batutat publike e gjestet simbolike si ulja në gjunjë përpara kryeministres italiane Giorgia Meloni, ka tërhequr vëmendje dhe ka ngjallur polemika.

Por pyetja thelbësore mbetet e pandryshuar: a janë përkthyer këto marrëdhënie në përfitime konkrete për Shqipërinë, apo shërbejnë kryesisht për konsolidimin e pushtetit politik të Ramës, në sytë e opinionit publik shqiptar?

Kjo dilemë gjen jehonë edhe në raportin “Money, power, glory” (Para, Pushtet, Lavdi), ku duke përdorur si rast studimor vendet e Ballkanit Perëndimor, autorët argumentojnë se ekspozimi dhe takimet me liderë ndërkombëtarë, shpesh u vijnë më shumë në ndihmë liderëve të vendeve aspirante për të forcuar legjitimitetin dhe pushtetin e tyre të brendshëm, sesa për të prodhuar demokratizim real dhe të qëndrueshëm në vetë vendet që ata drejtojnë.

Për profesorin Këlliçi, Rama është rasti kur një kryeministër më shumë se sa si përfaqësues i shtetit, sillet si përfaqësues i vetes e tij. 

“Vetë artikulimi i Ramës mbi këtë çështje vërteton ç’ka më sipër. Rama nuk sillet si përfaqësues i shtetit, por i vetes së tij. Për momentin diplomacia e Ramës nuk ka sjellë ndonjë benefit të qenësishëm apo përmirësim pozite ndërkombëtare të Shqipërisë”.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.