Për Olën, gazetarinë dhe pistoletat e baltës

590
Ilustrim, gazetaria
Credits: Gazeta Dita - Ilustrim, gazetaria

Përpara disa kohësh, në faqet e kësaj gazete, u botuan shkrime që shënjestronin gazetaren Ola Xama. Rreth tre javë më parë kam vendosur t’i fshij ato përfundimisht nga arkiva.

Nuk është një akt i diktuar nga çekani i ndonjë gjykate mbi tavolinë. Është një vendim që buron ekskluzivisht nga një detyrim i thellë, i brendshëm, ndaj asaj që unë ende besoj se është gazetari.

Kam 30 vite që jetoj me të. Vjen një kohë që duhet të ndalesh nëse pluhuri i rrugës t’i zë sytë.

Ky shënim është një ndjesë për Olën.

Por nuk mund të jetë i plotë pa një reflektim mbi makinerinë e ndotjes. Atë inkub që ndizet për të goditur egërsisht Njeriun, jo Idenë, sapo argumenti i tij bëhet shqetësues. Kjo strategji e vjetër është banale dhe e mjerë. Nëse nuk e rrëzon dot provën, asgjëso provuesin.

Këtë bëri edhe Dita me Olën.

Nuk ka rëndësi nëse shkrimet e fshira rrodhën nga penat tona apo u huazuan nga të tjerë. Në çastin që një fjalë zë vend në këtë hapësirë, ajo mbart vulën e përgjegjësisë sonë.

Ndaj, përmes këtyre rreshtave, dua të bëj një përgënjeshtrim të prerë dhe të plotë. Çdo sulm i hedhur ndaj saj nën logon tonë, ishte një devijim.

Gazetarët si Ola nuk meritojnë baltën, por respektin dhe mirënjohjen e kolegëve dhe të publikut. Respekt e mirënjohje për çdo gazetar që ka kurajon të gërmojë në labirintet e korrupsionit mbytës, që ka ulur sot në gjunjë një vend të bekuar nga Zoti, e të shëmtuar pa mëshirë nga ne që e banojmë.

Ata janë një shpresë përballë gazetarisë së sotme milituese që mban në gjoks një medalje të rëndë turpi. Në vend që të ishte rritja, ka ushqyer për vite me radhë asfiksinë e qytetarisë, pikërisht të kundërtën e misionit.

Të gjithë kemi ndihmuar formimin e një publiku të çoroditur, të ndarë dhimbshëm më dysh. Një pjesë e tij sot hesht i mpirë, sepse ndihet i tradhtuar prej nesh po aq sa prej politikës. Pjesa tjetër është shndërruar në një ushtri militantësh që rrinë gjithnjë gati me pistoleta balte në dorë, për të linçuar këdo që nuk rreshtohet.

Ka mes tyre të paguar që rrahin tastierat nga gjirizet e selive. Por shumica janë njerëz të mirë, që e duan sinqerisht ecjen përpara të këtij vendi. Propaganda e pandërprerë, e pashoqe për nga intensiteti, që të kujton tekstet e Oruellit, e ndihmuar nga gazetaria për të cilën po flas, i ka kthyer shumë prej tyre në ushtarë të pavetëdijshëm të korrupsionit.

Janë mësuar tashmë t’i bëjnë “anatominë” e biografisë kujtdo që nuk u shkon pas fijes kryetarucëve tanë tragjikomikë. Në një bumerang plotësisht të merituar, këtë ‘anatomi’ po e provoj mbi kurrizin tim. Merren me ‘Zeqon’, me ‘Thanën’, me ‘Thanasin’, qëmtojnë çdo germë të emrit tim për ta kthyer në municion e për të zbehur atë që shkruaj, edhe pse bëhet fjalë vetëm për opinione modeste.

Por mjaftojnë për të ngacmuar llogoret e përgjakura virtuale.

Këto llogore të rreme janë një trishtim i thellë. Ato mbajnë gjallë qorrollepsjen pas liderave të paaftë dhe hileqarë. Të paaftë për të ndërtuar një shtet modern, por mjeshtra për të mbajtur popullin të zënë me urrejtje, që ai të mos u shohë dorën që ia kanë futur në xhep.

Këta “lidera” patetikë ushqehen me ndasinë, me urrejtjen që prodhojnë poshtë, ndërsa “lart” ndajnë bashkë hartën e parasë publike.

Nuk ka asnjë luftë “mes të majtës e të djathtës”. Lufta reale, ndoshta ende e padukshme për një pjesë të shoqërisë, është mes Sistemit të Interesit (që është i bashkuar) dhe Qytetarit të Inatosur (që është i përçarë)

Sa për gazetarinë, nuk e di nëse ka ende mundësi të shpëtohet dinjiteti i këtij zanati. Sikushi e ka vetë në dorë të jetë a të mos jetë “ushqim” për këtë kënetë që kërkon të na mbajë të gjithëve në baltë.


Shënim: Ky shkrim u botua në gazetën Dita