Arrestohet zëvendësdrejtori i Kadastrës së Dibrës

Danjel Gjura akuzohet për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh; hetimi për skemën e dyshuar të pronave përfshin edhe zyrtarë të tjerë të Kadastrës.

21
Zv/drejtori i Kadastrës së Dibrës, Danjel Gjura
Credits: Facebook - Zv/drejtori i Kadastrës së Dibrës, Danjel Gjura

Zëvendësdrejtori i Kadastrës së Dibrës, Danjel Gjura, është arrestuar nga policia pas rreth një muaji në arrati, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”, njoftuan autoritetet.

Gjura, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Dibër, u vu në pranga mbrëmjen e së martës.

Arrestimi i tij vjen pas një hetimi të autoriteteve për një skemë të dyshuar të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë në Dibër, ku janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të Kadastrës.

Më 17 qershor, Policia e Dibrës bëri të ditur se kishte zbardhur, pas një hetimi rreth shtatëmujor, një grup veprimesh të dyshuara kriminale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve të pronësisë. Sipas policisë, në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë tetë zyrtarë të tjerë të Kadastrës, si dhe një notere.

Sipas hetimeve të bëra publike nga autoritetet, dokumentet e falsifikuara dyshohet se janë përdorur me qëllim përfitimin e një prone nga shtetasi Teshar Doçi, i cili u arrestua së bashku me një familjar të tij. Gjykata e Dibrës vendosi gjithashtu masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për bashkëshorten e Doçit.

Danjel Gjura është një figurë e njohur në strukturat drejtuese të Kadastrës në Dibër. Ai ka kandiduar edhe për deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 nën siglën e Partisë Socialiste.

Autoritetet shqiptare nuk kanë bërë ende të ditura detaje të plota mbi rolin e secilit prej personave të dyshuar në këtë çështje, ndërsa hetimet vijojnë.

Veç posteve drejtuese në ASHK Dibër, Danjel Gjura kandidoi për deputet në zgjedhjet e vitit 2025 nën siglën e Partisë Socialiste.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.