Rikthehet për gjykim dosja e ish-prokurorit Aurel Zarka

GJKKO e kishte dënuar Zarkën me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm, por Apeli urdhëroi rigjykim me një trupë të re gjykuese.

1467
ish-kryeprokurori Vlorës, Aurel Zarka
Credits: Tema - ish-kryeprokurori Vlorës, Aurel Zarka

Dosja penale ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, do të rikthehet për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), pasi Apeli i Posaçëm vendosi të prishë vendimin e mëparshëm që e dënonte atë me 4 vite burg.

Vendimi u shpall këtë të mërkurë nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila, duke u mbështetur në nenet 428 dhe 429 të Kodit të Procedurës Penale, urdhëroi kthimin e akteve për rigjykim me një tjetër trupë gjykuese.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi prishjen e vendimit nr.36, datë 20.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe kthimin e çështjes në të njëjtën gjykatë me një tjetër kolegj,” thuhet në njoftimin zyrtar të Apelit.

Ky vendim e çon sërish në sallën e gjyqit ish-prokurorin Zarka, i cili u dënua fillimisht nga GJKKO për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Më 20 maj 2025, GJKKO e kishte shpallur fajtor Zarkën dhe e kishte dënuar me 4 vite burg, ndërsa për shkak të kërkesës për gjykim të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke përfunduar në 2 vite e 8 muaj burgim efektiv.

Gjykata vendosi gjithashtu që ai të përjashtohej për 5 vite nga funksionet publike, ndërsa vuajtja e dënimit të niste nga 29 korriku 2024, dita e arrestimit të tij.

Aurel Zarka u përfshi në një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit, atë të njohur si “Toyota Yaris”, që lidhet me zbulimin e 3.4 milionë eurove të padeklaruara në automjete të importuara nga Belgjika në vitin 2018.

Kronologjia e Çështjes
Kliko për më shumë …
2018

Ngjarja “Toyota Yaris”

Në portin e Durrësit zbulohen 3.4 milionë euro të padeklaruara brenda makinave “Toyota Yaris”. Hetimet më vonë zbulojnë lidhje me persona të drejtësisë, përfshirë prokurorin Aurel Zarka.

 7 Shkurt 2024

SPAK hap procedimin penal nr. 26/2024

Regjistrohet hetimi ndaj Aurel Zarkës, Astrit Vladit, Radovan Çelës dhe Eriona Daupajt për korrupsion aktiv, pasiv dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm.

29 Korrik 2024

Arrestohet Aurel Zarka

Me urdhër të Gjykatës së Posaçme, ish-prokurori ndalohet dhe dërgohet në paraburgim. Data e arrestimit shënon fillimin e vuajtjes së dënimit të mundshëm.

30 Dhjetor 2024

SPAK dërgon dosjen për gjykim në GJKKO

Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme çon çështjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë.

4 Janar 2025

Ndarja e akteve

SPAK veçon disa komunikime dhe regjistron procedime të reja penale, ku përfshihen persona të tjerë të drejtësisë që dyshohet se kanë kërkuar ose përfituar përfitime të paligjshme.

20 Maj 2025

Vendimi i GJKKO-së

Gjykata shpall fajtor Aurel Zarkën: Dënohet me 4 vite burg (të ulura në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar).
5 vite përjashtim nga funksionet publike.
SPAK kishte kërkuar dënim me 6.4 vite burg.

15 Qershor 2025

Apelimi i vendimit

Mbrojtja e Zarkës apelon vendimin e GJKKO-së, duke kërkuar shfuqizimin e dënimit dhe rigjykimin e çështjes.

12 Nëntor 2025

Vendimi i Apelit të Posaçëm

Gjykata e Apelit prish vendimin e 20 majit 2025. Rikthen dosjen për rigjykim në GJKKO me një trupë tjetër gjykuese

Sipas SPAK, ish-prokurori i Vlorës në bashkëpunim me Astrit Vladin, Radovan Çelën dhe Eriona Daupajn ka ofruar dhe pranuar përfitime të parregullta për të ndikuar tek funksionarë të drejtësisë në disa procedime penale.

Në kohën e veprimeve të dyshuara, Zarka ushtronte detyrën e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ndërsa Daupaj ishte oficere e policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda.

Hetimet e SPAK përfshinin disa çështje penale që kishin të bënin me grupin “Vladi”, me kërkesa për ndryshime masash sigurimi, ndërhyrje në procedime dhe mosfillime hetimesh.

Në seancat gjyqësore të vitit 2025, SPAK kërkoi për ish-prokurorin Zarka një dënim prej 6.4 vitesh burg, duke e akuzuar për përfshirje aktive në skema ndikimi dhe korrupsioni.

Në vendimin e zbardhur të GJKKO-së, Zarka u gjet fajtor për disa episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe për veprat e korrupsionit aktiv e pasiv në sistemin e drejtësisë.

Në janar 2025, SPAK njoftoi se kishte veçuar një pjesë të akteve të dosjes “Toyota Yaris” dhe kishte hapur procedime të reja penale. Nga komunikimet e përgjuara, janë përmendur personazhe të tjerë me funksione gjyqësore, ndaj të cilëve po vijojnë hetimet për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe korrupsion.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.