Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm për prokurorin Aurel Zarka, lidhur me dosjen e njohur si “Toyota Yaris”.
Sipas njoftimit zyrtar thuhet se, Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit nr. 62 (87-2025-398) datë 12.11.2025 të Apelit të Posaçëm dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim me tjetër trup gjykues. Vendimi i Apelit ishte ankimuar nga SPAK dhe nga vetë i pandehuri, Zarka.
Në shkallën e parë, ish krye-prokurori i Vlorës, Aurel Zarka u shpall fajtor për një sërë akuzash, përfshirë “ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (të kryer tre herë, dy prej tyre në bashkëpunim), “korrupsion aktiv” dhe “korrupsion pasiv” ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë. Për këto akuza, ai u dënua me 4 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 2 vite e 8 muaj burg.
Por gjykata e Apelit, në vendimin e saj, vlerësoi se prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Klodian Braho, kishin gabuar në aktakuzë, duke e ndjekur Zarkën vetëm për “bashkëpunim të thjeshtë” dhe duke kërkuar dënim vetëm 4 vite burg. Sipas Apelit, duhej të ishte ngritur akuzë për “grup të strukturuar kriminal”, çka do të kishte sjellë një dënim më të rëndë.
GJKKO e Apelit theksoi se fakti që Zarka u shpall fajtor për pesë episodet e akuzuara, tre prej të cilave në bashkëpunim me tre të pandehurit e tjerë, përbën një formë të veçantë bashkëpunimi që duhet të konsiderohet grup i strukturuar kriminal.
Apeli argumentoi se bashkëpunimi konstatohet në raste si ndikimi i paligjshëm për zëvendësimin e masave të sigurimit në çështjen “Toyota Auris” dhe në mosfillimin e procedimit/hetimit pasuror.
Megjithatë, Apeli nuk mundi të vendosë një dënim më të rëndë se ai i shkallës së parë, sepse Kodi i Procedurës Penale parashikon se “Apeli nuk mund të japë dënim më të rëndë kur ankimues është vetëm i pandehuri”. Në këtë çështje, vetëm Zarka e kishte ankimuar vendimin, ndërsa Prokuroria e Posaçme e kishte konsideruar të drejtë dënimin e dhënë.
Pas vendimit të Apelit, Zarka bëri rekurs në Gjykatën e Lartë duke kërkuar prishjen e vendimit të GJKKO-së. Ai argumentoi se Apeli nuk mund t’ia rëndonte situatën penale dhe se procesi kishte shkelur të drejtat e tij.
Sipas hetimeve, Zarka dhe të tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në disa dosje penale që po hetoheshin në prokurori të ndryshme, kryesisht për çështje të krimit të organizuar si pastrimi i parave dhe kultivimi i narkotikëve.
Një prej dosjeve më të njohura është “Toyota Auris”, e regjistruar pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove cash të fshehura në dy makina të importuara nga Belgjika.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























