Lumenjtë e Ballkanit po humbin shpejt natyrshmërinë e tyre, ndërsa një raport i ri ndërkombëtar tregon se pjesa e lumenjve pothuajse natyrorë është ulur nga 30% në vitin 2012 në vetëm 23% në vitin 2025. Ky zbulim vjen pas një vlerësimi gjithëpërfshirës hidromorfologjik të rajonit, i cili ka analizuar 83,824 kilometra lumenj në 11 vende.
Raporti “Statusi Hidromorfologjik i Lumenjve të Ballkanit 2025”, i hartuar nga Dr. Ulrich Schwarz i institutit Fluvius Vienna dhe i financuar nga organizatat EuroNatur dhe Riverwatch, tregon se në 13 vitet e fundit janë humbur rreth 2,450 kilometra lumenj pothuajse natyrorë, ndërsa shtrirjet e lumenjve të modifikuar rëndë janë rritur.
“Tendencat afatgjata të dokumentuara në këtë studim tregojnë një ‘tkurrje’ të shtrirjeve pothuajse natyrale të lumenjve në Ballkan, të krijuara kryesisht nga barrierat dhe ndërhyrjet e mëdha në lumenj,” thotë Dr. Schwarz.
Ai paralajmëron se megjithëse Ballkani ende ka një pjesë të konsiderueshme lumenjsh të paprekur, ritmet e degradimit janë në rritje dhe po krijojnë një hendek të madh mes praktikave të zhvillimit dhe standardeve mjedisore të kërkuara nga Bashkimi Europian.
Shqipëria, vendi me degradimin më të madh

Sipas raportit, Shqipëria ka përjetuar degradimin më të shpejtë të lumenjve në Ballkan. Shtimi i hidrocentraleve, rregullimet e pakontrolluara të lumenjve, marrja e ujit dhe ndërhyrjet në zonat e përmbytjes kanë transformuar peizazhin lumor të vendit me një shpejtësi të paprecedentë.
“Ndërsa Shqipëria ka mbrojtur me sukses lumin Vjosa dhe disa degë të saj, të tjera degë lumenjsh janë degraduar gjatë dekadës së fundit sesa në çdo vend tjetër të Ballkanit,” thotë Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch.
Ai thekson se kjo duhet të jetë një “këmbanë alarmi” për qeverinë shqiptare, veçanërisht në kontekstin e aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Raporti tregon se zhvillimi i hidroenergjetikës mbetet faktor kryesor i degradimit të lumenjve në Ballkan. Impiante të grumbullimit të ujit (impoundments) janë rritur me 18% që nga viti 2012, duke kaluar nga 2,224 km në 2,626 km. Lumenjtë e mëdhenj mbeten më të prekur, ndërsa përrenjtë e vegjël malorë janë ende në gjendje më të mirë, por presionet po përhapen edhe atje.
Sipas raportit, 23% e lumenjve të mëdhenj të vlerësuar mbeten pothuajse natyrorë, ndërsa 43% janë lehtë të modifikuar. 27% janë modifikuar nga mesatarisht deri në mënyrë të gjerë, dhe 7% janë modifikuar rëndë, kryesisht për shkak të impoundments. Ndryshimet më të mëdha janë regjistruar në basenet e Drinës, Neretvës, Vardarit/Axios, Devollit dhe Drinit.
Megjithatë, raporti thekson se përpjekjet për ruajtje kanë arritur të mbrojnë rreth 900 km lumenj, kryesisht përmes ndalimit të projekteve hidroenergjetike dhe shpalljes së zonave të mbrojtura. Shpallja e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa konsiderohet si një nga arritjet më të rëndësishme të ruajtjes në rajon.
Annette Spangenberg, Drejtuese e Programit për Ujërat e Ëmbla në EuroNatur, thotë se dritarja për mbrojtjen e lumenjve po mbyllet me shpejtësi.
“Ballkani ende mban disa nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, por mbrojtja e tyre tani kërkon guxim politik, vendimmarrje të bazuar në shkencë dhe një ndryshim të qartë larg praktikave shkatërruese.”
Raporti bën thirrje për masa urgjente dhe të koordinuara, duke kërkuar forcimin e mbrojtjes kombëtare dhe europiane përmes legjislacionit dhe zgjerimit të zonave të mbrojtura, ndalimin e zhvillimit shkatërrues të hidroenergjetikës (sidomos në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë), vendosjen e monitorimit sistematik dhe vlerësimeve hidromorfologjike harmonizuese si parakusht për anëtarësimin në BE, restaurimin e lumenjve të dëmtuar (përfshirë heqjen e barrierave dhe rilidhjen e zonave të përmbytjes) dhe prioritizimin e natyrës dhe qëndrueshmërisë klimatike përmes menaxhimit të përmbytjeve dhe thatësirave bazuar në ekosisteme.
Shënim: Ky publikim, është mundësuar me mbështetjen financiare të projektit GreenAL, i zbatuar nga Co-PLAN, COSV dhe VIS Albania. Pikëpamjet dhe përfundimet e përfshira këtu nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë Suedeze ose të Sida-s, Agjencisë Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim (Sida).
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























