Si u hakuan email-et e SPAK dhe u shpërndanë dosjet e politikës

Dosjet sekrete që përfshinin SMS, relacione, urdhra ndalimi dhe dokumente për hetime ndaj zyrtarëve të lartë u shpërndanë nga Gjoni dhe Ismaili tek persona të tretë, përfshirë miq dhe gazetarë.

632
Hakërimi i SPAK
Credits: shteg.org - Hakërimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre ish-zyrtarë shtetërorë, të akuzuar për ndërhyrje të paligjshme në sistemet kompjuterike të SPAK dhe përvetësim të materialeve hetimore sekrete. Të pandehurit janë Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, ndaj të cilëve SPAK ka ngritur akuzat për “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike”, “Zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. 

Sipas dosjes hetimore, hakerimi ka nisur më 13 mars 2025, kur Arnold Rrokaj, ish-punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Vlorë, “nga kurioziteti”, siç ka deklaruar vetë, tentoi të hyjë në faqen zyrtare të SPAK dhe më pas arriti të aksesojë emailet e tre drejtuesve të sistemit gjyqësor duke përdorur fjalëkalimin “Spak@2019”. Përmes këtij aksesi, ai siguroi materiale hetimore konfidenciale, përfshirë dokumente që lidhen me hetime ndaj Arben Ahmetajt, Damian Gjiknurit, si dhe dokumente të tjera si relacione hetimore, urdhra ndalimi dhe letërporosi ndërkombëtare.

Si u rrëzua sistemi me “Spak@2019”

Spak Email Attack
Credits: shteg.org – Spak Email Attack

Gjithçka nisi natën e 13 marsit 2025, kur Arnold Rrokaj, atë kohë ish-punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Vlorë, “nga kurioziteti” vendosi të provonte të hynte në faqen zyrtare të SPAK. Pa ndonjë plan të qartë, ai tentoi disa kombinime fjalëkalimesh dhe, siç ka pranuar më pas para hetuesve, arriti të aksesojë emailet e tre drejtuesve të sistemit gjyqësor duke përdorur një fjalëkalim të thjeshtë: “Spak@2019”.  Në atë moment, Rrokaj kuptoi se kishte përpara materiale hetimore konfidenciale dhe dokumente që nuk duhej t’i shihte askush jashtë institucionit.

Dokumentet e para që ai pa, sipas dëshmive, kishin të bënin me materiale hetimore sensitive: biseda të përgjuara, relacione dhe urdhra ndalimi. Mes tyre kishte edhe materiale që lidhnin hetime ndaj emrave të njohur të politikës dhe administratës, si Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri. Rrokaj nuk i mbajti këto dokumente vetëm për vete. Sipas hetimeve, ai ia përcolli materialet Zambak Gjonit, ish-drejtor juridik pranë IKMT-së, duke i dërguar dokumentet në formë linkesh dhe skedarësh, madje në një rast edhe një fjalëkalim që, sipas tij, lejonte akses në përgjime të komunikimeve në platformën SkyECC.

Zambak Gjoni, ka pranuar se një pjesë të materialeve ia ka shpërndarë miqve të tij, përfshirë dy gazetarë, ndërsa kontaktin më të vazhdueshëm e kishte me Agim Ismailin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

“Një natë, Zambaku më solli një material të cilin unë e shpërndava, pasi mendova se ishte një lajm i dalë në media” i deklaroi Ismaili prokurorëve duke pohuar se fillimisht nuk e kuptoi rëndësinë e dokumenteve, duke thënë se materialet që i sillte Gjoni i trajtonte “me humor”.

Megjithatë, sipas SPAK, interesimi i tij u bë gjithnjë e më specifik, deri në kërkesën për të “gërmuar te SPAK-u, mos ka gjë për Ulsiun”, një orientim që, sipas grupit hetues, tregon se rrjedhja e informacionit nuk ishte më rastësi, por një veprimtari e ndërgjegjshme dhe e koordinuar.

Rrjedhja e materialeve nuk mbeti në nivelin e një shkëmbimi të izoluar. Sipas dosjes hetimore, dëshmitë e personave të tjerë të pyetur nga SPAK tregojnë se dokumentet sekrete qarkullonin në mënyrë të përsëritur, përmes kanaleve informale dhe grupeve të mbyllura në WhatsApp.

Tre prej lidhjeve shoqërore të Zambak Gjonit kanë deklaruar se ishin pjesë e një grupi të përbashkët, ku vetë Gjoni dërgonte “informacione që i lexonim apo i shikonim, por nuk i kemi shpërndarë te persona të tretë”. Sipas tyre, materialet kishin natyrë hetimore dhe përmbanin të dhëna që nuk ishin publikuar më parë në media, çka ngriti dyshime për origjinën e tyre.

Ndërkohë, vetë Zambak Gjoni ka pranuar para hetuesve se interesi për materiale të tilla kishte nisur shumë përpara se të zbulohej hakerimi i SPAK në muajin shkurt. Në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se në komunikimet me Agim Ismailin kishin diskutuar shpesh për mundësinë e ekzistencës së procedimeve penale ndaj funksionarëve të lartë të përfolur në media.

“Duke menduar se mund të kishte procedime penale në hetim edhe për funksionarë të lartë, në komunikimet e mia me shtetasin Agim Ismaili i kam thënë këto fjalë… nuk më kujtohet, por edhe mund ta kem pyetur Arnoldin nëse kishte materiale për shtetasin Ulsiu”, ka deklaruar Gjoni, duke shtuar se informacionet e marra ia kishte kaluar më pas edhe Ismailit.

Agim Ismaili, nga ana e tij, ka mohuar çdo përfshirje në përgjimin e paligjshëm të emaileve të SPAK. Ai ka pranuar njohjen me Zambak Gjonin që nga viti 2019 dhe faktin se kishte rënë në kontakt me materiale hetimore përmes tij, por ka këmbëngulur se nuk kishte dijeni për burimin e tyre real.

Në lidhje me bisedat ku kërkohej orientim për emrin e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Ismaili ka deklaruar se ato ishin “në kuadrin e shakasë”.

Megjithatë, sipas SPAK, ky shpjegim bie ndesh me kontekstin e komunikimeve dhe me faktin që interesimi i tij ishte i vazhdueshëm dhe i drejtuar, çka përforcon dyshimin se kërkimi i materialeve ishte i motivuar nga arsye personale, të lidhura me shkarkimin e tij nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Në këtë mënyrë, sipas organit të akuzës, historia e hakerimit nuk përfundon me një akses të rastësishëm në emailet e SPAK, por shndërrohet në një zinxhir veprimesh të koordinuara: nga depërtimi fillestar i Arnold Rrokajt, te përzgjedhja dhe shpërndarja e materialeve nga Zambak Gjoni, e deri te interesimi i drejtpërdrejtë dhe orientimi i kërkimeve nga Agim Ismaili. Një zinxhir që, sipas SPAK, përbën elementët e një veprimtarie të strukturuar dhe të qëllimshme për përvetësimin dhe qarkullimin e të dhënave hetimore sekrete.

Për organin e akuzës, fakti që dokumentet sekrete u përvetësuan dhe më pas u shpërndanë në mënyrë të qëndrueshme tek persona të ndryshëm, tregon se ky nuk ishte një incident i thjeshtë i një përdoruesi të pakujdesshëm, por një skemë me rrjedhje të qëllimshme të informacionit.

Nga ana tjetër, depërtimi i Arnold Rrokajt në sistemin e SPAK dhe përdorimi i fjalëkalimit “Spak@2019”, i konsideruar shumë i dobët, ngrin shqetësime të mëdha për sigurinë e informacionit në institucionet e drejtësisë.

Nga ana tjetër, SPAK ka deklaruar se hakerët nuk kanë arritur të depërtojnë në sistemin e përgjithshëm të IT-së apo në dosjet hetimore, por vetëm në adresat e email-it të disa prokurorëve. Megjithatë, vetë institucioni pranon se rrjedhja e dokumenteve ishte e mundur dhe se disa informacione janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme.

Pas sulmit të ndodhur më 12 mars 2025, SPAK thotë se ka ndërmarrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse, pa dhënë detaje konkrete mbi përgjegjësitë institucionale për mangësitë e konstatuara.

Përgjimi i paligjshëm me mjete teknike i transmetimeve jopublike, i të dhënave kompjuterike nga/ose brenda një sistemi kompjuterik, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.