Sekuestrohen pasuri me vlerë 400 mijë euro

Gjykata e Vlorës vendos sekuestron preventive të apartamenteve, automjeteve dhe njësi shërbimi. Rrokaj pritet të ekstradohet në Itali.

572
Grupet kriminale shqiptare
Credits: shteg.org - Grupet kriminale shqiptare

Disa apartamente në Vlorë dhe Tiranë, një njësi shërbimi dhe tre automjete luksoze, me një vlerë totale prej rreth 400 mijë eurosh, janë sekuestruar nga Prokuroria e Vlorës, si pasuri që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, pasuritë i përkasin shtetasit Arjan Rrokaj dhe familjarëve të tij dhe nuk justifikoheshin nga të ardhura të ligjshme. Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat përfshijnë apartamente, njësi shërbimi (garazh/zyrë) si dhe automjete të markave “Toyota”, “Volvo” dhe “Mercedes-Benz”.

Hetimet janë kryer në kuadër të procedimit penal nr.1125 të vitit 2020, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në vijim të hetimeve rezulton se Arjan Rrokaj, 40 vjeç, ishte dënuar më parë nga Gjykata e Breshias në Itali me 8 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua në mars të vitit 2025 në Vlorë, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Arrestimi u realizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, pas shkëmbimit të informacionit me Policinë italiane, ndërsa Rrokaj u ndalua me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e tij, për vuajtjen e plotë të dënimit.

Suada Xhameta
+ posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.

Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.