Projektvendimi i qeverisë parashikon për herë të parë aplikimin e çmimeve fiskale të referencës për shitblerjen e ndërtesave dhe apartamenteve edhe në zonat rurale, duke përfshirë fshatrat në hartën zyrtare të çmimeve të referencës. Me këtë ndryshim, numri i zonave kadastrale në të gjithë vendin rritet në 176, nga 65 që janë aktualisht në fuqi.
Sipas tabelave dhe hartave digjitale të përgatitura nga grupi i punës, për zonat rurale bregdetare çmimet më të larta të referencës janë propozuar për vijën e parë të ndërtimit. Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj renditen në krye të listës, me çmim reference 190 mijë lekë për metër katror për vijën e parë bregdetare.
Në Durrës, për zonën rurale (duke përfshirë edhe Lalzin dhe Hamallajn), çmimi i referencës është propozuar 67,500 lekë/m², i njëjti me çmimin aktual për qytetin e Durrësit. Në Golem, çmimi i referencës për vijën e parë bregdetare është propozuar 75 mijë lekë/m².
Në Himarë, për vijën e parë bregdetare të fshatrave Dhërmi dhe Palasë, çmimi i referencës është propozuar 140 mijë lekë/m². Për zonën pas vijës bregdetare të Dhërmit dhe Palasë, përfshirë vijën e parë të Vunos dhe zonën periferike të Himarës, çmimi i referencës është propozuar 100 mijë lekë/m². Në zonën që përfshin Himarën qytet dhe fshatrat Potam dhe Livadh, çmimi i referencës është propozuar 81 mijë lekë/m².
Në Sarandë, zona bregdetare e Ksamilit dhe vijës së parë të Sarandës është me çmim reference 100 mijë lekë/m². Për fshatrat Gjashtë, Metoq, Çukë, Shelegar, Ksamil (përfshirë zonën pas vijës bregdetare), çmimi i referencës është propozuar 56 mijë lekë/m², i barabartë me çmimin aktual të qytetit të Sarandës.
Në Vlorë, çmimi i referencës për vijën bregdetare të fshatrave Radhimë dhe Orikum është propozuar 90 mijë lekë/m². Zonat rurale pas vijës bregdetare të Vlorës (përfshirë fshatrat Dukat, Tragjas, Babicë e Madhe, Nartë, Zvërnec, Novoselë, Sazan etj.) kanë çmim reference 61,800 lekë/m², i njëjti me çmimin aktual të qytetit të Vlorës.
Në veriun e vendit, për vijën bregdetare të Velipojës, çmimi i referencës është propozuar 75 mijë lekë/m², ndërsa për zonat pas vijës bregdetare të Velipojës çmimi i referencës është propozuar 58 mijë lekë/m² (i barabartë me çmimin aktual të qytetit të Shkodrës). Për fshatrat Tale të Lezhës dhe Shëngjin, çmimi i referencës është propozuar 70 mijë lekë/m².
Projektvendimi parashikon që zonat rurale, veçanërisht ato bregdetare, të ndahen në disa zona kadastrale, ku vija e parë bregdetare do të ketë çmime reference më të larta se zonat në brendësi të fshatit. Kjo praktikë deri tani është përdorur vetëm për Tiranën.
Sipas projektvendimit, bashkitë do të zbatojnë çmimet e reja të referencës për llogaritjen e taksës së ndërtesës dhe taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa mundësi reduktimi për zonat rurale, siç ndodhte më parë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.






















