Punimet në Pishë Poro-Nartë ngrenë alarmin e mjedisorëve

PPNEA dhe EuroNatur denoncojnë mungesën e transparencës dhe dëmet ndaj ekosistemit, ndërsa kërkojnë monitorim më të fortë nga Bashkimi Europian.

350
Punimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë
Credits: PPNEA - Punimet në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë

Organizatat mjedisore kanë ngritur sërish shqetësime lidhur me punimet që po zhvillohen në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, duke akuzuar institucionet për mungesë transparence dhe shkelje të standardeve mjedisore. Gjatë një konference për shtyp, përfaqësues të Organizatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe organizatës gjermane EuroNatur deklaruan se projekti po zbatohet pa informim publik dhe pa dokumentacion të aksesueshëm për qytetarët dhe grupet e interesit.

Sipas drejtorit ekzekutiv të PPNEA-së, Aleksandër Trajçe, punimet në terren po zhvillohen me intensitet të lartë, ndërsa në zonë janë evidentuar gropa të mbushura me beton dhe ndërhyrje që, sipas tij, paralajmërojnë ndërtimin e një rrethimi masiv përgjatë plazheve mes lagunës së Nartës dhe detit Adriatik.

Ai theksoi gjithashtu se qasja e publikut në këtë hapësirë po kufizohet dhe se aktivistët janë përballur me sjellje agresive gjatë përpjekjeve për të monitoruar situatën në terren.

Mjedisorët pretendojnë se punimet po kryhen mbi bazën e një lejeje dhe një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis (VNM), por këto dokumente nuk janë bërë publike. PPNEA ka kërkuar zyrtarisht informacion nga institucionet përgjegjëse dhe është ende në pritje të përgjigjeve të plota lidhur me projektin.

Nga ana tjetër, drejtuesja e programeve të konservimit pranë EuroNatur, Annette Spangenberg, deklaroi se mungesa e transparencës është shqetësuese dhe se Bashkimi Europian duhet të monitorojë nga afër zhvillimet në këtë zonë të mbrojtur. Ajo bëri thirrje për rritje të presionit ndaj autoriteteve shqiptare me qëllim ndalimin e punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës.

Edhe drejtori i politikave në PPNEA, Zydjon Vorpsi, kritikoi mënyrën se si po zhvillohet projekti, duke e cilësuar atë si një proces “në errësirë”, pa tabela informuese dhe pa komunikim publik. Sipas tij, ndërhyrjet po shkaktojnë dëme serioze në ekosistem, ndërsa dunat e rërës, të krijuara ndër shekuj, po zhduken me shpejtësi.

Aktivistët mjedisorë paralajmërojnë se punimet po kryhen në një periudhë shumë sensitive për biodiversitetin e zonës, pasi përkon me sezonin e riprodhimit të shumë specieve të faunës së egër. Ata theksojnë se vazhdimi i ndërhyrjeve mund të sjellë pasoja të rënda dhe të pakthyeshme për habitatet natyrore të Pishë Poro-Nartës.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.