
Gjykata Kushtetuese njoftoi të mërkurën se shqyrtimi paraprak i kërkesës së kryeministrit Edi Rama për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku do të mbahet më 12 dhjetor 2025.
Gjykata njoftoi se vendimi për shtyrjen e kërkesës së qeverisë lidhet me “kompleksitetin e çështjes, volumin e materialeve shoqëruese, agjendën e Gjykatës si dhe kërkesën e disa prej anëtarëve të saj.
“Gjykata informon se shqyrtimi paraprak i çështjes nga Mbledhja e Gjyqtarëve do të bëhet në datën 12.12.2025 për shkak të kompleksitetit të çështjes, volumit të materialeve shoqëruese, agjendës së Gjykatës si dhe mbështetur në kërkesën e disa prej anëtarëve të saj,” thuhet në njoftim.
Çështja “Balluku” iu kalua Mbledhjes së Gjyqtarëve pasi Kolegji i Gjykatës Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim unanim për pranimin ose rrëzimin e padisë së paraqitur nga Kryeministri.
Më 12 dhjetor, gjykata pritet të vendosë për ligjshmërinë e kërkesës së qeverisë përfshirë edhe kërkesën për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), e cila pezulloi nga detyrat ekzekutive zëvendëskryeministren Belinda Balluku, deri në përfundimin e gjykimit të çështjes në themel.
Në thelb të kërkesës së Ramës drejtuar Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm kërkesa për ‘rikthimin’ e Ballukut në detyrë, por edhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës mes qeverisë dhe Gjykatës së Posaçme lidhur me të drejtën për pezullimin e një ministri në detyrë.
Që prej dorëzimit të kërkesës, Kryeministri Rama ka shtuar presionin publik ndaj institucioneve të drejtësisë, duke e konsideruar pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar si “precedent unik dhe të rrezikshëm”.
Nga ana tjetër, vendimi i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut dhe ndalimin e udhëtimit jashtë vendit u mor pasi Balluku u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, nën dyshimin e manipulimit të dy procedurave me vlerë 210 milionë euro, në bashkëpunim me disa vartës të saj të ngushtë.
Kryeministri e ka quajtur vendimin “absurd” dhe me “pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik”.
Ai ka argumentuar se masa e pezullimit po bllokon punën normale të qeverisë, duke sjellë si shembull pamundësinë për të përfunduar nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe me Kanadanë për nisjen e fluturimeve transoqeanike. Sipas Ramës, kompetencat ekskluzive që Kushtetuta i njeh ministrit nuk mund të delegohen, dhe për pasojë, çdo veprim që kërkon firmën e Ballukut është i bllokuar.
“Nuk mund të vijojë procedura e miratimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa Kushtetuta ia jep ministrit, dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër,” shkroi Rama në platformën “X”.
Përveç marrëveshjes me Kanadanë, Rama shkruan se në pritje të firmës së ministres janë edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndër to 18 që lidhen me procesin e rindërtimit. Sipas tij, çdo ditë e zgjatjes së pezullimit shton listën e punëve të bllokuara, duke krijuar pasoja konkrete për administrimin dhe shërbimet publike.
“Ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm aktet për rindërtimin janë 18, që mbeten të pezulluara bashkë me ministrin,” deklaroi Rama.
“Çdo ditë që pezullimi zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara.” – shkruan Rama.
Me vendim të GJKKO-së, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë territorit të Shqipërisë.
Zëvendëskryeministrja u mor e pandehur me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. SPAK pretendon se ajo ka ndjekur dhe kontrolluar çdo hap të projektit, me vlerë rreth 190 milionë euro, dhe ka paracaktuar fituesin në kundërshtim me kriteret standarde të prokurimit publik. Projekti konsiderohet një nga më të shtrenjtët në pesë vitet e fundit në infrastrukturën e vendit.
Tenderi i dytë në të cilin Balluku është gjetur përgjegjëse është ai i Lotit 4 të Unazës së Jashtme Tiranë në vitin 2021, me fond limit 2 miliardë lekë pa TVSH, të zhvilluar nga ARRSH. Sipas SPAK, ka rezultuar se dhe në këtë rast, Balluku ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik të zhvilluar nga ARRSH, institucion në varësi të ministrisë që ajo drejton.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.

























