
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndryshime në legjislacion, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku. Kërkesa u artikulua gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste më 9 shkurt 2026, ku u diskutua situata e krijuar pas konfliktit institucional dhe bllokimit të procesit në Kuvend.
Qëndrimi i kryeministrit u bë publik përmes një postimi në rrjetin social “X”, ku ai theksoi se funksionet kushtetuese të padelegueshme nuk mund të pezullohen mbi bazën e një rasti individual, pasi një veprim i tillë paralizon vetë institucionin.
“Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër i përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai ose ajo drejton,” – shkruan Rama.
Sipas burimeve nga Grupi Parlamentar Socialist, mazhoranca do të angazhohet për të gjetur një zgjidhje ligjore përmes ndryshimeve në legjislacion, duke shfrytëzuar shumicën prej 83 mandatesh që Partia Socialiste ka në Kuvend pas zgjedhjeve të 14 majit 2025.
Socialistët vlerësojnë se nuk ka urgjencë për trajtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, pavarësisht afateve procedurale që po afrojnë. Sipas këtij qëndrimi, SPAK mund të vijojë hetimet pa asnjë pengesë, ndërsa çdo kërkesë tjetër do të trajtohet vetëm pas adresimit ligjor të çështjes.
Gjykata Kushtetuese, në mbrëmjen e 6 shkurtit 2026, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të shqyrtuar ankesën e kryeministrit Edi Rama lidhur me konfliktin e kompetencave në rastin Balluku. Me katër vota pro dhe katër kundër, ankesa nuk u pranua, duke lënë në fuqi pezullimin e zëvendëskryeministres nga detyra.
Pavarësisht këtij vendimi, deri më 9 shkurt Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili duhet të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Ky këshill është mbledhur dy herë pa prodhuar një raport për seancën plenare. Mbledhja e parë u shty për shkak të volumit të lartë të dokumentacionit, që përmban mbi 10 mijë faqe. Ndërsa mbledhja e dytë, e mbajtur më 28 janar 2026, u shty pa afat, me argumentin se po pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për konfliktin e kompetencave.
Edhe pas shpalljes së qëndrimit të Kushtetueses më 6 shkurt, Këshilli i Mandateve nuk është mbledhur sërish, duke lënë procesin të bllokuar.
Sipas neneve 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit, Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve ka detyrimin të hartojë brenda dy javësh një raport për seancën plenare, ku rekomandohet miratimi ose rrëzimi i autorizimit për masa sigurie, si arrest me burg, arrest shtëpie apo kontrolle personale dhe të banesës.
Rregullorja parashikon gjithashtu se, nëse Kuvendi nuk merr një vendim brenda tre muajve nga depozitimi i kërkesës, ajo shfuqizohet automatikisht.
SPAK kërkoi më 16 dhjetor 2025 heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku me synim arrestimin e saj. Deri më sot kanë kaluar 56 ditë, duke i lënë Kuvendit edhe 34 ditë për të vendosur. Nëse brenda këtij afati nuk merret një vendim, kërkesa e SPAK do të rrëzohet automatikisht.
Në këto kushte, fati i çështjes Balluku mbetet i varur nga vullneti politik për të mbledhur Këshillin e Mandateve dhe nga afatet procedurale të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.

























