Gjykata gjobit avokatët e Emiljano Shullazit

Mungesa e përsëritur e mbrojtësve ka detyruar gjykatën të marrë masa disiplinore, për të mos pezulluar procesin gjyqësor ndaj të pandehurve të akuzuar për vrasjen e Klodian Saliut dhe ish-biznesmenit Vajdin Lamaj.

693
Emiliano Shullazi
Credits: Policia e Shtetit - Emiliano Shullazi

Mungesa e përsëritur e avokatëve mbrojtës të Emiljano Shullazit ka detyruar Gjykatën e Posaçme të marrë masa disiplinore, duke vendosur gjoba për të dy mbrojtësit, për të mos pezulluar procesin gjyqësor ndaj të pandehurve të akuzuar për vrasjen e Klodian Saliut dhe ish-biznesmenit Vajdin Lamaj.

Të pandehur për dy vrasjet e bujshme të vitit 2005 janë Lulzim Berisha, Indrit Rusi, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi dhe Imdrit Tallau. Kundër tyre janë ngritur akuzat e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Mungesa e përsëritur e avokatit mbrojtës Edvis Gorishti për herë të disa­të solli shtyrjen e seancës për datën 16 shkurt 2026.

Njëri nga prokurorët e çështjes, Alfred Shehu, kërkoi që gjykimi të vijojë edhe në mungesë të dy avokatëve mbrojtës të Shullazit. Ai kërkoi gjithashtu marrjen e masave ndaj avokatit Gorishti, me argumentin se nuk është paraqitur në asnjë seancë dhe po bëhet pengesë për vijimësinë e procesit gjyqësor.

Gjykata, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, vendosi gjobitjen e dy avokatëve të Emiljano Shullazit. Për avokatin e zgjedhur prej tij, Edvis Gorishti, u vendos gjobë 5 mijë lekë të reja, ndërsa për avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata, u vendos gjobë 30 mijë lekë të reja.

Hetimet e SPAK zbuluan një rrjet të strukturuar kriminal që kishte planifikuar dhe ekzekutuar atentatet në Durrës dhe Tiranë më 26 dhe 27 shkurt 2005, ku humbën jetën Klodian Saliu, Vajdin Lamaj, Osman Truma dhe Artan Arsi.

Sipas dëshmisë së Recit, ai tregoi se ekzekutimi i Saliut u organizua nga Lul Berisha, ndërsa ekzekutimi i Lamës u planifikua nga Shullazi me përdorimin e tritolit C4. Operacioni kriminal u shtri në tre qytete – Tiranë, Vlorë dhe Durrës – dhe u zbardh pjesërisht vetëm falë bashkëpunimit të Recit me drejtësinë.

Ngjarja e parë ndodhi më 26 shkurt, rreth orës 22:00, në segmentin rrugor Durrës–Maminas, pranë fshatit Koxhaj, ku Klodian Saliu u qëllua me armë dhe mbeti i vdekur. Ngjarja e dytë ndodhi më 27 shkurt, rreth orës 23:50, kur një shpërthim me lëndë plasëse në pallatin ku banonte viktima shkaktoi vdekjen e Vajdin Lamajt.

Akuzat e ngritura nga SPAK ndaj të pandehurve rrezikojnë dënime nga 25 vite deri në burgime të përjetshme.

Prej muajit prill 2016, Emiljano Shullazi është arrestuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda lidhur me akuzat për gjobëvënie ndaj disa biznesmenëve, përfshirë këtu dhe Ylvi Beqaj.

Për këtë ngjarje Shullazi është dënuar me 14 vite burgim, ndërsa katër bashkëpunëtorët e tij, përfshirë dhe Gilmando Danin, kanë marrë dënime më të ulëta. Por, teksa vuante këtë dënim, Prokuroria e Posaçme SPAK ka hapur një dosje të dytë kundër Shullazit, duke e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe shoferit të tij, Artan Arsi.

Teksa kjo çështje është në fazën e përfundimit të gjyqit në shkallë të parë, SPAK në fillim të muajit qershor ka hapur një dosje të tretë kundër Shullazit, duke e akuzuar se së bashku me Ervis Martinin, Mariglen Hakaj dhe Satilijano Bashon kanë siguruar kushtet për të vrarë Durim Bamin.

Në kohën kur janë zhvilluar këto biseda për planin e vrasjes së Durim Bamit, Emiljano Shullazi ndodhej në burg, por fliste me telefon të kriptuar “Sky”.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.