Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë një vendim përfundimtar lidhur me kërkesën e Kryeministrit Edi Rama për shfuqizimin e masës së pezullimit nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Pas një seance maratonë që zgjati mbi 10 orë, tetë gjyqtarët u ndanë në mënyrë të barabartë, me 4 vota pro dhe 4 kundër, duke bërë që kërkesa të rrëzohet dhe të mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).
Në njoftimin zyrtar, Gjykata Kushtetuese sqaroi se më 06.02.2026 u shqyrtua kërkesa e Kryeministrit, e cila kishte si objekt “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër”.
Po ashtu, kërkesa përfshinte edhe “shfuqizimin e vendimeve gjyqësore të GJKKO-së për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë”, si dhe interpretimin e nenit 103, pika 3 e Kushtetutës.
Paraprakisht, Gjykata Kushtetuese vlerësoi në mënyrë unanime se “imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 73, pikat 1 dhe 2”, duke theksuar se në regjimin kushtetues të këtij imuniteti “nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale”.
Gjykata nënvizon se, sipas Kushtetutës, “sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës, sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë”. Në të njëjtën kohë, theksohet rëndësia e parimit të epërsisë së Kushtetutës dhe e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
Nga ana tjetër, qëndrimi kundërshtues argumenton se Kushtetuta, pas reformës së vitit 2012, ka parashikuar në mënyrë të shprehur vetëm masat procedurale penale që kërkojnë autorizim nga Kuvendi, duke theksuar se “masa e pezullimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale nuk përfshihet në nenin 73, pika 2 të Kushtetutës”.
Megjithatë, në përfundim të diskutimeve, gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime të kundërta. Sipas njërit qëndrim, duke iu referuar edhe jurisprudencës së mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, imuniteti i ministrit synon mbrojtjen e funksionimit të organit ekzekutiv, ndaj “edhe për masën e pezullimit të ushtrimit të detyrës kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi”.
Për shkak të këtij ndarjeje të barabartë të votave, Gjykata Kushtetuese nuk arriti numrin e kërkuar për vendimmarrje, sipas nenit 133, pika 2 të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2 të Ligjit Organik të saj. Votat janë ndarë 4 pro dhe 4 kundër duke bërë që të mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut.
Pas këtij zhvillimi, Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht gjatë podcastit të tij “Flasim”, ku u shpreh se betejën me drejtësinë do ta çojë deri në fund, duke e cilësuar pezullimin e një anëtari të qeverisë si një mjet të paprecedentë në vendet demokratike.
“Me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike si pezullimi i një anëtari qeverie. Kështu Shqipëria bëhet për herë të dytë në muaj shembulli i parë i një budallallëku botëror,” deklaroi Rama, duke shtuar se mosvendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e rikthen në fuqi një masë ndaj një ministre që, sipas tij, “nuk akuzohet për korrupsion, as nga vetë prokurori që e shpiku pezullimin”.
Kryeministri theksoi se, sipas tij, “zhbërja e kësaj shpikjeje 100% Made in Albania e drejtësisë së re, të papjekur, mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv”.
Deklaratat e Ramës sollën reagimin e menjëhershëm të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili e akuzoi Kryeministrin për panik dhe përpjekje për të shpërfillur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në një reagim publik, Berisha u shpreh se Rama “u zotua në mënyrën më të papërgjegjshme se nuk do të përfillë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, duke e cilësuar të pavërtetë pretendimin se pezullimi i një ministri nga gjykata është rasti i parë në botë. Sipas tij, “në rajon, në Europë dhe në botë, gjykatat kanë pezulluar jo vetëm ministra, por edhe kryeministra”.
Berisha shtoi se Kryeministri e sheh këtë vendim si një kërcënim personal dhe e akuzoi atë për sulm ndaj shtetit ligjor, ndërsa paralajmëroi zhvillime të tjera politike dhe thirrje për protesta nga ana e opozitës, duke e lidhur situatën me, sipas tij, të ardhmen europiane të vendit.
Zv/kryeministrja Balluku u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAK më 31 tetor 2025, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera. Më 20 nëntor 2025, ndaj saj u mor masa “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”. Hetimi filloi për dy çështje specifike, por u zgjerua më pas. Më 16 dhjetor 2025, SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Balluku me synim arrestimin e saj.
Që nga ajo datë, kryeministri i vendit ka bërë një sërë deklaratash në mbrojtje të saj dhe ka akuzuar gjykatën e posaçme si shkelëse të drejtësisë.
Hetimi ndaj Ballukut ka nisur fillimisht për dy çështje, për procedurat e ndjekura në ndërtimin e Tunelit të Llogarasë me vlerë rreth 190 milionë euro dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Por, sipas dokumenteve që rridhnin në media, hetimi është zgjeruar ndjeshëm dhe tashmë përfshin pothuajse të gjithë investimet në Unazën e Madhe, si dhe procedurën koncesionare PPP për aksin Thumanë–Kashar, me vlerë të parashikuar rreth 245 milion euro.
Në dokument, prokuroria rendit konkretisht disa procedura prokurimi, përfshirë segmentet “Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës”, “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, lotet 5, 6 dhe 7 të Unazës së Jashtme, si dhe procedurën PPP “Thumanë–Fushë Krujë–Vorë–Kashar”. Përfitues të këtyre procedurave, sipas SPAK, janë kompani të ndryshme ndërtimi, për të cilat dyshohet se janë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta, në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe atë për konfliktin e interesit.
Më 16 dhjetor 2025, SPAK i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë së Belinda Ballukut. Zv/kryeministrja akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, konkretisht në procedurat për Tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka depozituar në Kuvend edhe kërkesën për autorizimin e arrestimit të Ballukut, ndërsa pritet mbledhja e radhës e Këshillit të Mandateve për të vendosur mbi fatin e zv/kryeministres.
Në relacionin drejtuar Kuvendit, SPAK sqaron se ndaj Ballukut rëndojnë hetime për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, shtatë lote të Unazës së Madhe në Tiranë, si dhe tre tenderë të tjerë, përfshirë koncensionin Thumanë-Kashar.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























