Prokuroria e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur në sekuestro prenventive llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development”, e përfshirë në projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit.
Kompania, rezulton të ketë siguruar sipërfaqen e tokës ku pritet të zhvillohet projekti, ndërsa masat e sekuestros vijnë në kuadër të një hetimi të verifikimeve që SPAK po kryen në zonë mbi origjinën e pronësisë së tokave dhe mënyrën e transferimit të tyre ndër vite.
“Albania Land Development”, rezulton të ketë siguruar pronësinë e tokës përmes blerjes dhe një sër transaksiesh të kryera me individë dhe subjekte të pajisura me tituj pronësie. Por njëkohësisht, mbi një pjesë të sipërfaqeve tokësore ekzistojnë pretendime nga banorë të zonës, të cilët argumentojnë se gëzojnë të drejta pronësie të fituara në bazë të ligjit 7501, duke shpalosur një konflikt pronësor që zvarritet në gjykatë prej më shumë se 10 vitesh.
Sipas regjistrave tregtarë kjo kompani rezulton të ketë qënë fillimisht në zotërim të Redi Strugës, i cili më pas ka shitur aksionet kundrejt investitorëve të huaj nga Katari, përkatësisht 2 vëllezërve Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat.
Aktualisht, Struga është një nga 3 administratorët e kompanisë duke mbajtur role administrative dhe me kompetenca të cunguara në të drejtën e firmës, ndërsa pronarët rezultojnë emra të njohur në biznes në aktivitete që përfshijnë sektorë si ndërtimi, energjia dhe pasuritë e paluajtshme.
Kryeministri Edi Rama komentoi çështjen gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.
Teksa shprehet bindshëm se projekti do të vijojë të jetësohet, ai shprehet parimisht pozitiv për hetimin e nisur përsa kohë ka dyshime mbi pronarët realë, por thekson se masat e ndërmarra sjellin penalizimin e padëshiruar të investitorëve.
Projekti i planifikuar në Zvërnec është përmendur nga qeveria si një nga investimet më të mëdha të propozuara në sektorin e turizmit në Shqipëri dhe ka qenë objekt debatesh publike, kundërshtimesh nga organizata mjedisore dhe mosmarrëveshjesh të vazhdueshme mbi statusin e pronësisë së tokave në zonë.
“Kjo e SPAK-ut ka dy pjesë: pjesën pozitive që i takon SPAK-ut dhe pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetofruar të SPAK-ut. Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur, me apo pa të drejtë dhe i shumëpërfolur, aq më tepër për sa kohë kjo lidhet me një hetim të nisur sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone, është e mirëseardhur dhe e nxis këtë hetim.” tha kryeministri Rama në një konferencë për shtyp në prezencë të presidentit të Këshillit Europian.
Njëkohësisht, kryeministri doli “garant” i legjitimitetit të investitorëve, duke iu referuar këtyre të fundit si “investitorë me reputacion të pasdiskutueshëm”.
“Investitorët që sot janë zotëruesit e pronës sipas legjislacionit shqiptar, janë investitorë me reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare për të përcjellë pagesën janë investiguar imtësisht nga Agjencia e Pastrimit të Parave dhe kanë rezultuar totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global.” deklaroi kryeministri.
Tentativat për ndërtim në një zonë të kategorizuar si “peisazh i mbrojtur”, e kanë vënë Shqipërinë përpara përgjegjësisë së demonstrimit të kapaciteve për të mbrojtur zonat me rëndësi të veçantë dhe për të plotësuar kriteret e një ndër kapitujve më të rëndësishëm që vulos për fatin e integrimit të Shqipërisë “Kapitullit 27 (“Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”).
Presidenti i Këshillit Europian Antonio Kosta, tha se Komisioni Europian po e ndjek rastin nga afër. “Komisioni Europian është në kontakt me autoritetet shqiptare, po dëgjon shoqërinë civile dhe nëse do të ketë pyetje, do t’i bëjë”, tha Costa.
Edhe në një përgjigje për “shteg.org” Komisioni Europian rikujtoi se integrimi i Shqipërisë varet drejtpërdrejt nga përafrimi i ligjeve me BE-në.
Por edhe pse Rama tenton sërish të “blindojë” perceptimin se jemi 100% të përafruar me BE, sërish ai konfirmoi se ndalimi i punimeve dhe mosrealizimi i projektit është i pamundur.
“S’ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do të jem këtu. Unë jam absolutisht i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por duhet të sqarojmë për çfarë janë pretendimet. Nëse janë për pronën, ka rrugën e vet dhe mund të çojë në zgjidhje ideale” deklaroi kryeministri.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.


























