Mijëra qytetarë protestuan në Tiranë para institucioneve shtetërore dhe zyrës së Kryeministrit kundër projektit turistik në Zvërnec, duke kërkuar hetimin e dhunës ndaj protestuesve, ndalimin e ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura dhe mbajtjen përgjegjës të personave dhe zyrtarëve të përfshirë. Protestat vijuan edhe në ditët pasuese, të shoqëruara me thirrje për mobilizim qytetar në mbrojtje të territorit dhe mjedisit.
Reagimi qytetar erdhi pas ngjarjeve të 29 majit në Zvërnec, ku protesta kundër projektit “Zvërnec South Adriatic Development” u përshkallëzua pas publikimit të pamjeve filmike që tregonin persona civilë duke tërhequr zvarrë një protestues. Më pas pati përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë, me shkëmbim gurësh dhe përdorim të lëndëve lotsjellëse.
Projekti i zhvillimit turistik përfshin ishullin e Sazanit dhe qindra hektarë të peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, një nga ekosistemet më të rëndësishme bregdetare në Shqipëri. Ai është lidhur publikisht me Jared Kushner, ndërsa qeveria shqiptare ka miratuar lejet e zhvillimit për kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.
Kryeministri Edi Rama e ka mbështetur projektin, duke e cilësuar atë si një mundësi strategjike për turizmin shqiptar dhe duke deklaruar se negociatat për realizimin e tij kanë nisur që në vitin 2023.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar hapjen e një hetimi mbi ndryshimet e statusit të mbrojtjes së zonës dhe të pronësisë së tokës gjatë vitit 2024, ndryshime që i hapën rrugë zhvillimit turistik. Për shkak të fazës së hetimit, SPAK nuk ka dhënë detaje të tjera.
Zona ku parashikohet investimi konsiderohet nga ekspertët e mjedisit si një prej territoreve me biodiversitetin më të pasur në Shqipëri dhe prej vitesh është objekt konfliktesh gjyqësore të pazgjidhura. Organizatat mjedisore kanë denoncuar ndërhyrjet në terren dhe rrezikun që projekti paraqet për lagunën e Nartës dhe habitatet e mbrojtura.
Edhe Komisioni Europian ka shprehur shqetësim për zhvillimet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro-Nartë. Në një reagim zyrtar, Brukseli theksoi se menaxhimi i kësaj zone përbën një provë për aftësinë e Shqipërisë për të administruar zonat e mbrojtura sipas standardeve europiane dhe kujtoi se respektimi i legjislacionit mjedisor mbetet një kusht i rëndësishëm në procesin e integrimit europian.
Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.
Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.





























