Prokuroria nis hetimet për përmbytjet në Durrës

Prokuroria e Durrësit nis hetimet për shpërdorim detyre, shkatërrim prone dhe pasojat e përmbytjeve masive në qytet dhe zonat përreth. Situata e rëndë ka bllokuar rrugët, ka përmbytur banesa dhe toka bujqësore, dhe ka shkaktuar humbjen e jetës së një punonjësi të Ndërmarrjes Komunale.

1484
Evakuimi i banorëve në Durrës
Evakuimi i banorëve në Durrës

Prokuroria e Durrësit ka regjistruar një procedim penal pas përmbytjeve të ndodhura në disa rrugë të qytetit të Durrësit dhe zonat përreth, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë dy ditëve radhazi.

Prokuroria po heton për tre vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Përmbytjet masive në qytetin e Durrësit kanë penguar zhvillimin normal të aktiviteteve arsimore, shtetërore dhe shëndetësore, ka shkaktuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave, si dhe ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Më 8 janar 2026, u lajmërua nga Bashkia Durrës vdekja e 54 vjeçarit Astrit Hysenaj i cili ishte punonjës pranë ndërmarrjes komunale dhe dyshohet se ka humbur jetën në krye të detyrës.

Prej disa ditësh shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur banesa dhe toka bujqësore në zona të Durrësit si ish-Këneta, Shkozeti, Sukthi dhe Katundi i Ri. Në disa prej zonave kryebashkiakja Emirjiana Sako ka kërkuar evakuimin emergjent nga shtëpitë.

“Të gjitha strukturat tona janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për përballimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. Në këto njësi vijon evakuimi i banorëve nga zonat e përmbytura.” – shprehet me anë të një postimi në facebook Kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako, pas daljes nga shtrati të lumit Erzen.

Ka qenë anëtarja e këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Iliriana Kuçana e cila ka depozituar një kallëzim penal ndaj kryebashkiakes Emiurijana Sako.

“Ky është kallzimi i dytë, i bëjmë me dije mediat se kam depozituar dhe një kallëzim në mars të 2025 … prokuroria e Durrësit e ka larë me shishen e Ergys Agasit 33 mijë euro dhe deri më sot nuk jam thirrur në Prokurorinë e Durrësit” – ironizon institucionet anëtarja e këshillit kombëtar të PD-së.

Lumi Erzen ka dalë nga shtrati në dy pika për shkak të motit të keq, duke rrethuar banesa dhe toka bujqësore dhe duke përmbytur dhjetëra hektarë tokë.

Prokurorët dyshojnë se pasoja e përmbytjeve nuk kanë qenë krejtësisht natyrore por mund të kenë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore.

Në njoftimin që prokuroria e Durrësit ka shpërndarë gjithashtu thuhet që është përmbytur institucioni penitenciar, duke e vendosur të gjithë qarkun e Durrësit në gjendje emergjente.

“Hetimi i mëtejshëm do të japë përfundime të drejta mbi ekzistencën ose jo të përgjegjësisë penale” – thuhet në njoftimin e prokurorisë së Durrësit.

Gjatë ditës së nesërme pritet që kreu i ekzekutivit Edi Rama të drejtojë mbledhjen e Komitetit të Emergjencave ku pritet të diskutohet për situatën e krijuar nga reshjet e shiut dhe të merren vendime për përmirësimin e situatës dhe dëmshpërblimin e banorëve të prekur.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.