Karl Marks, filozofi kritik i kapitalizmit qysh dy shekuj më parë, ofronte një shpjegim të thjeshtë, por domethënës mbi të ashtuquajturin “proces i akumulimit primitiv të kapitalit”. Ai e përshkruante atë si një proces historik, shpeshherë të dhunshëm, që krijonte parakushtet e nevojshme për kapitalizmin duke ndarë punëtorët nga mjetet e prodhimit. Ai përfshinte shpronësimin e tokës, plaçkitjen koloniale dhe dhunën e sanksionuar nga shteti për të përqendruar pasurinë në pak duar, duke e shndërruar popullsinë në një forcë pune pa pronë (të njohur ndryshe edhe si proletariat), e cila, për të jetuar, është e detyruar të shesë punën e vet.
Aspektet kryesore të procesit të akumulimit primitiv të kapitalit përfshijnë: shpronësimin e tokës; lëvizjen e detyruar të fshatarëve tashmë pa pronë drejt qytetit, duke u kthyer në papunësi të fshehtë; përdorimin e mekanizmave të dhunshëm (Marksi thotë se ky proces ishte “i shkruar me shkronja gjaku dhe zjarri”, që përfshinte vjedhje, shfrytëzim kolonial, skllavëri dhe legjislacion shtetëror); përqendrimin e kapitalit (dmth mjeteve të jetesës dhe prodhimit) në duart e kapitalistëve, etj.
Unë nuk dua të paragjykoj si marksiste maxhorancën aktuale dhe aq më pak në mandatin e saj të katërt. Kjo duke menduar në mënyrë paksa naive se ky është “vullneti i sovranit”, por nuk mund të fsheh se këto aspekte të përshkruara në mënyrë eksplicite nga Marksi po përsëriten pikë për pikë nga qeverisja e dekadës së fundit. Më konkretisht, kur z. Rama ndërmori ligjin për investimet strategjike (2016) dhe e zgjati afatin e tij gjashtë herë gjatë një dekade, nuk po bënte gjë tjetër veçse po krijonte premisat ligjore dhe institucionale për të shpronësuar pronarët e vjetër (ata që i kishin fituar këto prona në kuadrin e kthimit dhe kompensimit të pronave), pronarët “e rinj” (fermerët që i kishin fituar ato përmes ligjit konsensual 7501 të vitit 1991 apo përmes legalizimit të banesave informale), etj.
Këta hapa, së bashku me amendimet në ligjin për turizmin (krijimi i të ashtuquajturave “zona me përparësi zhvillimin e turizmit”) apo krijimi i Agjencisë së Bregdetit me kompetenca të gjera që preknin pronësinë në pjesët më të lakmuara të bregdetit të vendit, duke nxjerrë jashtë loje sistemin gjyqësor, nuk bënë gjë tjetër veçse krijuan terrenin që të kënaqeshin orekset për fitime të kapitalistëve të rinj, klientë të qeverisë, duke shpronësuar pronarët e tokave dhe trojeve dhe duke injoruar interesat e tyre të ligjshme. Pamjet e ofruara nga protesta e fshatarëve të shpronësuar në mënyrë të dyshimtë në Theth disa muaj më parë, më herët në Orikum, apo prej gati një muaji në Bax Rrjoll (Velipojë), ilustrojnë më së miri këtë agresion të oligarkisë ndaj pasurive të patundshme, e cila, duke kërkuar sfera të reja investimi, po përdor fuqimisht forcën e pushtetit për të shpronësuar përfundimisht më të pambrojturit – fshatarët.
Investimet publike të pastudiuara, siç ishte edhe rasti i programit të “100 fshatrave”, të motivuara dukshëm nga interesat e firmave të ndërtimit dhe pa lidhje me problemet reale të fshatit (fragmentimi i tokës bujqësore dhe ngadalësia e procesit të konsolidimit të pronësisë; mungesa e regjistrimit të plotë të pronave në fshat; rrjeti i rrënuar i ujitjes dhe kullimit dhe “i rindërtuar” vetëm në raportimet fiktive të shpenzimit të fondeve buxhetore apo të donatorëve, siç ishte IPARD; mungesa e subvencioneve shtetërore për zhvillimin e blegtorisë dhe nxitjen e prodhimit bujqësor, etj.) kanë mbështetur de facto boshatisjen e fshatit dhe mbushjen e rrethinave të Tiranës dhe të qyteteve kryesore të vendit me popullsi të ardhur për shkak të rrethanave ekonomike, por edhe për shkak të rrënimit të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore bazike, të cilat, për hir të së vërtetës, edhe regjimi i shkuar ua kishte siguruar atyre.
Tipari tjetër i procesit të akumulimit primitiv të kapitalit lidhet me përdorimin e mekanizmave të dhunshëm që mundësojnë përqendrimin e kapitalit (dmth mjeteve të jetesës dhe të prodhimit) në duart e kapitalistëve të rinj. Një mjet i tillë është, për shembull, vjedhja e pronave të pronarëve të ligjshëm duke përdorur fuqinë e shtetit përmes Kadastrës dhe ligjit. Në opinionin publik janë bërë të njohura katër vjet më parë deklarimet e të ndjerit A. Lame rreth çështjes së humbjes apo dëmtimeve të tjera të regjistrave të Kadastrës, por edhe njoftimet mbi fillimin e hetimeve nga Prokuroria për “shpërdorim detyre” dhe “zhdukje e vjedhje të dokumenteve zyrtare”, por askush nuk di nëse ndonjë person është dënuar, për të mos thënë se nuk është çudi që protagonistë të këtyre veprave penale të jenë graduar në nivelet e larta të hierarkisë politike dhe qeveritare.
Të jemi të qartë, asnjë mbivendosje e pronësisë private, asnjë grabitje e tokave dhe trojeve publike nuk mund të ndodhë pa vendimmarrje strategjike në nivel politik dhe pa bashkëpunimin e zyrtarëve dhe të nëpunësve përgjegjës. Ndoshta kjo shpjegon edhe pandëshkueshmërinë e derisotme dhe rritjen e ndjeshmërisë politike negative ndaj SPAK-ut, tani që po prek të pandëshkueshmit e mëdhenj.
Marksi flet edhe për shfrytëzim kolonial si instrument për akumulimin primitiv të kapitalit, gjë që në pamje të parë mund të duket si e dalë mode. Por çfarë emërtimi tjetër mund t’i vihet faktit se edhe pas tri dekadash nga ndryshimet sistemike të vitit 1991, ekonomia jonë kombëtare shfaq të njëjtat tipare të ekonomive post-koloniale, dmth eksporton fuqi punëtore të lirë dhe minerale të papërpunuara; thuajse asnjë fabrikë apo uzinë nuk nxjerr tym dhe qytetarët masivisht marrin rrugët e botës, edhe më shumë se nga vendet e përfshira në luftëra civile apo nën pushtim.
Përmenda më lart ligjin për investimet strategjike, por të njëjtin rol luajtën edhe amendimet e ligjit për turizmin, për zonat e mbrojtura, “Paketa e Maleve”, deri edhe amendimet ligjore në proces shqyrtimi, si për shembull falja e porteve turistike investitorëve strategjikë, etj. Dmth përdorimi i legjislacionit shtetëror për të “blinduar” shkëputjen e pronarëve nga prona dhe kalimin e këtyre të fundit në duart e një grushti oligarkësh vendas, me procedura të dyshimta ligjore apo ofrimin e investitorëve të diskutueshëm falë lobimeve politike, duke anashkaluar garën e përcaktuar në Kushtetutën e vendit dhe nevojën ulëritëse për të maksimizuar të hyrat buxhetore në dobi të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit.
Nuk po flas këtu për krijimin e Korporatës Shqiptare të Investimeve, këtij instrumenti që mundëson kalimin në duart e klientëve të qeverisë të pasurive të patundshme publike, shmangien e garës dhe të transparencës ndaj qytetarëve. As për shoqëritë publike që po krijohen “si kërpudhat pas shiut” në çdo sektor, madje edhe në sektorët gjerësisht të liberalizuar si ndërtimi, bankat, siguria, etj., por edhe në sektorë me rëndësi kritike si prokurimet publike, AKSHI, etj., shoqëri që në fakt mundësojnë zgjerimin e punësimit të militantëve partiakë dhe krijimin e lehtësirave të pamohueshme për segmente të caktuara të biznesit, oligarkisë dhe, në disa raste, edhe të segmenteve të krimit të organizuar vendas dhe ndërkombëtar.
Në mbyllje, të jemi të qartë: as unë dhe as askush tjetër nuk mund të jetë kundër lirisë ekonomike të sipërmarrjes dhe shenjtërimit të pronës private të sanksionuar në Kushtetutën e vendit; dmth Marksin dhe teoritë e tij i ka dënuar tashmë historia. Por, për fat të keq, cenimi i lirisë ekonomike dhe tronditja e sigurisë juridike të pronës, si prova të pakontestueshme të keqqeverisjes, janë evidente më shumë se kurrë dhe ndryshimi i këtij kursi nuk është dhe nuk mund të jetë vetëm vullnet i elitës politike që qeveris vendin, por duhet të bëhet përherë e më shumë edhe vullnet dhe veprim i atyre që qeverisen, nëse këta të fundit duan të jetojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre në “dheun e të parëve”.




















