Reforma zgjedhore, kompromisi që bën bashkë rivalët politikë

Ndërsa partitë politike negociojnë ndryshime në pragun zgjedhor, koalicionet dhe financimin e politikës, ekspertët paralajmërojnë se reforma zgjedhore po përdoret për të kontrolluar konkurrencën elektorale dhe jo për të forcuar standardet demokratike.

442
Dy bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi
Credits: Facebook i kryetarit të Komisionit Damian Gjiknuri - Dy bashkëkryetarët e komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi

Teksa vendi po afrohet me zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, partitë politike kanë nisur diskutimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke rikthyer në vëmendje reformën zgjedhore, një proces që ka shoqëruar pothuajse çdo palë zgjedhje në Shqipëri. Që nga miratimi i Kodit në vitin 2008 janë bërë rreth 12 ndryshime, ndërsa vetëm zgjedhjet e vitit 2013 u zhvilluan me të njëjtat rregulla si zgjedhjet pararendëse.

Ndërsa nismat e përbashkëta PD-PS prodhojnë debate mbi transparencën, ndikimin e interesave private dhe kontrollin real të parave në politikë, reforma zgjedhore duket se “ia del të bëjë gjithmonë bashkë” 2 partitë më të mëdha kundërshtare në vend.

Ekspertët shpjegojnë se ndryshimi i elementëve zgjedhorë si pragu zgjedhor, formula e shpërndarjes së mandateve, sistemi elektoral, apo koalicionet, janë kthyer ndër vite në një proces ku partitë e mëdha zhvillojnë një analizë të ftohtë pragmatiste mbi mënyrën se si mund të ruajnë balancat e pushtetit dhe avantazhin elektoral.

Kërkesa për reformën zgjedhore nuk vjen vetëm si nismë politike e partive në vend por si një prej detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit europian dhe standarteteve demokratike të kërkuara në kuadër të Grupkalitullit 1 “Themeloret”. Një zgjatim i kapitullit që përbën thelbin e kërkesave për intergrim: funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Por studiuesit argumentojnë se për të arritur qëllimet e tyre, eksponentët politikë nuk kanë kursyer as aspiratat për integrimin, duke e përdor si alibi për të bërë të mundur ndryshimet e herë pas hershme në reformë, çka ju mundëson atyre “të luajnë me rregullat e veta”.

Para së gjithash, armatosu!

Momente tensioni në Kuvend
Credits: LSA – Momente tensioni në Kuvend

Kanë kaluar 18 vite që nga vera politike e vitit 2008, kur ndryshimet kushtetuese dhe reforma e re zgjedhore trazuan skenën politike shqiptare. Në atë kohë, Ilir Meta, atëherë në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, së bashku me partitë e tjera të vogla, protestonte për ditë me radhë kundër ndryshimeve që po miratoheshin nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.

Ndërsa partitë e vogla hyn në grevë urie duke paralajmëruar për pasojat e reformës, dy kundërshtarët historikë politikë, PD dhe PS, gjenin gjuhën e përbashkët për të ndryshuar sistemin elektoral.

Me miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, Shqipëria kaloi nga sistemi miks në sistemin proporcional rajonal, një ndryshim që, sipas kritikëve të kohës, do të forconte dominimin e dy partive të mëdha dhe do ta bënte më të vështirë përfaqësimin e forcave të reja politike. Paralajmërimet e atëhershme vijojnë të rikthehen edhe sot në debatin për reformën zgjedhore, ku sërish PD dhe PS duket se bien dakord për çështjet më të rëndësishme të sistemit.

Në qendër të diskutimeve të fundit është vendosur pragu zgjedhor, mekanizmi që përcakton përqindjen minimale të votave që një parti duhet të marrë për të siguruar mandate në parlament. Propozimi për ta rritur pragun nga 2 në 4 për qind shihet nga ekspertët si një ndërhyrje me ndikim të drejtpërdrejtë në balancat politike dhe përfaqësimin parlamentar.

Pedagogu i Shkencave Politike, Blendi Çeka, argumenton se një prag i tillë do ta bënte pothuajse të pamundur hyrjen e subjekteve të reja në garë.

“Pragu 4% është një kriter që në vetvete pothuajse asgjëson çdo lloj prirje tendence për të pasur subjekte të reja në garë, në një realitet siç jemi sot, ku 95% e parlamentit lidhur me deputetët zotërohet nga PD-PS” tha studiuesi.

Më të rrezikuarat nga një rritje e mundshme e pragut mbeten pikërisht partitë e reja politike, të cilat e shohin këtë lëvizje si një përpjekje tjetër për të kufizuar pluralizmin dhe për të konsoliduar kontrollin e partive tradicionale mbi sistemin zgjedhor.

Edhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, partia e të cilit siguroi dy mandate në zgjedhjet e fundit parlamentare, paralajmëron se ndryshimet e propozuara rrezikojnë ta bëjnë sistemin edhe më të mbyllur dhe më të kontrolluar nga partitë e mëdha.

“Ne kemi një qëndrim të qartë: sistemi aktual është i keq, por shqetësimi ynë është se PS dhe PD po përpiqen ta bëjnë edhe më të mbyllur dhe më të kontrolluar. Dhe kjo nuk është çështje vetëm e “Partisë Mundësia”, por e çdo force të re politike që mund të lindë nesër”, tha Shehaj.

Një nga zërat kritikë ndaj këtij propozimi është edhe kreu i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, i cili i konsideron ndryshimet si një përpjekje të dy partive të mëdha për të kufizuar konkurrencën politike.

“Sistemi elektoral që duket se po propozojnë PS dhe PD është një orvatje për të zhdukur në tavolinë partitë e reja që nuk duan të bëjnë koalicion me partitë e vjetra. Çdo prag më i lartë se ai natyror (numër votuesish/numër vendesh në parlament) është në parim i padrejtë.” deklaroi Qori.

Ndërsa ende pragu 4 % nuk është ende i miratuar zyrtarisht, mbështetësit e kësaj ideje argumentojnë se një prag më i lartë do të reduktonte fragmentarizimin politik dhe do të prodhonte parlamente më të qëndrueshme, duke kufizuar hyrjen e partive shumë të vogla që përfaqësojnë interesat e ngushta të personave të caktuar.

Mbështetës të nismës, e “legjitimojnë” dyfishimin e pragut duke marrë eksperiencën e disa prej vendeve evropiane, të cilat kanë prag edhe më të lartë.

Megjithatë, kritikët e ndryshimeve argumentojnë se pragu 4 % konsiderohet i lartë, edhe në nivel ndërkombëtar.

“4% është prag i lartë në nivel ndërkombëtar, nuk konsiderohet prag i ulët, si në europë apo më gjërë” argumenton studiuesi Blendi Çeka.

Për Çekën ndërsa sistemi zgjedhor aktual prodhon efekte penalizuese për partitë e vogla, penalizimi i qëllimshëm shkon përtej reformës, duke prekur standartet e demokracisë.

“Në mos qofshin favorizuese, të paktën të mos ishin penalizuese dhe ky është standard i demokracisë”, tha studiuesi.

Një tjetër element që po prodhon debat lidhet me mënyrën se si reforma mund të trajtojë koalicionet parazgjedhore. Për partitë e vogla, kjo është një ndër pikat më të ndjeshme të diskutimit, pasi mënyra e ndërtimit të koalicioneve, mund të përcaktojë në mënyrë eksplicite mbijetesën e tyre politike.

Ekspertët e sistemeve elektorale theksojnë se në sistemet proporcionale, koalicionet parazgjedhore shërbejnë shpesh si mekanizëm që u mundëson partive të vogla të bashkojnë votat dhe të sigurojnë përfaqësim parlamentar. Por kritikët argumentojnë se formula që po diskutohet aktualisht krijon standarde të ndryshme gare mes partive që konkurrojnë të vetme dhe atyre që futen nën siglën e koalicioneve të mëdha.

Për drejtuesin e Lëvizjes Bashkë, kjo përbën një nismë “hileqare” që nëpërmjet njohjes së koalicioneve parazgjedhore, jo me prag për partitë por për koalicionin, edhe një parti që arrin afro 4 % të votave mund të mbetet jashtë parlamentit, ndërsa një forcë shumë më e vogël politike mund të sigurojë mandate përmes një koalicioni me partitë e mëdha.

“Kësisoj, nëse në zgjedhjet e ardhshme Lëvizja Bashkë merr 3.9999% të votave, nuk do të ketë asnjë deputet. Kurse nëse një parti tjetër futet në koalicion me PS ose PD dhe koalicioni, siç pritet, e kalon pragun, pragu i partisë së vogël për të hyrë në parlament do të jetë 0.7%.” thotë Qori.

Debati mbi pragun elektoral nuk është problemi i vetëm dhe as më thelbësori në reformën që po negociohet mes partive politike.

Përqëndrimi i diskutimeve vetëm tek përqindja e pragut rrezikon të lërë në hije çështje akoma më thelbësore që lidhen me mënyrën si funksionon gara elektorale realisht, duke nisur nga barazia në konkurrim, administrimi zgjedhor dhe vetë arkitektura e sistemit elektoral.

Politologu Afrim Krasniqi argumenton se reforma nuk duhet të kufizohet vetëm tek formulat matematikore të ndarjes së mandateve, por duhet të adresojë edhe problematika që prej vitesh janë objekt debatesh politike dhe rekomandimesh ndërkombëtare.

“Në thelb nuk është problem pragu, problem është barazia dhe garancia në konkurrim, në akses dhe në administrimin zgjedhor, si dhe sistemi zgjedhor nëse do vijojë me 12 zona, me 1 zonë, apo formulë tjetër. Ajo që është e rëndësishme në këtë rast është përse PS dhe PD nuk bëjnë publike dhe zyrtare mendimin e tyre për sistemin, për administrimin zgjedhor, për votën e diasporës, për votën elektronike, për listat e hapura dhe për vetingun në politikë.” deklaron Krasniqi.

“Financimi i Partive Politike”

Votim unanim nga deputetët e Kuvendit
Credits: Kuvendi i Shqipërisë – Votim unanim nga deputetët e Kuvendit

Financimi i partive politike është kthyer në një nga pikat më të debatueshme të reformës zgjedhore, në një vend ku prej vitesh raportet ndërkombëtare kanë ngritur dyshime mbi transparencën e fushatave elektorale, përdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimin e interesave private në politikë. Pikërisht në këtë klimë, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Demokratike propozuan draftin e ri “Për financimin e partive politike”, një projektligj që synon të krijojë mekanizma më të fortë kontrolli mbi mënyrën se si financohet politika në Shqipëri.

Në letër, drafti sjell disa nga ndërhyrjet më të forta të bëra ndër vite në këtë fushë si ndalimi i financimit i partive nga kompani me kontrata koncesionare, partneritete publike-private dhe kontrata publike me shtetin, madje edhe deri në tre vite pas përfundimit të marrëdhënies kontraktuale. Në listën e subjekteve të ndaluara përfshihen edhe investitorët strategjikë, kompanitë e lojërave të fatit dhe subjektet që operojnë në fushën e kriptomonedhave, sektorë që prej vitesh kanë prodhuar debate mbi lidhjet mes biznesit dhe politikës.

Megjithatë, përtej ashpërsisë së masave të parashikuara në draft, debati kryesor mbetet nëse ligji do të jetë realisht i zbatueshëm në praktikë.

Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj, u shpreh se drafti në vetvete përmban vetëm disa propozime minore të cilat nuk e zgjidhin problematikën e financimit të partive.

“Shqetësimi ynë themelor ka qenë dhe mbetet transparenca e plotë mbi financimin e partive politike, që të mos shpenzohen 100 milionë euro dhe të deklarohen vetëm 3 milionë. Kjo duhet të shkojë në mënyrë të harmonizuar edhe me aksesin e barabartë në media, si dhe me një qasje më të drejtë tek fondet publike, të cilat sot janë të pamjaftueshme.” deklaroi ai.

Në një reagim të menjëhershëm, shqetësime ngriti edhe OSBE/ODIHR në një opinionin urgjent paraprak mbi draftin shqiptar, në të cilin evidentoheshin boshllëqe serioze që mund të lejojnë shmangien e kontrollit përmes financimeve indirekte apo përdorimit të palëve të treta.

Ndërsa ODIHR kërkon ndalimin e donacioneve të bëra në emër të një personi tjetër dhe identifikimin e pronarëve realë të kompanive donatore, me argumentin se kompanitë fasadë mund të përdoren për të anashkaluar kufizimet ligjore, studiuesi Krasniqi thotë se këto problematika, janë listuar hapur nga shoqëria civile, por nuk janë marrë parasysh nga Kuvendi.

“Përse duhej pritur ODIHR dhe përse Kuvendi nisi kërkesë për interpretim te Komisioni i Venecias kur në të vërtetë të gjithë elementët u thanë edhe në takimin e Kuvendit me shoqërinë civile, dhe pjesa më e madhe edhe në raportet periodike të ODIHR, pra i kishin, i dinin, i kanë të depozituara me shkrim dhe mund ti adresonin menjëherë që në draftin e parë.” tha ai.

Integrimi si “alibi”

Votimi për procesin e anëtarësimit në Parlamentin Europian
Credits: Kuvendi i Shqipërisë – Votimi për procesin e anëtarësimit në Parlamentin Europian

“Drafte të përbashkëta”, “Qëndrime të përbashkëta” apo “Rezoluta të përbashkëta” janë togfjalëshit që dalin në pah kryesisht vetëm në kuadër të reformës zgjedhore, në një klimë politike të dominuar nga përplasjet konfliktuale.

Në retorikën që shoqëron reformën është futur gjithnjë e më shumë edhe procesi i integrimit europian, duke e zhvendosur reformën zgjedhore nga plani i debatit të brendshëm politik në atë të procesit të negociatave europiane.

Por për studiuesit, referimi i vazhdueshëm tek integrimi, përbën në vetvete një përdorim të këtij të fundit si argument politik për të justifikuar ndërhyrjet e herëpashershme në sistemin zgjedhor.

“Përgjithësisht, instancat e Bashkimit Europain kanë të bëjnë më procesin, me transparencën e procesit si bëhet fushata, por jo me elementë të sistemit zgjedhor. Kryesisht është përdorur kjo si argument për të justifikuar ndryshimet në sistemet zgjedhore me justifikimin se ka presion ndërkombtar. Kjo përdoret si alibi nga partitë kryesore që të prekin rregullat e lojës çdo palë zgjedhje.” thekson Blendi Çeka.

Bashkimi Europian kërkon garantimin e standardeve demokratike, funksionimin e institucioneve dhe shtetin e së drejtës, elementë që përbëjnë thelbin e kapitujve 23 dhe 24 të procesit të integrimit europian.

Edhe për ekspertin e çështjeve zgjedhore, Afrim Krasniqi, problemi real nuk lidhet thjesht me formulat elektorale apo ndryshimet teknike në Kod, por me standardin demokratik të vetë zgjedhjeve dhe legjitimitetin që prodhon sistemi politik.

“Kusht i vetëm janë zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta. Nga zgjedhjet burojnë parlamenti, qeveria, legjitimiteti demokratik dhe fuqia vendimmarrëse, ndaj nëse burimi nuk është i saktë, legjitim dhe i pranueshëm të gjitha produktet e tij bëhen defektoze, kontestohen dhe shndërrohen në burim krizash periodike, bojkot dhe protesta, si dhe abuzim me mandatet dhe qeverisjen” thotë Krasniqi.

Megjithatë, ndërsa reforma zgjedhore prezantohet publikisht si pjesë e standardeve demokratike dhe procesit të integrimit europian, partitë politike vijojnë të negociojnë dhe ridizenjojnë vetë mekanizmat e sistemit elektoral, duke përdorur peshën e tyre politike dhe kontrollin që kanë mbi procesin.

Nga pragu zgjedhor, tek formula e shpërndarjes së mandateve, sistemi elektoral, koalicionet apo administrimi i zgjedhjeve, reforma është kthyer ndër vite në një proces ku partitë e mëdha zhvillojnë një analizë të ftohtë pragmatiste mbi mënyrën se si mund të ruajnë balancat e pushtetit dhe avantazhin elektoral.

Pikërisht për këtë arsye, edhe në momentet e tensionit më të lartë politik, reforma zgjedhore mbetet një nga të paktat çështje ku kundërshtarët historikë arrijnë të gjejnë kompromis. Jo domosdoshmërisht për hir të standardeve demokratike, thonë ekspertët, por për hir të asaj që në politikë njihet si “marrja e luanit”, kontrolli mbi rregullat që përcaktojnë vetë lojën politike.

“Ato vendosin rregullat, ato kanë benefite prej tyre. Nuk them që sistemi është i paprekshëm, por nga ana tjetër ndryshimi në çdo palë zgjedhjesh është një tregues goxha i dobët përsa i përket standarteve demokratike” thotë studiuesi Çeka.

Xhesika Tollia
+ posts

Xhesika Tollia është gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” (RRKOKSH), ku fokusohet në investigimin dhe raportimin e çështjeve të ndjeshme që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ajo ka përfunduar studimet Master në Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, duke i dhënë një bazë të fortë akademike njohurive të saj mbi institucionet, politikën dhe proceset ligjore në Shqipëri.

Gjatë karrierës së saj, Xhesika ka zhvilluar eksperiencë të rëndësishme pranë RTSH-së, ku është përfshirë në përgatitjen dhe realizimin e projekteve mediatike, duke ndihmuar në prodhimin e përmbajtjeve të thelluara dhe informuese për publikun. Ajo është e njohur për qasjen e saj të kujdesshme dhe analitike ndaj lajmeve, duke kombinuar investigimin me raportimin objektiv dhe të detajuar.