Henrik Hoxhaj, i pandehur në dosjen “Plumbi i Artë”, ka rrëfyer para Gjykatës së Posaçme detaje të frikshme mbi ngjarjet kriminale në vend. Ai ka treguar si Nuredin Dumani i kishte kërkuar të kryente atentate të porositura, duke i ofruar shuma të mëdha parash për ekzekutime.
Një nga planet më të rrezikshme ishte atentati ndaj biznesmenit Lulzim Masha më 18 janar 2022.
Hoxhaj rrëfeu në seancën e Gjykatës së Posaçme se fillimisht Nuredin Dumani, i pajtuar me Eldi Dizdarin, i kishte ofruar 150 mijë euro për vrasjen e djalit të Mashës. Kur nuk e gjetën, u shtuan edhe 100 mijë euro për vrasjen e biznesmenit.
Motivi lidhej me një konflikt mes familjeve Masha dhe Dizdari, pas ndarjes së fejesës së vajzës së Mashës me një nga vëllezërit Dizdari dhe pretendimeve për paratë ose pronat që nuk ishin kthyer.
“Fillimisht Nuredini ma dha porosinë në Kosovë, në Gjilan. Porosia ishte për djalin e Lulzim Mashës, por nuk e gjetëm. Më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari, dhe pas ndarjes këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre.”
Pas më shumë se gjashtë muajsh pritje që ai të kthehej në Shqipëri nga Gjermania, grupi vendosi të ndryshonte objektivin dhe të vrisnin vetë Lulzim Mashën.
Pasi nuk arritën të gjenin djalin, grupi vendosi të vriste babanë, në mënyrë që djali të kthehej nga jashtë vendit dhe të ekzekutohej gjatë varrimit.
“Morëm masa që djali i tij të vinte në varrim. Kur nuk gjendet njëri, nëqoftëse duhet sezbën, tjetri vjen në varrim” – dëshmoi Hoxhaj teksa i përgjigjej pa hezitim dhe njdeshmëri pyetjeve të prokurorëve.
Hoxhaj dëshmoi se pranë shtëpisë ku jetonte familja Masha kishte një lokal dhe kishte vendosur njërin prej puonjësve të ndiqte hyrje daljet e biznesmenit Masha, duke e gënjyer se i kishte një borxh dhe do fliste me të.
Pasi u sinjalizua se Lulzim Masha ndodhej në qarkullim, Hoxhaj, së bashku me shokun e fëmijërisë Skerdi Tasi, u nisën për të kryer atentatin pranë Liqenit Artificial të Tiranës.
Sipas dëshmisë, atentatet planifikoheshin në detaje, duke përfshirë sigurimin e armëve, mjeteve, roleve dhe skenarëve të largimit. Në atentatin e 18 janarit 2022, arma e siguruar posaçërisht për vrasjen e Lulzim Mashës u bllokua, duke bërë që atentati të dështonte.
Atentati ndaj Lulzim Mashës u krye teksa ai po lëvizte me automjetin e tij tip “Mercedes Benz ML”, në zonën e Kodrave të Liqenit Artificial. Në afërsi të nënkalimit të Liqenit të Thatë, ndaj tij u qëllua me armë zjarri, por dy nga tre plumbat goditën automjetin dhe ai i mbijetoi sulmit.
“Armën Skerdi e hodhi në liqen dhe unë ndërkohë kisha radio dhe dëgjoja çdo lëvizje të policisë teksa përshkruante ngjarjen dhe personin.” – shprehet Hoxhaj duke treguar se ka pasur një radio si ato të poicisë dhe ndiqte komunikimet në kohë reale.
Në seancë, Hoxhaj rrëfeu edhe për plane të tjera kriminale duke dëshmuar se Dumani i kishte kërkuar të ekzekutonte Elton Kilën, i njohur si “Oti”, pasi dyshohej se strehonte Talo Çelën.
Ai deklaroi se Dumani i kishte kërkuar të ekzekutonte Elton Kilën dhe ai tregoi se kishte shkuar në Kukës dhe Fier për të koordinuar këtë plan, por objektivi ra në burg dhe plani dështoi.
Plagosja e Dumanit
Ditën e 29 marsit 2022, kur mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua, Nuredin Dumani ishte nisur për të vrarë Elton Kilën. Porosinë për vrasjen e Kilës, ia kishte dhënë Suel Çela. Henrik Hoxhaj rrëfeu edhe momentin kur Nuredin Dumani mbeti i plagosur dhe iu desh ta ndihmonte për t’i shpëtuar jetën.
“Sa kalova në Cërrik, më ndaluan disa punonjës policie. U dhashë 20 mijë lekë dhe më lanë të ikja. Pas pak më shkruan Nuredini: ‘O kush hajde se më vranë’.”
Hoxhaj tregoi se shkoi menjëherë te Dumani dhe e gjeti të plagosur rëndë. Ai e mori me makinë dhe u përpoq ta nxirrte nga zona, bashkë me armët që kishin përdorur.
“Shkova atje, e mora Nuredinin dhe e hipa mbrapa në makinën time. Mora edhe dy armët. Më tha: ‘Më ço në Durrës’, por nuk e çoja dot dhe e mora në Fier.”
Në Fier, Hoxhaj tha se e çoi Dumanin në banesën ku ai qëndronte dhe u përpoq të siguronte ndihmë mjekësore, jashtë çdo strukture spitalore.
“Ishte keq, i ishte nxirë buza. Mora në telefon një të njohurin tim, Bledin, dhe i thashë: më duhen dy doktorë. U tregova armën dhe u thashë: do vini se s’bën.”
Sipas rrëfimit, mjekët i thanë se plumbi dyshohej se i kishte shkuar në stomak dhe se ndërhyrja ishte e rrezikshme.
“Më thanë që plumbi i kishte shkuar në stomak. Në sallë nuk e fusnim dot. I detyrova ta zgjidhnin aty, vetëm që ta shpëtonin.”
Hoxhaj tha se ende nuk e kupton se si policia arriti të zbulonte vendndodhjen e tyre dhe t’i arrestonte.
“Pastaj erdhi policia aty, nuk e di si. Unë Nuredinin e kam mbajtur edhe në mes të Tiranës, por atë ditë na erdhën aty.”
Në fund të rrëfimit të tij, Hoxhaj deklaroi se Dumani më pas vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë, duke i implikuar të gjithë.
“Pastaj Nuredini na shiti të gjithëve,” u shpreh ai.
Në seancën gjyqësore të datës 3 shkurt po të këtij viti, Hoxhaj rrëfeu se ishte njohur me Nuredin Dumanin në vitin 2020 dhe se, pas këtij kontakti, kishte hyrë në një zinxhir atentatesh të organizuara.
Henrik Hoxhaj konsiderohet nga hetimet si njeriu më i afërt i Nuredin Dumanit. Ai u arrestua së bashku me Dumanin më 29 mars 2022 në Fier, pas atentatit ku mbeti i plagosur.
Procesi gjyqësor për dosjen “Plumbi i Artë” vijon prej gati dy vitesh në Gjykatën e Posaçme. Në këtë proces, SPAK u ka dhënë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumanit, Skerdi Tases dhe Erjon Alibej. Ndërsa Henrik Hoxhaj e humbi këtë status pasi SPAK konstatoi se ai nuk kishte rrëfyer të gjitha vrasjet ku kishte marrë pjesë, disa prej tyre të kryera bashkë me Nuredin Dumanin, si dhe kishte fshehur identitetin e disa porositësve.
“Më thanë të dëshmoja ndryshe me qëllim devijimin e hetimeve” – u shpreh Hoxhaj gjatë dëshmisë në sallën e gjyqit.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.



























