Disa organizata të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe deputetëve të Këshillit për Mandatet, Rregulloren dhe Imunitetin, që të shqyrtojnë “pa vonesa apo ndërhyrje politike” kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në një letër të përbashkët publike, organizatat nënshkruese – ‘Drejtësi Sociale’, ‘Qëndresa Qytetare’, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, SCiDEV, ‘Tek Bunkeri’, Qendra ‘Hana’ dhe ‘Qyteti Im’ – theksuan se shqyrtimi i menjëhershëm i kërkesës së SPAK konsiderohet respektim i parimit se “askush nuk është mbi ligjin” dhe garanton “funksionimin normal, transparent dhe të paanshëm të procedurave parlamentare”.
Apeli i shoqërisë civile vjen pas paralajmërimit të Kryeministrit Edi Rama se Kuvendi mund të vonojë shqyrtimin e imunitetit të Ballukut.
Organizatat shprehën shqetësimin se vonesat e pajustifikuara mund të “cenojnë parimin e barazisë para ligjit, detyrimin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e publikut në funksionimin e institucioneve demokratike”.
Sipas tyre, “mandati përfaqësues nuk mund të përdoret për të krijuar pengesa procedurale apo perceptim mbrojtjeje ndaj askujt që përballet me drejtësinë”.
Mazhoranca socialiste ka shtyrë shqyrtimin e kërkesës së SPAK që nga dhjetori i vitit të kaluar, duke argumentuar nevojën për kohë që anëtarët e Këshillit të njohin dosjen voluminoze dhe për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për një çështje tjetër. Por organizatat e shoqërisë civile theksuan se “Kuvendi nuk mund të trajtojë procedurat kushtetuese si zgjedhje politike”.
Më 16 dhjetor 2025, SPAK i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për arrestimin ose heqjen e lirisë së Belinda Ballukut e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, konkretisht në procedurat për Tunelin e Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Balluku ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “baltë dhe aludime”, dhe ka kritikuar opozitën. Ky është rasti i parë në të cilin një zyrtare kaq e lartë e qeverisë përballet me akuza penale të SPAK ndërkohë që vazhdon të mbajë detyrën, me mbrojtje të hapur nga kryeministri.
Kryetari i Kuvendit ka refuzuar të thërrasë mbledhjen, ndërkohë që sipas Rregullores së Kuvendit, shtyrja përtej tre muajve e shqyrtimit të kërkesës së SPAK mund të çojë në rrëzimin automatik të saj.
Përplasja institucionale ka tërhequr edhe vëmendjen e Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i Komisionit Evropian deklaroi se “është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij. Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.
Ai shtoi se BE “monitoron dhe mbështet konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian”, duke vënë në dukje se ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor mbeten një shqetësim serioz.
Zyra e BE-së konfirmoi gjithashtu se Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë do të zhvillohet në fillim të marsit, duke ofruar një mundësi për të vijuar diskutimet mbi reformën në drejtësi në vend.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























