Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masën e sekuestros mbi një numër të konsiderueshëm pasurish të lidhura me Ervis Martinajn dhe familjarët e tij, duke refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e tyre. Vendimi përforcon qëndrimin e drejtësisë mbi dyshimet se këto asete burojnë nga aktivitete të paligjshme.
Në total, bëhet fjalë për 34 pasuri, të lidhura me Ervis Martinajn dhe rrethin e tij familjar që konsitojnë në kompani, aksione biznesi, prona të paluajtshme dhe asete luksi. Mes tyre spikasin shoqëri si “King Kasino” sh.a., aksione në “Alba Telecommunication” sh.p.k., si dhe “Mati Union”, por edhe apartamente në Tiranë e Vlorë, toka në disa qytete të vendit, një vilë në Surrel, ullishte, automjete luksoze dhe llogari bankare.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) dyshon se këto pasuri janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme, duke i lidhur ato me aktivitet kriminal. Për këtë arsye, ato u vendosën nën sekuestro që në vitin 2023 dhe masa është shtyrë dy herë, duke mbetur në fuqi deri në dhjetor 2025.
Avokatët mbrojtës të Ervis Martinaj kanë kundërshtuar vijimin e sekuestros mbi pasuritë, duke argumentuar se procedura ka tejkaluar afatet e parashikuara nga ligji. Sipas tyre, kërkesa për konfiskimin e 34 pasurive është depozituar prej rreth dy vitesh, ndërkohë që legjislacioni parashikon shqyrtimin brenda një afati njëvjeçar. Në këtë kuadër, mbrojtja ka kërkuar shuarjen e masës së sekuestros, duke e cilësuar zgjatjen e saj si të pajustifikuar dhe në kundërshtim me garancitë procedurale për një proces të rregullt ligjor.
Në vendimin e tij, gjyqtari Erion Bani argumentoi se prokuroria ka respektuar afatet procedurale, duke hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes për shuarjen e masës së sekuestros.
Hetimet kanë ngritur gjithashtu dyshime mbi përdorimin e pronarëve formalë, ku pasuritë rezultojnë të regjistruara në emër të familjarëve apo personave të afërt. Mes dëshmitarëve të kërkuar nga prokuroria është edhe babai i Martinajt, i cili dyshohet të figurojë si zotërues i disa prej aseteve.
Ervis Martinaj konsiderohet një nga figurat më të njohura të botës së krimit në Shqipëri, i lidhur me aktivitetet e lojërave të fatit dhe rrjete kriminale. Ai u shpall në kërkim nga SPAK në maj 2022, pas operacionit “Golden Bullet”, dhe prej atëherë rezulton i zhdukur. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Martinaj dyshohet për disa vepra penale, përfshirë përfshirjen në grup të strukturuar kriminal dhe sigurimin e kushteve për kryerjen e një vrasjeje në dëm të Indrit Dokle. Më herët, në prill 2021, ai është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vite e 8 muaj burg për organizim të lojërave të fatit, fshehje të të ardhurave dhe veprime të lidhura me krime të rënda.
Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.


























