Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur Altin Hajrin fajtor dhe e ka dënuar me burgim të përjetshëm për rrëmbimin që çoi në vdekjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2020 në Kamzë.
Vendimi erdhi pas një procesi ku provat e administruara u konsideruan të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirjen e Hajrit në këtë krim të rëndë, megjithëse i pandehuri mohoi akuzat përmes mbrojtjes ligjore, duke pretenduar se nuk kishte dijeni për planin e rrëmbimit.
Më herët, për të njëjtën ngjarje, Gjykata kishte dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm Festim Bexhdilin, i shpallur fajtor për rolin e tij në këtë çështje.
Më 17 janar 2020, 49-vjeçari Jan Prenga u rrëmbye nga katër persona në mes të Kamzës, u transportua në një prej resorteve më të njohura në Shijak dhe trupi i tij u zhduk më pas. Pamjet e shpërndara në media treguan se i rrëmbyeri kishte mbërritur i pajetë në resortin e Hajrit.
Në seancën e sotme, trupi gjykues i përbërë nga Erjon Bani, Bib Ndreca dhe Gerd Hoxha shpalli Hajrin fajtor për disa vepra penale: “Rrëmbimi apo mbajtja peng me pasojë vdekjen” (burgim i përjetshëm), “Mbajtja pa leje dhe prodhim armësh” (11 vjet burg), “Fshehja ose asgjësimi i kufomës” (8 vjet burg) dhe pjesëmarrje në “Grup të strukturuar kriminal” (4 vjet burg). Në përputhje me ligjin, dënimet kombinohen dhe Hajri do të vuajë burgim të përjetshëm në një institucion me siguri të lartë.
Në proces u administrua edhe dëshmia e Gramoz “Dritan” Rexhepit, i akuzuar si organizatori i rrëmbimit. Rexhepi mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se ishte në burg në Ekuador gjatë kohës së ngjarjes dhe duke kërkuar sjelljen e komunikimeve nga aplikacioni SkyECC në gjykatë. Ai mohoi gjithashtu njohjen me Hajrin dhe çdo lidhje me skemën kriminale, por dokumentacioni i hetimeve tregon se një person me emrin Gramoz nga Vlora kishte koordinuar ngjarjen.
Emri i Altin Hajrit u bë i njohur gjatë operacionit Enigma të 2015-s, ku u arrestuan 16 persona, u sekuestruan 450 kilogramë drogë e përpunuar dhe me qindra kilogramë marjuanë dhe kokainë. Ai u shpall në kërkim së bashku me vëllain e tij, Emiljanin, të cilësuar si “koka të grupit”.
Po ashtu është akuzuar edhe nga Guardia di Financa e Venecias si njëri prej krerëve të organizatës kriminale që transportonte heroinë nga Afganistani drejt Italisë. Autoritetet italiane vendosën emrin e tij në listën e personave të kërkuar, por pas disa muajsh hetimet ndaj tij u pushuan.
Hajri rezulton i arratisur nga drejtësia që prej qershorit në 2017, kur u dënua në mungesë me 7 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Ka mbaruar studimet në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.


























