Veliaj zgjedh Plarent Ndrecën si mbrojtës, gjykimi pezullohet për të dytën herë

Debatet për avokatin e ri dhe dorëzimin e dosjes hetimore prej 28 mijë faqesh shtyjnë procesin dhe nxjerrin në pah pengesat procedurale.

468
Erion Veliaj Spak
Credits: LSA - Erion Veliaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka zgjedhur ish-deputetin socialist Plarent Ndreca si mbrojtës të tij, një vendim që ka shkaktuar debate të ashpra në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe ka shtyrë për të dytën herë nisjen e procesit gjyqësor.

Prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado ngritën shqetësime lidhur me pjesëmarrjen e Ndrecës, duke argumentuar se pyetjet e mëparshme që i janë bërë mund të krijojnë probleme procedurale dhe të rrezikojnë vazhdimin e gjykimit.

Sipas prokurorëve, Plarent Ndreca është pyetur nën cilësinë e personit që ka dijeni për rethanat e hetimit lidhur me çështjen Veliaj.

“Për ne s’ka asnjë problematikë vazhdimi gjykimit me avokatin Ndreca, por duhet të shmangim pavlefshmërinë e këtij procesi në të ardhmen.” – u shpreh prokurori Altin Dumani.

Ndërkaq, avokati mohoi çdo konflikt interesi dhe gjykata e legjitimoi atë për të vazhduar mbrojtjen e Veliajt.

Pas diskutimeve mes palëve në gjykatë, debati u orientua drejt mënyrës së dorëzimit të provave hetimore.

Dosja prej 28 mijë faqesh, që i është vënë në dispozicion Veliajt më 11 mars, u kërkua nga mbrojtësi të dorëzohet në formë inventari, duke argumentuar se sasia e madhe e dokumenteve nuk mund të menaxhohet në ambientin aktual.

Prokurorët reaguan duke theksuar se Veliaj refuzoi dorëzimin fizik të akteve në ambientet e IEVP Durrës dhe nuk nënshkroi dokumentin e refuzimit. “Sjellja e tij ka penguar procedurën dhe mund të vonojë procesin,” tha prokurori Ols Dado, duke e cilësuar këtë si një manovër për të zgjatur gjykimin.

Ky refuzim nuk ka pasur një arsye apo argument objektiv, por thjesht debate me përfaqësuesit e BKH-së, ku Veliaj nuk ka pranuar as të nënshkruajë dokumentin e refuzimit të marrjes së akteve.

Pas kërkesës për dhënie të akteve hetimore në formën e një inventari, gjykata vendosi se ky është një proces i panevojshëm pasi aktet ndodhen në ambientin ku ndodhet Veliaj.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 dhe vijon të mbahet në paraburgim në Durrës, ndërsa ndaj tij rëndojnë disa akuza, përfshirë pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në disa episode, shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale.

Sipas hetimeve të SPAK, ai dyshohet se në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, kanë ngritur një skemë të dyshuar korrupsioni, fshehjeje pasurie dhe pastrimi parash, duke përfituar nga pozicioni i tij si kryebashkiak i Tiranës. Hetuesit pretendojnë se përmes një mekanizmi të ndërlikuar, fonde publike të Bashkisë së Tiranës janë orientuar drejt subjekteve dhe organizatave të lidhura me rrethin e tyre familjar.

Hetimet nisën pas një kallëzimi anonim nga “Nesti Agoni”, ndërsa në këtë dosje janë marrë të pandehur edhe figura të tjera, përfshirë Klotilda Bushka dhe disa biznesmenë të njohur si Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Gentian Sula, Meriman Palushi, Mirton Lika dhe Sokol Kryeziu. 

Gjatë qëndrimit në paraburgim, Veliaj ka paraqitur disa kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, duke kërkuar një masë më të lehtë se “arrest me burg”, por këto kërkesa janë rrëzuar nga GJKKO.

Vjolanda Peca
+ posts

Vjolanda Peca është diplomuar në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka përvojë në gazetari investiguese dhe prodhim multimedial, duke punuar në Emisionin “Vetting” në News24 dhe në Faktoje.al, ku ka zhvilluar aftësi në hulumtim, verifikim faktesh, intervista në terren dhe prodhim përmbajtjesh për publikim online. Fokusi i saj është krijimi i përmbajtjeve informative që angazhojnë audiencën dhe ofrojnë informacion të thelluar.