Dosja “Metamorfoza”, kërkohet largimi i gazetarëve nga salla e gjyqit

Behar Bajri dhe avokati i tij pretendojnë se ekspozimi mediatik mund të cënonte sekretin hetimor dhe të ndikonte në rrjedhën e procesit.

732
Dosja Metamorfoza, Pëllumb Gjoka dhe Behar Bajri
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) zhvilloi sot seancën e dytë gjyqësore në themel për çështjen “Metamorfoza”, ku biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe gjashtë të pandehur të tjerë përballen me akuza të rënda për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, të dyshuar për vepra penale si vrasje me paramendim, grabitje me armë, korrupsion aktiv dhe pasiv ndaj funksionarëve të drejtësisë, si dhe abuzim seksual. Mungesa e dy avokatëve dhe dy të pandehurve, mes tyre vetë Pëllumb Gjoka, çoi në shtyrjen e seancës për në 30 janar 2025, ora 14:00.

Të pranishëm në sallë ishin të pandehurit Behar Bajri, Edmond Preka, ish-zyrtari i policisë Ardit Hasanbegaj, Oltion Bistri, ish-shefi i operacionales, dhe ish-prokurori Xhevahir Lita. Ndërsa munguan Pëllumb Gjoka dhe Astmer Bilali, si dhe avokatët e Prekës dhe Hasanbegajt.

Në nisje të seancës, Behar Bajri alias Behar Brajovic, arrestuar në Francë më 4 shtator 2023 në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, kërkoi që procesi të zhvillohej me dyer të mbyllura, duke pretenduar se ishte paragjykuar nga mediat. Avokati i tij, Elton Hyseni, argumentoi se ekspozimi mediatik mund të cenonte sekretin hetimor dhe të ndikonte në rrjedhën e procesit. Por GJKKO e hodhi poshtë kërkesën, duke argumentuar se nuk ekzistonte bazë ligjore.

Akuzat dhe skema kriminale

“Metamorfoza” nisi në janarin e vitit 2023 pas një kallëzimi të bërë nga Lulë Zefi dhe djali i saj Donald Zefi, të cilët pretendonin se si trashëgimtarë nga Drande Hotaj të një pasurie prej rreth 39 hektarësh truall në Velipojë kishin konstatuar tjetërsime të paligjshme nga trashëgimtarë të tjerë pas të cilëve përfitonte sipërmarrësi Pëllumb Gjoka. Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për grup të strukturuar kriminal, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parashë.

Por në korrik 2023 këtë çështje SPAK-u e bashkoi me një procedim të tjetër në të cilin përfshihej biznesmeni Gjoka. Ky po hetohej paralelisht që në muajin mars nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), e cila në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet gjyqësore franceze, e përfshinin mes të dyshuarve në të tjera aktivitete kriminale ku dallonin korrupsioni, armëmbajtja pa leje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurimi i kushteve për të kryer vrasjen e Gjin Ndojit (2020), dhe atentatet ndaj Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit (2020-2021).

Më 23 korrik 2023 Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Gjokës dhe 14 të dyshuarve të tjerë: Behar Bajri, Denis Bajri, Ervis Martinaj, Edmond Preka, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Astmer Bilali, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli, Ardrit Hasanbegaj, ish-shef i Krimeve në Policinë Shkodër, Oltian Bistri, ish-drejtor Forcës Operacionale dhe Xhevahir Lita, ish-prokuror i Shkodrës.

Policia mundi të arrestonte vetëm gjashtë prej të kërkuarve, mes të cilëve tre ish-zyrtarët e forcave të zbatimit të ligjit, sipërmarrësin Gjoka, shoferin e tij Preka dhe ish-sportistin Bilali.

Behar Bajri, i njohur dhe me mbiemrat Bajroviq apo Rustemi, u arrestua në Francë në shtator 2023 ndërsa Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve” u arrestua në Itali në qershor 2024. Prej muajit maj, çështja ndaj tyre është kaluar për gjykim.

Arsad Bashli, Bardhyl Mavraj, Denis Bajri, Eljon Hato, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra dhe Ervis Martinaj mbeten në kërkim. Ky i fundit, prej gushtit 2022, është denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij.

Pëllumb Gjoka akuzohet nga SPAK për organizimin e vrasjes së Gjin Ndojit më 9 gusht 2020 në Shkodër dhe për planifikimin e eliminimit të Kleant Musabelliut, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licit, duke vepruar në bashkëpunim me Behar Bajrin dhe Edmond Prekën. Gjoka akuzohet gjithashtu për korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për mbajtjen e armëve pa leje.

Behar Bajri akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë vjedhje me armë në vitin 1999 ndaj dy qytetarëve nga Berati, vrasjen e vëllezërve Osman dhe Artur Alibali në të njëjtën ditë, si dhe për vrasjen e punonjësit të Policisë Rrugore, Petrit Demiri, në vitin 2000. Po ashtu, Bajri akuzohet për përdhunimin e dy vajzave të mitura në vitin 2006 dhe për gjobëvënie të shumave të konsiderueshme parash ndaj qytetarëve të Shkodrës.

Edmond Preka, ish-shoferi i Gjokës, akuzohet për sigurimin e kushteve për eliminimin e Musabelliut, ndërsa Astmer Bilali akuzohet për planifikimin e vrasjeve të Dulit dhe Licit. Ish-zyrtari i policisë Ardit Hasanbegaj dhe ish-shefi operacional Oltion Bistri përballen me akuza për korrupsion pasiv dhe zbulimin e të dhënave sekrete, ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita dyshohet për korrupsion në favor të grupit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.