Dosja ndaj Metës dhe Kryemadhit kalon për gjykim, Apeli cakton datën e seancës

Meta dhe Kryemadhi përballen me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa Kryemadhi akuzon SPAK-un për shpërdorim detyre dhe intimidim të dëshmitarëve

31
Ilir Meta në Drejtorinë e Policisë së Tiranës
Credit: LSA - Ilir Meta në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Dosja penale ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, ka kaluar për gjykim, pas 5 vitesh hetime nga Prokuroria e Posaçme.

Sipas SPAK, procedimi penal ndaj Metës ka nisur që në vitin 2019, është zgjeruar vit pas viti dhe në 2024 u bashkua në një dosje të vetme.

“Hetimet zbuluan skema korruptive, përdorimin e influencës politike për favore ndaj bizneseve kundrejt shpërblimit, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurive”, njoftoi SPAK.

Po ashtu, me drejtësinë do të përballen, si të bashkëpandehur edhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, një finacuese e LSI-së.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme e Apelit caktoi datën 8 shtator për seancën gjyqësore të ankimit të Ilir Metës kundër masës së sigurisë “arrest me burg”.

Apeli paralajmëroi edhe zëvendësimin e avokatit të zgjedhur nga Meta, Kujtim Cakrani, nëse ai mungon në seancë dhe bëhet shkak për shtyrjen e procesit.

Meta, i cili ndodhet në burg që prej tetorit 2024 pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, dhe bashkëshortja e tij, Kryemadhi, i kanë cilësuar akuzat politike dhe të montuara.

Në një deklaratë përpara SPAK, Kryemadhi akuzoi prokurorët për “tejkalim kompetencash dhe shpërdorim detyre”, duke shtuar se do të kërkojë thirrjen e dëshmitarëve të rinj, mes tyre dhe kushëririn e saj nga SHBA.

Kryemadhi e ka cilësuar hetimin ndaj saj dhe familjarëve si të motivuar dhe intimidues.

“Në anën time shikoj shpërdorim detyre dhe një tejkalim kompetencash, përveç diskriminimit dhe intimidimit ndaj dëshmitarëve dhe institucioneve… SPAK ka përdorur këto metoda për të marrë informacione ndaj bizneseve të ndryshme dhe e shoh si tejkalim të detyrës për të ushtruar intimidim ndaj tyre”, deklaroi deputetja. Ajo tha gjithashtu se nuk do të pranojë gjykim të shkurtuar.

Ish- presidenti Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim.

Ndaj ish-bashkëshortëve rëndojnë dhe akuzat për kryere të veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Ndërsa nëna e Kryemadhit dhe e pandehura Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa Xhixho për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.

SPAK sqaron se procedimi ndaj Metës dhe të pandehurve të tjerë ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.

“Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive”, citohet në njoftim.

Prej tetorit të vitit të kaluar, ish-presidenti Ilir Meta, i cili aktualisht mban dhe pozicionin e kryetarit të Partisë së Lirisë, gjendet në burg, pasi gjykata pranoi kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” ndaj tij.

Meta dhe të pandehurit e tjerë i kanë kundërshtuar publikisht akuzat e ngritura si të montuara politikisht.



Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.