Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe masën “arrest në shtëpi” për Elman Abulen, në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe veprimtari të dyshuara të paligjshme.
Në vendimin Nr. 382, datë 17.06.2025, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 112, 246 dhe 260 të Kodit të Procedurës Penale, ka vendosur, “Vazhdimin e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Erion Veliaj, me vendimet Nr. 7, datë 09.02.2025 dhe Nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Po ashtu, gjykata vendosi vazhdimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, caktuar ndaj personit nën hetim Elman Abule.
Prokuroria ka prezantuar në seancë si fakt të ri dhe me rëndësi të veçantë, se apartamenti që ndodhet mbi banesën e Erion Veliajt zotërohet në mënyrë të tërthortë nga çifti Xoxa–Veliaj. Ky fakt, sipas Prokurorisë, “ngre dyshime serioze për pasuri të padeklaruara apo të fshehura”, duke forcuar akuzat për implikim në veprimtari të paligjshme. Gjykata e Posaçme në vendimin e saj thekson se:
“Ky fakt i ri, i paraqitur nga Prokuroria, forcon dyshimet e bazuara më parë dhe argumenton nevojën për vazhdimin e masës së arrestit në burg ndaj Erion Veliajt, duke siguruar që ai të mos ndikojë në hetime apo të shmangë përgjegjësinë penale.” – thuhet ne vendim.
Avokatët mbrojtës kishin kërkuar zëvendësimin e masave me masa më të buta, duke ofruar garanci pasurore si alternativë, por Gjykata refuzoi këto kërkesa, duke theksuar se masat e propozuara nuk ulin rrezikun e ndikimit të paligjshëm.
“Në vlerësimin tonë, masat e propozuara nuk janë të mjaftueshme për të eliminuar rrezikun e ndikimit të paligjshëm të të pandehurve në hetim dhe mbrojnë interesin publik.” – arsyeton Gjykata.
Erion Veliaj, i cili mbahet në qeli që prej 10 shkurtit, është nën akuzë për “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrimin e parave”, vepra që dyshohet se i ka kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Kjo e fundit ndodhet nën masën “detyrim paraqitjeje” dhe po hetohet gjithashtu për mosdeklarim pasurie.
Sipas Spak, Veliaj dyshohet se ka përfituar përmes familjarëve të tij apo personalisht shpërblime nga disa biznesmenë në të paktën nëntë raste.
Prokuroria pretendon se ekzistojnë prova që ngrenë dyshime të arsyeshme për një skemë korruptive, ku fondet publike të Bashkisë së Tiranës janë transferuar te bashkëshortja e Veliajt dhe të afërmit e saj.
Hetimet tregojnë se përmes kësaj skeme, Veliaj ka përfituar një vilë në Qerret dhe rreth 110 milionë lekë, në këmbim të lejeve ndërtimi dhe fondeve publike të dhëna biznesmenëve nën hetim.
Sipas hetimeve të SPAK, skema dyshohet se është realizuar nëpërmjet tre organizatave jofitimprurëse dhe tre kompanive të lidhura me Xoxe dhe biznesmenin Elman Abule.
Veliaj i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si pjesë e një hetimi të padrejtë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.