GJKKO refuzon kërkesën e Ilir Metës të dalë nga burgu

Ish-presidenti do të mbetet në qeli ndërsa avokatët braktisin seancën duke pretenduar vendim të paracaktuar.

30
Ilir Meta në Drejtorinë e Policisë së Tiranës
Credit: LSA - Ilir Meta në Drejtorinë e Policisë së Tiranës

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës “arrest në burg” me masa të tjera lehtësuese.

Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Çela më 13 gusht, i cili miratoi kërkesën e prokurorit të SPAK, Arben Kraja për lënien në qeli të kryetarit të Partisë së Lirisë.

Seanca fillimisht ishte caktuar për 8 gusht, por u shty pasi gjyqtari Erjon Bani shpalli moskompetencën. Rasti u kalua në duart e gjyqtarit Erjon Çela, i cili e shqyrtoi më 13 gusht.

Kërkesa për ndryshimin e masës u paraqit nga avokatët e Metës të mërkurën, pasi SPAK ka përfunduar hetimet dhe i ka komunikuar akuzat.

Avokatët e Ilir Metës braktisën seancën gjyqësore, duke pretenduar se vendimi i gjyqtarit Çela ishte i paracaktuar. Ky reagim erdhi pasi u bë e qartë se gjykata nuk do të pranonte kërkesën për lehtësim të masës së sigurisë.

Gjykata, e përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112 dhe 260/2 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi rrëzimin e kërkesës së ish-presidentit.

Prokurori i SPAK, Arben Kraja, kishte kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes, duke argumentuar se masa aktuale e sigurisë është e nevojshme për ecurinë e procesit.

Avokati Kujtim Cakrani ka deklaruar se është dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesa për shqyrtimin e masës së sigurisë dhe se brenda tetorit do të ketë një vendimarrje. Po ashtu, sipas tij po përgatitet dokumentacioni për në gjykatën e Strasburgut.

Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetor të vitit të kaluar. Ai akuzohet për vepra penale si “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Metën.

Në një seancë që zgjati 5 orë, gjykata e posaçme konfirmoi masën e arrestit në burg për Ilir Metën, ndërsa ai sulmoi ashpër drejtësinë.

Meta do të qëndrojë në një nga qelitë e paraburgimit tek ‘313’ në Tiranë, në pritje të vijimit të procesit gjyqësor për akuzat e ngritura ndaj tij nga SPAK.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.