Gjykata e Tiranës ka urdhëruar kthimin e sendeve personale dhe pajisjeve të punës së gazetarëve të grupit mediatik “Focus Media”, duke e vlerësuar si joproporcionale ndërhyrjen e kryer më 9 gusht.
Vendimi për sigurim padie, i nënshkruar nga gjyqtarja Alma Kodraliu, erdhi pas një kërkese të paraqitur nga kompanitë Focus Media News dhe Panorama Group, në pronësi të botuesit Irfan Hysenbelliu.
Gjykata refuzoi të shqyrtojë pretendimet për kontratat e qirasë, duke i konsideruar ato çështje për Gjykatën Administrative. Megjithatë, ajo u fokusua në pasojat e ndërhyrjes për punën e gazetarëve.
“Gjykata e konsideron ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve jo në proporcion me gjendjen që pasoi këtë kufizim”, thuhet në vendim.
Gjykata theksoi se mosmarrëveshjet kontraktuale të subjekteve mediatike duhet të zgjidhen duke cenuar sa më pak lirinë e shprehjes. “Shteti ka të drejtë të mbrojë interesat e tij, por edhe mbrojtja e lirisë së shprehjes është një detyrim ndërkombëtar”, përcakton vendimi.
Gjykata urdhëroi Zyrën e Përmbarimit Shtetëror të marrë masa brenda 24 orëve për identifikimin dhe inventarizimin e sendeve personale të gazetarëve dhe kthimin e tyre, qoftë dokumenteve fizike apo elektronike. Brenda 48 orëve duhet të identifikohen dhe inventarizohen edhe pajisjet në pronësi të Focus Media News.
Anila Jole, drejtoresha e përgjithshme e News24, deklaroi se kishte besuar gjithmonë në drejtësinë. “Gjykata vendosi rikthimin tonë në studio dhe redaksi dhe vlerësoi të paligjshëm sekuestrimin e kompjuterave dhe orendive”, tha ajo.
Jole shtoi se News24 do të rifillojë transmetimin për disa orë dhe se historia e kontratës së godinës mbetet në gjyq për shkak të problemeve të krijuara nga ministria.
Më 9 gusht 2025, policia bllokoi ndërtesat e përdorura nga “Focus Media Group” në Shkozë, duke rrethuar godinën, ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ndaluar hyrjen e gazetarëve. Transmetimi i News24 u ndërpre në orën 07:36.
Situata u përshkallëzua kur kamionë të ushtrisë u filmuan teksa ngarkojnë mobilje dhe pajisje nga ambientet e redaksisë, përfshirë kompjutera të gazetarëve. Shoqëria shtetërore “KAYO” pohoi se pajisjet i kishte transferuar në Rezervat e Shtetit.
Vendimi i Gjykatës
Operacioni që çoi në mbylljen e News24 u dënua nga organizatat lokale dhe ndërkombëtare të lirisë së medias, të cilat kërkuan shpjegime nga qeveria dhe heqjen e bllokadës ndaj mediave.
Ndërsa, delegacioni i BE në një deklaratë publike bëri me dije se po ndjek nga afër situatën lidhur me Focus Media Group dhe mediat e saj.
“Mosmarrëveshjet midis të gjitha palëve të përfshira duhet të zgjidhen duke respektuar plotësisht ligjshmërinë dhe procedurat e rregullta ligjore”, thuhet në postimin e delegacionit të BE.
BE thekson se është e rëndësishme që çdo veprim i ndërmarrë të mos cenojë mundësinë e gazetarëve për të ushtruar lirinë e tyre në përcjelljen e informacionit dhe për të ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.