Gjykata urdhëron hetime ndaj Veliajt dhe Maznikut për shembjet në “5 Maj”

Hetimet për shpërdorim detyre rihapen pas vendimit të GJKKO-së, ndërsa ish-kryebashkiaku i Tiranës vijon të qëndrojë në paraburgim për akuza të tjera të korrupsionit.

37
Erion Veliaj dhe Arbjan Mazniku
Credits: shteg.org - Erion Veliaj dhe Arbjan Mazniku

Gjykata e Posaçme ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ish-nënkryetarit të Bashkisë, Arbjan Mazniku.

Hetimet lidhen me procesin e prishjes së ndërtesave në zonën e “5 Majit”, një prej çështjeve më të debatuara të projektit të rindërtimit pas tërmetit të vitit 2019.

Fillimisht, ndaj Veliajt dhe Maznikut u bë një kallëzim penal për veprën “shpërdorim detyre”. Prokuroria e Tiranës e kishte pushuar këtë kallëzim, duke mos gjetur elementë për hetim të mëtejshëm. Megjithatë, Gjykata e Apelit e Tiranës vendosi që çështja të mos mbyllej, por t’i kalonte për kompetencë SPAK-ut. Ky vendim u miratua edhe nga Gjykata e Posaçme (GJKKO).

Në vendimin e saj, gjyqtarja Rudina Palloj shpalli si të pavlefshëm aktin e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes më 14 prill 2023.

Sipas saj, hetimi duhej të vazhdonte, pasi bëhej fjalë për një akuzë serioze dhe të lidhur me interes publik.

Zona e “5 Majit” në Tiranë u rrethua nga policia më 19 janar 2022, si pjesë e planit për prishjen e banesave dhe ndërtimin e objekteve të reja në kuadër të programit të rindërtimit. Banorët kundërshtuan shembjet, duke hyrë në përplasje të drejtpërdrejta me forcat e policisë.

Një pjesë e ndërtesave që u shkatërruan nuk ishin dëmtuar nga tërmeti, ç’ka krijoi pakënaqësi të madhe tek qytetarët.

Vendimi i Bashkisë për të shembur 170 banesa në këtë zonë la pa strehë 222 pronarë, mes tyre me dokumente të rregullta hipotekore ose në proces legalizimi.

Banorët pretendonin se po dëmtoheshin pa marrëveshje të qartë me shtetin, ndërsa Bashkia argumentonte se godina të dëmtuara nga tërmeti përbënin rrezik për jetën.

Në një dalje publike më 20 janar 2022, Arbjan Mazniku, atë kohë zëvendëskryetar i Bashkisë, premtoi se secili prej banorëve të prekur do të merrte një shtëpi më të mirë dhe më të vlefshme se ajo që kishin humbur. Megjithatë, kjo nuk i bindi të gjithë dhe pakënaqësitë vijuan.

Ndërkohë, ish-kryebashkiaku Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej shkurtit 2025, i akuzuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Ai ka kërkuar disa herë që masa e sigurisë të ndryshojë, duke pretenduar se nuk ekziston rreziku i prishjes së provave, pasi SPAK tashmë ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë. Veliaj propozoi si alternativë një “garanci pasurore” në vend të paraburgimit, por kërkesa iu refuzua nga Gjykata e Lartë. Vendimi u dha nga relatorja Albana Boksi, e cila mbajti në fuqi masën aktuale të sigurisë.

Rihapja e hetimeve për Veliajn dhe Maznikun lidhur me shembjet në “5 Maj” i shtohet dosjeve të tjera ku përfshihet ish-kryebashkiaku. Ky zhvillim pritet të sjellë një proces të gjatë gjyqësor, ku do të shqyrtohet nëse prishja e banesave ishte një akt i ligjshëm në kuadër të rindërtimit apo një rast i shpërdorimit të detyrës me pasoja të rënda për qindra qytetarë.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.