Astrit Kalaja, magjistrat në Gjykatën e Apelit, u qëllua dhe humbi jetën pasditen e së hënës, 6 tetor 2025, brenda ambjenteve të gjykatës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, pak minuta para se ai të jepte vendimin për një çështje pronësie ku palë ishte familja Shkambi nga Shkodra.
Të dhënat paraprake tregojnë se autori ka qëlluar ndaj gjykatësit Astrit Kalaja me disa plumba në gjoks, duke e lënë të vdekur, ndërsa më pas ka plagosur 2 persona të tjerë në sallën e gjyqit, Rakip dhe Ervis Kurtaj, atë e bir, palë tjetër në proces.
Nuk dihet ende se si autori arriti të futet i armatosur në sallën e gjyqit në Gjykatën e Apelit, por Policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar si autor të ngjarjes shtetasin Elvis Shkambi.
Astrit Kalaja kishte një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare prej më shumë se 30 vitesh. Ai e nisi punën si magjistrat në vitin 1993 në gjykatën e Shkodrës, ku dhe ka punuar si gjyqtar deri në vitin 2004. Më pas ai u emërua në Gjykatën e Apelit të Shkodrës dhe në vitin 2023 u transferua në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Vrasja e gjyqtarit ka shkaktuar reagime nga drejtuesit e shtetit, institucioneve të drejtësisë dhe organizatave ndërkombëtare, ndërsa policia deklaroi se po vijojnë hetimet për rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Nga ana tjetër, dokumentet gjyqësore dhe disa kronika televizive flasin për kalvarin e proceseve gjyqësore të familjes Shkambi mbi një pronë që ata pretendojnë në qytetin e Shkodrës.

Pas 32 vitesh shërbimi në sistemin e drejtësisë, gjyqtari Astrit Kalaja u ekzekutua pak minuta para se të jepte vendimin e tij në lidhje me një konflikt gjyqësor që kishte të bënte mbi konfliktet e pronësisë së familjes Shkambi në qytetin e Shkodrës.
Dokumentat gjyqësore dhe dhjetra kronika televizive tregojnë se Gjon Shkambi kishte vite që kërkonte drejtësi për dyert e gjykatës për një pronë që ai pretendonte të kishte vërtetuar me dokumenta të rregullta. Sipas policisë, autori i vrasjes së gjyqtarit ishte pikërisht i biri i Gjonit, Elvisi, i cili ndodhej i pranishëm në sallën e gjyqit.
Historia e kësaj çështjeje fillon pas vitit 1990, kur Gjon Shkambi fitoi të drejtën e pronësisë mbi një sipërfaqe toke në Shkodër, me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (KKKP). Prona përfshinte një pjesë toke të lirë dhe një pjesë tjetër ku ndodhej një objekt i njohur si “ish-Shkolla e Rezervave”, e cila në kohën kur iu kthye Shkambit ishte zënë nga persona të tjerë.
Pas marrjes së vendimit të KKKP-së, Gjon Shkambi ngiti pretendimin se në dokumentacion kishte disa pasaktësi. Për ta sqaruar këtë, ai iu drejtua Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila me vendimin nr. 119, datë 11 shkurt 2002, pranoi kërkesën e tij dhe saktësoi vendimin e KKKP-së.
Vite më vonë, me vendimin nr. 20, datë 28 qershor 2010, Gjykata e Apelit Shkodër lëshoi urdhrin e ekzekutimit, duke e bërë të zbatueshëm vendimin përfundimtar që njihte Gjon Shkambin si pronar ligjor.
Një pjesë e pronës vazhdonte të ishte e “zënë” nga persona të tjerë dhe për këtë arsye, Gjoni iu drejtua Zyrës së Përmbarimit Shkodër, duke kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor.
Më 13 tetor 2022, Zyra e Përmbarimit u dërgoi 32 personave njoftime për lirimin vullnetar të banesave që ndodheshin brenda pronës.
Disa javë më vonë, më 31 tetor 2022, u vendos fillimi i ekzekutimit të detyrueshëm, nëse personat nuk do ta lironin pronën me dëshirë.
Këtu nis dhe saga e padive dhe kundërpadive në gjykatat shqiptare.
Disa prej personave që ndodheshin në pronë e kundërshtuan procesin e ekzekutimit të lirimit vullnetar të pronës. Ata paditën përmbaruesin dhe kërkuan pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr. 784, datë 24 nëntor 2022, rrëzoi kërkesat e tre prej tyre, duke vlerësuar se ishin paraqitur jashtë afatit ligjor.
Por kundërshtimet nuk mbaruan me kaq. Të njëjtët persona, sërish, kërkuan sigurimin e padisë, pra pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit.
Me vendimin nr. 38, datë 8 dhjetor 2022, gjykata pushon gjykimin, duke deklaruar se kërkesa nuk mund të bëhej në fazën e ekzekutimit.
Në të njëjtën periudhë, një grup tjetër personash të përfshirë në pronën e pretenduar nga familja Shkambi kërkuan pezullimin e ekzekutimit të lajmërimit për lirimin e pronës.
Por edhe në këtë rast, gjykata nuk e pranoi kërkesën. Me vendimin nr. 157, datë 27 mars 2023, u vendos që vetëm përmbaruesi gjyqësor mund të kërkojë pushimin e ekzekutimit.
Në këto kushte, ndonëse Gjon Shkambi kishte një vendim të formës së prerë në dorë, ai nuk mundi ende të marrë në posedim pronën e vet.
Përmbarimi kishte bërë procedurat, por Policia e Shkodrës refuzoi të asistonte në ekzekutim, duke argumentuar se nuk kishte urdhër specifik për ndërhyrje ndaj personave të tretë që qëndronin në pronë.
Pas shumë viteve përpjekjesh dhe pengesash, më 24 tetor 2024, Gjoni iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që kjo të konstatonte shkeljen e të drejtave të tij, pasi vendimi gjyqësor për pronën nuk ishte ekzekutuar.
Gjykata Kushtetuese vendosi moskalimin e çështjes në seancën ndërkohë që në Gjykatën e Apelit në Tiranë, në orën 14:10 minuta, ishte parashikuar pikërisht shqyrtimi i çështjes që familjet që jetonin në pronën e pretenduar të Shkambit kërkonin “kundërshtimin e veprimeve përbarmimore”, dhe gjyqtar i çështjes ishte pikërisht Astrit Kalaja.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.