Hetimet zbulojnë rolin e Erion Isait në tendera publikë

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbulojnë koordinimin e kryetarit të Bashkisë Kolonjë me kompaninë fituese “A&E Engineering” si dhe ngrenë dyshime për paracaktim fituesi në tenderat për rrugën Korçë–Ersekë dhe ujësjellësin e 13 fshatrave në vlera rreth 70 milion euro.

45
Ilustrim, ndërtimi i rrugëve
Credits: shteg.org

Dokumente të rrjedhura në media zbulojnë dyshime për përfshirjen e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, në manipulime dhe favorizim të kompanive private në tendera publikë.

Sipas materialeve të siguruara, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka hapur hetime për dy tendera të mëdha: ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë, me një vlerë totale prej 65 milionë euro, dhe ndërtimin e ujësjellësit për 13 fshatra të Kolonjës, me një vlerë prej rreth 4 milion euro.

Dokumentet, që përfshijnë biseda telefonike dhe mesazhe WhatsApp, sipas hetimeve, tregojnë koordinimin e ngushtë midis Isait dhe administratores së kompanisë fituese, Entela Çano, pronare e “A&E Engineering” sh.p.k.

Prokuroria e Posaçme ka vendosur bashkimin e dy procedimeve penale që lidhen me tenderat për ndërtimin e rrugës Korçë–Ersekë dhe disa projekte të tjera infrastrukturore në Kolonjë.

Procedimi i parë, me nr. 280 i vitit 2020, u regjistrua mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Romeo Nazarko, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.

Procedimi i dytë, me nr. 39 i vitit 2024, u regjistrua pas kallëzimit të shtetasit Esmerald Xhafa, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas arsyetimit të prokurorisë, objekti i hetimit ishte i njëjtë, ndaj më 22 korrik 2024 SPAK vendosi bashkimin e të dy procedimeve në një të vetëm. Dy ditë më pas, u njoftua se procedimi penal përfshinte kryebashkiakun e Ersekës së bashku me disa zyrtarë të tjerë lokalë të bashkisë që ai drejton prej vitit 2019.

Rruga që gllabëron para

Nga inagurimi i rrugës Qukës - Qafë Plloçë
Credits: Facebook – Nga inagurimi i rrugës Qukës – Qafë Plloçë

Rruga Korçë–Ersekë, me gjatësi 35 kilometra, pritej të përfundohej në qershor të vitit të kaluar. Projekti është karakterizuar nga vonesa, shpenzime të larta dhe tashmë shembje masive të një segmenti në zonën Qafa e Qarrit, duke e bërë rrugën të pakalueshme.

Punimet për ndërtimin e saj nisën në 2013. Loti i parë, me gjatësi 17 km, u tenderua nga ish-qeveria me një kosto prej rreth 17 milionë euro. Në vitin 2020, qeveria e kryeministrit Rama vijoi procedurat për tenderimin e lotit të dytë, gjithashtu 17 km, i cili u fitua nga kompania A.N.K., në pronësi të vëllait të ish-deputetit socialist Ndue Kola.

Pjesa e parë e Lotit II, 4.15 km, kushtoi 22.4 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër, 12.85 km, arriti thuajse fondin limit me 20.6 milionë euro. Me modifikimin e kontratës, kostoja totale e rrugës 35 km ka shkuar në rreth 65 milionë euro, për një karrexhatë të gjerë vetëm 8,5 metra. Kompania “A&E Engineering”, pronë e Entela Çanos, është kontraktuar për mbikëqyrjen e punimeve.

Pikërisht atëherë kur pritej të inagurohej më 17 shkurt 2025, një pjesë e segmentit u shemb në zonën e quajtur ‘Qafa e Qarrit – Mollas’, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve dhe duke detyruar rikthimin e qarkullimit në rrugën e vjetër Korçë–Ersekë.

Një ditë më pas, Esmerald Xhafa depozitoi kallëzim penal ndaj ARRSH, Bashkisë së Kolonjës, si dhe kompanive A.N.K dhe A&E Engineering. Kallëzimi përfshin dyshimet për veprat penale: “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumentave” dhe “Korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike”. Xhafa ka bashkangjitur gjithashtu pamje filmike që faktojnë cilësinë e dobët të punimeve dhe devijimin nga projekti i miratuar.

Inxhinieri Romeo Nazarko
Credits: Facebook – Inxhinieri Romeo Nazarko

Një kallëzim i dytë, për të njëjtin objekt, është bërë nga inxhinieri Romeo Nazarko, sipas të cilit kompania ka filluar punimet pa lejet përkatëse, ndërsa vlerat e projektit janë rritur në mënyrë fiktive.

“Autoriteti Rrugor Shqiptar, pranë APP-së, ka konstatuar rritje fiktive të vlerës financiare të projektit, si dhe ndryshime në gjurmën e rrugës”, thuhet në kallëzimin e Nazarkos. Ai shton se nuk ka pasur konsultim me banorët e zonës lidhur me projektin e ri, i cili ka rritur distancën e rrugës me fshatrat përreth.

“Inxhinierët kanë bërë rilevimin në terren të gjurmës së re, që nuk i përkasin studios së projektimit, por shoqërisë që do të merrte zbatimin e punimeve”, thuhet në kallëzimin e inxhinjerit, i cili për prokurorinë ka renditur të gjitha faktet që nisin nga lejet përkatëse deri tek vlerësimet e ndikimit në mjedis.

Pjesë e dosjes hetimore është edhe një tender i dytë për ndërtimin e ujësjellësit të 13 fshatrave të Kolonjës, me një vlerë prej rreth 4 milion euro. Këto tendera, mbi të cilët ka pasur kallëzime në prokurorinë e posaçme, janë bashkuar në një hetim të vetëm, ndaj të cilit prokuroria ka marrë të pandehur kryebashkiakun e Ersekës dhe zyrtarët lokalë.

Në dokumentet që ka siguruar media, prokuroria nuk sqaron hetimet sa i përket rrugës, por dosja përfshin detaje për përfshirjen e kryebashkiakut në tenderin e ujësjellësit të 13 fshatrave.

Isai nuk ka komentuar akuzat, por hetimet paraprake kanë nxjerrë në dritë dyshime për shkelje të rënda në procedurat e prokurimit publik, ku ai dhe vartësit e tij akuzohen se kanë paracaktuar fituesit e tenderave, duke favorizuar kompaninë “A&E Engineering” sh.p.k. të administratores Entela Çano.

Ujësjellësi me vlerë 4 milion euro

Kryetari i Bashkisë së Kolonjës Erion Isai
Credits: shteg.org – Kryetari i Bashkisë së Kolonjës Erion Isai

Hetimet paraprake të SPAK zbulojnë një skemë të dyshuar ku kryetari i bashkisë së Kolonjës ka manipuluar dokumentacionin e tenderit, ndryshuar shifrat e preventivëve dhe vendosur supervizorët sipas interesave të kompanisë fituese.

Mesazhet dhe telefonatat e zbardhura tregojnë ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të kryebashkiakut në çdo hap të procedurës. Më 3 korrik 2020, administratorja e kompanisë dërgon Isait materialin “Preventiv shtrat e Kolonë”, tender ky që parashikon një vlerë investimi nga buxheti i shtetit prej rreth 4 milion euro. Ky mesazh për prokurorët është tregues i ndryshimeve të fondit të tenderit; kryebashkiaku koordinon dorëzimin e dokumentave të prokurimit dhe supervizimin e projektit.

Isai ka pasur komunikime të shpeshta edhe gjatë muajit shtator 2020 me Entela Çano për dorëzimin e projekt-dokumentacionit, kalimin e projekteve në këshillin teknik dhe koordinimin me inxhinierë dhe supervizorë. Në një mesazh të 15 shtatorit, Isai i dërgon Çanos kontaktin e Armand Tafilit, duke i shkruar: “Do të të marrë për superviz.”, dhe Çano i përgjigjet: “Faleminderit shumë.”

Hetimet e SPAK po shqyrtojnë në detaje këto komunikime si prova të mundshme për shpërdorim detyre dhe shkelje të ligjit për prokurimin publik.

Hetimet e posaçme tregojnë skemën e dyshuar të paracaktimit të fituesit, ku dokumentet e tenderëve u hartuan sipas kërkesave të kompanisë “A&E Engineering” sh.p.k., duke favorizuar në mënyrë të paligjshme operatorin privat.

“Dokumentet e administruara tregojnë se anëtarët e njësisë së prokurimit, Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, Erion Isai, kanë vepruar në kundërshtim me nenet 1, 2, 20, 36, 74 të ligjit nr. 162/2020 ‘Për prokurimin publik’, si dhe me VKM nr. 914/2014”, thuhet në dosjen hetimore. Qëllimi i tyre ka qenë “favorizimi dhe krijimi i privilegjeve të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi”.

SPAK dyshon se Isai ka përdorur pozitën e tij për të manipuluar procesin e tenderit, duke paracaktuar fituesin, ndryshuar shifrat e preventivëve dhe vendosur supervizorët e projektit sipas interesave të kompanisë fituese.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.